DR.BLEDAR KOMINI: MORALI NË MARRËDHËNIET NDËRKOMBËTARE

0
282

(Mendo gjithnjë mirë, ky është parimi bazë i moralit” – Blaise Pascal)

– Hyrje –

Fjalë kyçe: revolucion permanent; utopizëm; etika e luftës; propaganda. Periudha pas viteve ’90-të, veçanërisht për Evropën, përbën një periudhë cilësisht të re. Që nga viti 1917, kur në Rusi triumfoi Revolucioni Bolshevik e deri në vitin 1989, kur socializmi u shpërbë dhe u përmbys, Evropa ka qenë arenë e luftës midis dy sistemeve të kundërta. Veçanërisht pas krijimit të kampit socialist pas Luftës së Dytë Botërore, kjo ndeshje mori përmasa të gjera dhe të shumanshme. Për rrjedhojë, edhe marrëdhëniet ndërkombëtare të kësaj periudhe në mënyrë të natyrshme do të pasqyronin këtë ndeshje gjigantësh, siç ishin dy kampet.

Rrjedhojë e kontradiktave të ashpra midis dy sistemeve ka qenë dhe lindja e zgjidhja e konflikteve të ndryshme në gjirin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Për 50 vjet bota jetoi me frikën e luftës bërthamore. Morali i luftës u përligj me terma të tillë si: liri, demokraci, socializëm, revolucion permanent, utopizëm, etj. Kriza kubane e çoi botën buzë greminës së kasaphanes së përgjithshme. Në krye të dy kampeve qëndronin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik. Veçori e periudhës së kontradikatave midis tyre është fakti se ata për 50 vjet nuk u ndeshën asnjëherë ballë për ballë, por gjithmonë në periferi. Ishin vendet e vogla ato që u bënë fusha eksperimentimi dhe ndeshjesh midis tyre. Vietnami, Afganistani, Angola, Kili, Iraku, Palestina etj., janë disa nga fushëbetejat ku të mëdhenjtë provuan për 50 vjet forcën dhe armët e tyre. Përmbysja e socializmit dhe përpjekjet për krijimin e një tipi të ri marrëdhëniesh ngjallën dhe vazhdojnë akoma të ngjallin tek miliona njerëz dhe popuj shpresa të mëdha për krijimin e një bote të re pa konflikte, mosmarrëveshje, ku të sundojë harmonia dhe konsensusi i përgjithshëm. Këto shpresa kanë qenë dhe janë të mëdha veçanërisht tek popujt dhe shtetet e vegjël dhe të pazhvilluar.

– Dr.Bledar Komini –

Krahas kësaj, periudha e viteve 1990-2001 është ndeshur dhe me ngjarje e dukuri në marrëdhëniet ndërkombëtare, që janë shoqëruar me zhgënjime tek miliona njerëz. Ka qenë dhe është propaganda ajo që deri tani e ka minimizuar domethënien dhe thelbin e këtyre ngjarjeve. Esenca e kësaj propagande, këto ngjarje, i ka paraqitur si pasoja të Luftës së Ftohtë, si mbeturina të të menduarit komunist, si kalimtare etj. Sipas Walter Lippmanit propaganda, që ai e quante “një revolucion në artin e demokracisë”, do të shërbente për të prodhuar pëlqimin social mbi ato gjëra që më parë publiku nuk donte.1

Po ashtu edhe ngjarjet e fillimit të shekullit të XXI, e vendosën moralin ndërkombëtar përballë luftës për “përhapjen e demokracisë dhe lirisë” fillimisht në Afganistan dhe më pas në Irak. Shumë politologë e kanë quajtur këtë kohë edhe si një despotizëm të demokracisë.

I. Morali i shteteve përballë marrëdhënieve ndërkombëtare

Marrëdhëniet Ndërkombëtare gjithnjë janë parë si produkt i shteteve, organizatave ndërkombëtare, personaliteteve me influencë apo organizatave joqeveritare. 2

Kur flasim për moralin e marrëdhënieve ndërkombëtare i referohemi më shumë moralit të parimeve dhe rregullave të përcaktuar qartë pas Luftës së Dytë Botërore nga këto institucione, si dhe pas ngjarjeve të rëndësishme që kanë vendosur rrjedhën e historisë globale. Morali i marrëdhënieve ndërkombëtare në këtë kuptim është morali i shteteve, institucioneve ndërkombëtare, organizatave, politikanëve si dhe ngjarjeve të rëndësishme, të cilat së bashku gjatë këtyre dekadave i kanë dhënë formë rendit botëror. Pikërisht ky rend, është ai i cili shërben dhe si “manual” për marrëdhëniet ndërmjet këtyre aktorëve.

Për aq kohë sa bota ishte e ndarë në dy ideologji, këndvështrimet dhe objektivat e fuqive kryesore orientoheshin sipas parimeve ideologjike mbi të cilat funksiononin marrëdhëniet brenda kampeve por dhe jashtë tyre. Pas rënies së Bashkimit Sovietik, rendi botëror u orientua drejt dominimit të një fuqie të vetme, e cila në të njëjtën kohë i dha formë edhe “moralit” dhe rregullave sipas së cilave do të orientoheshin aktorët kryesorë të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Të paktë ishin ata aktorë që nuk iu bindën rendit të ri, përgjithësisht edhe ata që nuk u bindën, u detyruan të përshtaten me konceptet demokraci, kapitalizëm, ekonomi tregu, liberalizëm, pluralizëm etj. Shtetet që ngelën jashtë këtij rendi u quajtën “shtete mistrec” (Venezuela, Kuba, Koreja e Veriut, Irani, Kina, Iraku) të cilët Berry Buzan në një analizë të tij të botuar në “International Affairs” më 1991 i nxjerr jashtë skemës së tij ndërmjet Veriut dhe Perëndimit të fuqishëm dhe Jugut e Lindjes së dobët.3

Sipas H. Kissingerit krisja e hegjemonisë së rendit që përcakton dhe moralin ekzistues, do të ndodhë atëherë kur një nga këto shtete apo ndonjë fuqi e re botërore do të sfidojë fuqinë kryesore. Ndërsa sipas Z. Brzezinskit do të ndodh atëherë kur në arenën botërore do të shtrohet për diskutim çështja: Dominim global, apo udhëheqje globale?4

Sipas këndvështrimit të Michael Walzerit shtetet janë si individët, ata kanë të drejtat dhe detyrat e tyre, morali i shteteve qendron pikërisht në mënyrën sesi ata sillen në arenën ndërkombëtare.

Për ta kuptuar këtë, ai thekson se ekziston një komunitet ndërkombëtar i shteteve të pavarura, ku secili prej tyre ka integritetin, territorin dhe sovranitetin e tij politik. Çfarëdo kanosje apo përdorim i dhunës i një shteti ndaj një shteti tjetër do të përbënte një agresion kriminal dhe do të justifikonte rezistencën e plotë ndaj këtij sulmi dhe dënimin e agresorit. Rëndësia e paradigmës që përdor Walzeri qendron pikërisht në thjeshtësinë mbi të cilën ai justifikon moralin e ndalimit absolut të përdorimit të dhunës në marrëdhëniet ndërkombëtare.5

Po ashtu një tjetër dilemë ngrihet, ajo ka të bëjë me faktin se sa e moralshme apo e obligueshme është ndërhyrja e shteteve në çështjet e brendshme të shteteve të tjera, kur kemi të bëjmë me shkeljen ekstreme të të drejtave të njeriut. Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë parë të arsyeshme, legjitime dhe të moralshme ndërhyrjen në rastin e një krize humane apo në rastin e shkeljes së të drejtave të njeriut. Lista e akteve në të cilat shpeshherë kërkohet një ndërhyrje përfshin: skllavërimin apo nënshtrimin e popullsisë me dhunë, gjenocidin, masakrat, shpërnguljet masive etj. Lidhur me këtë, gjatë dekadës së fundit, Bashkimi Evropian e ka rritur rolin e tij në menaxhimin e krizave, si në nivel rajonal ashtu dhe në atë global. Me krijimin dhe zgjerimin e një ideje për sigurimin dhe mbrojtjen evropiane, BE ka përvetësuar dhe ngritur një grup instrumentesh dhe institucionesh në nivel operativ për menaxhimin e krizave. Duke filluar që nga viti 2003 (me EUPM6 në Bosnje-Hercegovinë), vit në të cilin u krijua edhe institucioni i Politikave të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Përbashkët (European Security and Defence Policy), BE është angazhuar në 25 konflikte, 17 prej të cilave kanë qenë civile dhe civile e ushtarake bashkë – prej tyre 12 ndërhyrje kanë qenë vetëm në vitin 2006. 7

Një pyetje e rëndësishme që shtrohet sa herë që ndeshemi me ndryshimin e rendit ekzistues është, nëse morali përcaktohet prej dominimit apo prej rrethanave. Filozofia klasike që është marrë me studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, pjesës së parë të kësaj pyetje i ka dhënë përgjigje me kohë. Sipas këndvështrimit liberal dhe konservator të marrëdhënieve ndërkombëtare, është fituesi apo fuqia dominuese që përcakton edhe rregullat e marrëdhënieve; kështu kanë bërë për shumë shekuj me radhë Perandoria Romake, ajo Bizantine, Osmane, Kineze, perandorët e fuqishëm si Karli i Madh, Luigji i XIV, Elisabeta I, Napoleoni etj. Në të njëjtën kohë këtë mendim ndanin edhe diktatorët si Stalini, Hitleri, Musolini, Pinocheti, Pol Poti etj.

Përsa i përket rrethanave, ato nuk janë diskutuar asnjëherë me vete, por janë parë gjithnjë të lidhura me dominimin dhe rendin botëror. Në fakt ngjarjet e dekadave të fundit si dhe ndryshimet globale po tregojnë se rrethanat po kthehen në faktorë më determinat se sa “përcaktimi i fuqisë” në marrëdhëniet ndërkombëtare. Luftërat e së ardhmes si duket do të jenë më shumë për burime, energji, demografi (shpërthime demografike). Ato do të ndikohen nga rënia e institucioneve ndërkombëtare, ndryshimet klimaterike si dhe rritja e ndikimeve fetare. Të gjitha këto do të jenë përcaktuese për shtetarët dhe politikëbërësit në një të ardhme të afërt.

Prandaj qasja ndaj këtyre fenomeneve ka ndryshuar edhe konceptin e marrëdhënieve dhe mendohet që do të ndryshoje edhe konceptin e një rendi tashmë të ri që po shfaqet. Teori të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare si ajo e kibernetikës, e kaosit, e burimeve përtej planetit tokë si dhe shoqërisë globale, po ndryshojnë fytyrën e këtij shekulli të ri në të cilin sapo jemi futur.

Një faktor i rëndësishëm që ndikon në moralin e marrëdhënieve ndërkombëtare sipas Jerome Slater dhe Terry Nardin është edhe ai që lidhet me “ndihmën ekonomike” që shtetet e pasura u japin vendeve në zhvillim apo siç njihen ndryshe, vendeve të Botës së Tretë (Morality and Foreign Aid). Përtej faktit se shtetet e pasura mundohen të ndihmojnë vendet e varfëra, në mënyrë që ato të mos bëhen edhe më të varfëra se ç’janë, përsëri ekziston një vijë e qartë ndarëse dhe krejtësisht e dallueshme, se limiti i ndihmës që shetet e pasura u japin këtyre vendeve është shumë i vogël dhe nuk i ndihmon ato aspak që të zhvillohen. Me pak fjalë mund të thuhet se ndihma ekonomike që i jepet këtyre vendeve vërtet është e nevojshme për t’i nxjerrë ato nga kriza, por duhet pasur shumë kujdes që të mos kalohet drejt varësisë dhe humbej së sovranitetit në këmbim të ndihmës.8

Sipas një raporti të bërë prej National Intelligence Council në bashkëpunim me Qeverinë e SHBA, i quajtur “Global Trends 2025: A Transformed World”, thuhet se: “Sistemi i vendosur nga Fuqitë e Mëdha pas Luftës së Dytë Botërore do të jetë pothuajse i papranueshëm aty nga viti 2025, si rezultat i fuqive të reja në rritje, ekonomisë globale, kalimit të mirëqënies dhe fuqisë nga Perëndimi në Lindje, si dhe nga rritja e ndikimit të aktorëve joshtetërorë. Deri në vitin 2025, sistemi ndërkombëtar do të kthehet në një sistem multipolar me hapësira që do të vijnë drejt ngushtimit, ndërmjet shteteve të zhvilluara dhe shteteve në zhvillim. Konkurrenca dhe balanca e fuqisë ndërmjet shteteve (si dhe duke pasur parasysh fuqinë relative të aktorëve jo shtetërorë si bizneset ndërkombëtare, tributë në disa rajone, organizatat fetare dhe rrjetin kriminal) do të vijë duke u rritur dhe duke ndryshuar kah. Lojtarët po ndryshojnë, gjithashtu edhe qëllimet e hapësirat e çështjeve ndërkombëtare që kanë rëndësi për prosperitetin global. Popullsia në plakje e një bote të zhvilluar, konsumi i energjisë, ushqimi, problemet e ujit të pijshëm, si dhe shqetësimet në lidhje me ndryshimet klimaterike, do të shkojnë gjithnjë drejt kufizimit dhe zhdukjes…”. 9

Ndryshimi i një sistemi apo rendi si dhe moralit që e përfaqëson atë në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk është vënë në rrezik vetëm prej luftërave të mëdha, por ai është vënë në dyshim edhe prej ideologjive të reja. Kështu Marksi në “Manifestin Komunist” nuk sulmoi vetëm kapitalizmin, por ai sulmoi edhe sistemin botëror të marrëdhënieve ndërkombëtare, imperializmin e skajshëm të shteteve evropiane ndaj kolonive të tyre si dhe skllavërinë ekonomike që ata aplikonin ndaj fiseve e tribuve në Afrikë, Azi, Oqeani dhe Amerikën Latine.

Të njëjtën gjë bënë edhe Hitleri e Musolini kur erdhën në pushtet, i vetmi ndryshim ndërmjet tyre dhe Marksit në aspektin ideologjik, ishte se ata nuk sulmuan sistemin kapitalist, por synuan të sillnin një rend të ri botëror me frymë kapitaliste. Historikisht lindja dhe ngritja e sistemeve multipolare në marrëdhëniet ndërkombëtare ka qenë më e paqëndrueshme sesa ajo e sistemeve unipolare. Pavarësisht këtij fakti, është e qartë se deri nga mesi i këtij shekulli ne nuk do të kemi një rrëzim të plotë sistemi, ashtu siç ndodhi në vitet 1914-1918 ose të pjesshëm si ai i viteve 1989-1990. Sidoqoftë tranzicioni do të jetë i mbushur me rreziqe, rivalitete në tregti, investime, shpikje teknologjike dhe armatime. Nëse do t’i referoheshim Francis Fukuyamas, dy janë sipas tij elementët më të rëndësishëm që e shtyjnë historinë njerëzore përpara: e para është ajo që ai e quan “logjika e shkencës moderne” (the logic of modern science), e cila e shpuri njerëzimin drejt përmbushjes së nevojave të tij dhe më pas dëshirave, në të njëjtën kohë i hapi edhe horizonte të reja; ndërsa e dyta është ajo që ai e quan “lufta për njohje” (the struggle for recognition), e cila ka shërbyer si një motorr i fuqishëm për ta lëvizur historinë njerëzore përpara.10

Samuel Huntington tek “Përplasja e Qytetërimeve” 11, mendon se rendi i ri botëror do të përcaktohet në një të ardhme prej qytetërimeve dominante, si në aspektin kulturor ashtu dhe në aspektin fetar, duke pasur si shtysë zhvillimin e tyre ekonomik dhe teknologjik. Edhe pse kjo teori mund të duket tërheqëse, problemet që lindin me të kuptuarin e saj, fillojnë që në momentin kur ne shohim shtete të tilla “hibride”, si Turqia, Brazili, India e Kina, të cilat prej vitesh kanë përvetësuar teknologjinë moderne, por kanë ruajtur shpirtin e tyre kulturor tradicional. Nga këtu mund të dalim në një përgjithësim, të cilin e shohim qartë edhe në Raportin e përmendur mësipër të National Intelligence Council, ku del se sfidat e së ardhmes nuk do të jenë ideologjike, por ato do të jenë të lidhura ngushtësisht me rrethanat, burimet, ekonominë dhe teknologjinë që shtetet do të zotërojnë. Sidoqoftë një sfidë e rëndësishme do të mbetet edhe ajo ndërmjet vendeve arabo-islame që po përjetojnë një rritje ekonomike dhe demografike dhe atyre Perëndimore të mbetura tashmë në një stanjacion ekonomik dhe demografik.

Morali i marrëdhënieve ndërkombëtare duket se do të hyjë në krizë së bashku me krizën e sistemit politik që do të shoqërojë botën në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Trendi global do të orientohet nga nevojat që do të ketë shoqëria dhe nga zgjidhjet që do t’i jepen problemeve që do të lindin.

II. Morali i fabulës së “Armikut brenda shtetit”12

Një ndër elementet më të rëndësishëm në një shoqëri demokratike është informimi i shoqërisë dhe roli i medias në procesin e krijimit të opinionit publik. Ky rol në ditët e sotme nuk mbetet thjesht një medium i kufizuar brenda një shteti por ai tashmë është kthyer në një medium global.

Roli i medias në politikën bashkëkohore na çon drejt një pyetje, se në çfarë bote dhe shoqërie do donim të jetonim në të ardhmen? Në një shoqëri ku ka liri informacioni, apo në atë shoqëri ku informacioni duhet kontrolluar, sipas nocionit “për të mirën e demokracisë”?! Noam Chomsky e ka përcaktuar edhe më qartë këtë dilemë në librin e tij “Media Control, The Spectacular Achivements of Propaganda”, ku sipas tij çështja shtrohet, nëse ne duam të jetojmë në një shoqëri të lirë apo në atë që mund të përcaktohet si “totalitarizëm i vetpërcaktuar nga shoqëria”.

N. Chomski si një analist i regjur me kritikat ndaj Bushit e më pas ndaj Obamës, nuk sheh asnjë ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme amerikane. Mbyllja e Guantanamos dhe largimi i trupave nga Iraku, sipas tij ishin një nevojë e domosdoshme. E para, sepse u diskretitua shumë dhe u kompromentua në lidhje me atë se çfarë bëhej brenda saj, ndërsa e dyta, sepse plani i ri i Obamës për ndryshimin rrënjësor të Sigurimeve Shëndetësore në SHBA, kërkonte fonde të mëdha. Tërheqja e trupave amerikane do t’i krijonte mundësi ekonomike administratës Obama të fokusohej edhe më shumë në politikat e brendshme në një situatë krize globale. Por asnjëra nga të dyja nuk erdhi si shkak i një politike të re, apo i një vizioni të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shumë amerikanë apo edhe evropianë, si dhe shumë qytetarë të tjerë në vendet arabe, prisnin që pas ekzekutimit të Bin Ladenit, lufta ndaj terrorizmit të merrte një kthesë tjetër, por asnjëra nuk ndodhi.

Njëherazi N. Chomski së bashku me gazetarin Chris Hedes (ish gazetar i New York Times) pak kohë më parë hapën një proces gjyqësor ndaj Presidentit amerikan dhe sekretarit të Mbrojtjes Leon Panetta, pikërisht për shkeljen e të drejtave të njeriut, të cilat po kanoseshin nga firmosja e Aktit për Autorizimin e Mbrotjes Kombëtare (NDAA – National Defense Authorization Act). Si rezultat i këtij Akti, lufta ndaj terrorizmit është kthyer në një “luftë brenda shtëpisë”, duke e kërkuar “armikun” brenda vendit dhe jo jashtë tij.13

Sipas N. Chomskit 14 dhe David L. Altheide, precedenti i shkeljes së të drejtave amerikane ka nisur që me Bushin, ndërkohë ajo për të cilën populli amerikan është dëshmitarë në ditët e sotme, nuk është gjë tjetër vetëm se një “Diktaturë ushtarake”, ndryshe nga ajo e një “Diktature policore” në kohën e Bushit; dhe e gjithë kjo nisi me Patriotic Act (Aktin Patriotik) të vitit 2001.15

Analistë të tjerë e kanë parë këtë gjë, njësoj si aktet e nxjerra nga Hitleri pas djegies së Rajshtagut më 27 shkurt të 1933. Menjëherë pas stisjes dhe realizimit të planit, Hitleri nëpërmjet një “akti të tillë patriotik”, filloi përndjekjen e armiqve të brendshëm komunistë, dhe jo vetëm komunistë.

Kjo gjë na shtron përpara një problem, atë të rrëzimit të vlerave kombëtare të një shteti lider në politikën globale, gjë e cila rrjedhimisht do të sillte të njëjtën qasje edhe në shumë shtete të tjerë. Sot nuk ka vend të flasim për një tirani apo hegjemoni të SHBA në marrëdhëniet ndërkombëtare, apo për një diktaturë të saj ushtarake si brenda vendit asht