Kosova nuk siguron mbrojtjen e të dhënave personale

Sot shënohet Dita Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Privatësinë në gjithë Evropën , kurse Kosovën kjo ditë e gjen me një Agjenci Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të funksionuar, me mungesë të ekspertëve të kësaj sfere si dhe me mungesë të vetëdijesimit të qytetarëve për sa u përket të drejtave të tyre për mbrojtjen e të dhënave personale.
Gjatë vitit 2012, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka arritur të përmbushë objektivat e saj në infrastrukturën e legjislacionit sekondar, duke miratuar aktet nënligjore, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë përbëjnë mekanizmin ligjor për zbatimin e ligjit dhe vënies në funksion të aspekteve praktike në përmbushjen e detyrave që burojnë nga ligj, megjithatë si sfidë më serioze për Agjencinë ka qenë vazhdimi i mungesës së stafit dhe buxheti i mangët për realizimin e objektivave.

Po ashtu, kjo ditë e gjen qytetarin e Kosovës me pasiguri të plotë në mbrojtjen e të dhënave personale, shkruan “KosovaPress”.

Ndryshe, më 28 janar të vitit 1981 ishte hapur për nënshkrim Konventa për mbrojtjen e personave në raport me përpunimin automatik të të dhënave personale, e njohur si Konventa 108, ndërsa 25 vite më vonë, Këshilli i Evropës në vitin 2006 këtë datë e caktoi për ditë evropiane të mbrojtjes së të dhënave personale.

Qëllim themelor i ngjarjeve të cilat organizohen për shënimin e kësaj dite është ngritja e vetëdijes publike për mbrojtjen e të dhënave personale dhe informimi i qytetarëve për të drejtat e tyre në këtë drejtim dhe kontrollorëve për obligimet e tyre, me ç\’rast do të mundësohej realizimi i këtyre të drejtave dhe obligimeve në mënyrë më efikase. /Telegrafi/

Artikulli paraprakJa si fitohen tenderët
Artikulli vijuesKina: Juani duhet të marrë përmasa ndërkombëtare