Kosova me masa maksimale të sigurisë, pret nesër Mbretin e Jordanisë

Më 17 nëntor, nesër, Kosovën pritet ta vizitojë Mbreti i Jordanisë i shoqëruar nga një delegacion mbretëror.

Në njoftim, Policia e Kosovës thotë se për të ndërmarrë masat e nivelit të lartë të sigurisë do të bëjë mbylljen e përkohshme të sheshit dhe disa rrugëve.

“Referuar kësaj vizite dhe vlerësimeve të bëra në aspektin policor do ndërmerren masa të nivelit të lartë të sigurisë. Me qëllim që kjo vizitë të realizohet sipas planifikimeve operacionale policore, do të ketë edhe mbyllje të përkohshme të sheshit dhe të disa rrugëve. Andaj nesër me 17.11.2015, duke filluar nga ora 08:00deri 14:00, sheshi “Ibrahim Rugova” në Prishtinë do të jetë i mbyllur për qarkullim, si dhe do të ketë ndërprerje të përkohshme të disa akseve rrugore përgjatë kohës së kalimit të eskortës së mbretit të Jordanisë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia e Kosovës lidhur me këto ndërpreje të përkohshme, kërkon mirëkuptimin e plotë të të gjithë qytetarëve, ku me qëllim të shmangies së tollovive, sipas njoftimit, do të ketë zyrtarë policorë të mjaftueshëm të cilët do të angazhohen për të ri-orientuar trafikun.

Artikulli paraprakEdhe Hamasi nga Palestina i dënon sulmet terroriste në Paris
Artikulli vijues…varfëria e skajshme shkakton radikalizimin fetar?!