Sot në 19 komuna të Kosovës do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.
1.353.613 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote, do të mund të votojnë nga ora 07:00 deri në ora 19:00, kur mbyllen qendrat e votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të gjitha përgatitjet që procesi i balotazhit në 19 komuna të zhvillohet në mënyrë të rregullt.
Numri i votueseve në 19 komunat që kanë të drejt vote është 1.353.613, të cilët janë të shpërndarë në 614 qendra të votimit me gjithsej 1.777 vendvotime.
KQZ ka angazhuar më shumë se 14 mijë komisionerë. Kurse, janë më shumë se 12 mijë vëzhgues të akredituar, të cilët do ta përcjellin nga afër procesin zgjedhor në 19 komuna, si dhe rivotimin në komunën e Parteshit, ku janë tri qendra të votimit me gjithsejtë shtatë vendvotime, në të cilat kanë të drejt vote 4.694 persona.
Partia Demokratike ka mbajtur sot konferencë për media në kuadër të balotazhit ku ky subjekt po garon në dhjetë komuna, në Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Vushtrri, Rahovec, Klinë, Kaçanik, Shtime, Dragash e Malishevë.
Deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka shprehur besimin e këtij subjekti se qytetarët anekënd vendit do t’i zgjedhin kryetarët kandidatët që përfaqësojnë dhe përqafojnë unitetin qytetar.
Ajo tha se, sipas informacioneve nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të qetë.
“Sipas informacioneve nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të qetë. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë që të dalin masivisht për t’iu përgjigjur obligimit qytetar, që t’i votojnë për kryetarë kandidatët më të mirë dhe unifikues, që përfaqësojnë dhe përqafojnë unitetin qytetar, nga Prizreni në Mitrovicë, nga Rahoveci e deri në Vushtrri, e anekënd vendit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se qytetarët në të gjitha komunat do të dinë t’i votojnë kandidatët më të mirë që do t’i udhëheqin komunat e tyre në katër vjetët e ardhshëm.
“Pra, gjashtë orë para mbylljes së vendvotimeve, ftojmë që qytetarët tanë të vazhdojnë të votojnë në numër sa më të madh, që të kontribuojnë për një të ardhme të ndritshme dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve të komunave të tyre”, ka thënë Deliu-Kodra para gazetarëve të mbledhur.
Voton Arban Abrashi, fton qytetarët të dalin në zgjedhje
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka votuar në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, të kryeqytetit.
Ai para mediave ka thënë se i fton qytetarët e Prishtinës, që ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese.
“Votimi nuk ka të bëjë vetëm me preferencën për një kandidat, por ka të bëjë edhe me pjesëmarrjen në qeverisje. Qytetarët do të votojnë se si do të duket qyteti në katër vitet e ardhshme”, ka shtuar Abrashi./Telegrafi/
Nisma: PDK po i bën presion kryetarit të KKZ-së në Banjë të Malishevës
Nisma për Kosovën, dega në Malishevë nëpërmjet një komunikate thotë se kryetari i Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ) ka presion nga PDK-ja, e që, sipas Nismës, ka për qëllim që të shkaktojë incidente në qendrën e votimit në fshatin Banjë të Malishevës.
Shtabi Zgjedhor i Nismës për Kosovën në Malishevë i bën thirrje kryetarit të KKZ-së, të mos i nënshtrohet presionit të askujt, pasi mban përgjejgësi për veprimet e tij. /Telegrafi/
Haskuka voton në Prizren
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka ka ushtruar sot të drejtën e votës.
Ai pas votimit ftoi qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e votës.
“Unë votova, shfrytëzova të drejtën për të gjykuar qeverisjen e kaluar dhe për të vendosur për katër vitet e ardhshme të Komunës”, tha ai.
Kastrati kryen obligimin qytetar, fton kamenicasit të votojnë
Kandidati për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ka ushtruar të drejtën e votës.
Ai pas votimit ftoi të gjithë qytetarët e Kamenicës të dalin sa më masovisht dhe të votojnë.
Kastrati tha se me daljen në votime, shpreson se do të bëhet më e mira për Kamenicën.
PDK fton organet kompetente për mbikëqyrje të procesit zgjedhor në Mitrovicë
Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë, përmes një kumtese, thotë se informatat nga terreni tregojnë se qytetarët e Mitrovicës po dalin në vendvotime në mënyrë të dinjitetshme.
“Që procesi zgjedhor të vazhdoj kështu, kërkojmë nga organet kompetente që ta përcjellin gjendjen me syqçeltësi, pasi që aktivistë të partisë sonë, vëzhgues e komisionerë kanë evidentuar lëvizje të dyshimta të aktivistëve të AKR-së, përfshirë familjarë të Agim Bahtirit, të cilët po bëjnë presion tek votuesit në qendra të ndryshme të votimit”, thuhet në kumtesën e PDK-së.
“Rasti më eklatant është ai i Zv. Ministrit Besnik Beka, i afërm i Agim Bahtirit, i cili është futur pa autorizim në qendrën e votimit në shkollën fillore “Migjeni” në Mitrovicë, edhe pse dihet që qendra e tij e votimit nuk është në këtë shkollë.
Sa për ilustrim të rasteve të dyshimta të presionit nga ana e aktivistëve të AKR-së, po ju sjellim disa shembuj të dokumentuar me foto:
Bajram Kosovali, i afërt me Agim Bahtirin, po hyn nëpër qendra të votimit pa autorizim.
Disa persona me automjetin e tipit Taureg, ngjyrë hiri, me targat 01-717-HN po frekuentojnë të gjitha qendrat e votimit dhe si duket po sjellin materiale nga selia e AKR-së, gjë për të cilën tani morëm informacion se Policia e Kosovës ka vizituar zyret e AKR-së.
Një veturë tjetër e tipit Golf, me ngjyrë të zezë dhe targa 646-KS-487 po frekuenton afër qendrave të votimit, si në Shipol, Trepçë, Gushavc e shumë qendra tjera.
Pastaj vetura e tipit Toyota jep, me targa 02-221-AU, që vozitet nga shoferi i Agim Bahtirit po qarkullon afër qendrave të votimit.
Gani Rama, Drejtor i Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, aktivist i AKR-së po frekuenton qendrat e votimit në Mitrovicë.
Jeton Ujkani, Drejtor dhe i afërm i Agim Bahtirit, me veturën e tipit Golf +, ngjyrë hiri, në vazhdimësi po i frekuenton qendrat e votimit”, thuhet në kumtesën e PDK-së. /Telegrafi/
Vetëvendosje bën thirrje për dalje masive në zgjedhje
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, në një konferencë për media ka vlerësuar pozitivisht procesin e deritanishëm zgjedhor, ndonëse shfaqi brengën për daljen e ulët të votuesve në balotazh.
“Dalja në këtë kohë është më e ulët se sa në rundin e parë dhe ftojmë qytetarët të dalin më masovisht për zgjedhje, pasi me votë duhet tregohet se cilin lloj të qeverisjes duan ta kenë”, ka thënë Sejdiu.
Ai tha se nga raportimet prej komisionarëve dhe vëzhguesve të Vetëvendosjes në balotazh nuk ka raportime për parregullsi dhe incidente të theksuara. /Telegrafi/
Gjini: Ditë e mirë për Gjakovën
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Gjakovës ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin në votime.
Ai pas votimit në qendrën e votimit në shkollën “Mustafa Bakija” në Gjakovë tha se sot është një ditë e mirë për Gjakovën.
Votoi Agim Aliu, kandidati i PDK-së për Ferizaj
Kandidati për kryetar të Ferizajt nga Partia Demokratike e Kosovës, Agim Aliu, ka shfrytëzuar të drejtën për të votuar.
Aliu ka votuar në Balaj, në shkollën “Pavarësia” së bashku me bashkëshorten e tij, njofton Klan Kosova.
Voton Agim Bahtiri
Kandidati për kryetar komune në Mitrovicë nga Aleanca Kosova e Re, Agim Bahtiri votoi në qendrën e votimit në shkollën fillore “Harun Beka” në fshatin Gushavc.
I shoqëruar me gruan dhe familjen e tij, ai në një prononcim për media bëri thirrje që të dalin të gjithë qytetarët dhe të kryejnë obligimin e tyre.
“Mesazhi im është që të gjithë qytetarët, i madh dhe i vogël prej 18-100 vjeç të dalin të votojnë. Njëkohësisht kisha me i ftu policinë dhe hetuesinë e Kosovës që ta kryejnë punën e vet në bazë të ligjit që kanë, por edhe ndërkombëtarët të gjithë ambasadorët që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në Mitrovicë sepse Mitrovica është në një situatë jo të lakmueshme nga aspekti i sigurisë”, tha ai
Votoi Agim Veliu: Ftoj qytetarët të dalin të votojnë
Të drejtën e tij për të votuar tashmë e ka ushtruar edhe Agim Veliu, kandidati për kryetar të Podujevës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Veliu i ka bërë thirrje qytetarëve të Komunës së Podujevës që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit.
“Unë dhe familja ime, sapo kryem obligimin qytetar, duke shfrytëzuar të drejtën për të votuar.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Podujevës, të dalin dhe të votojnë. Gjithashtu, i ftoj për një proces të rregullt dhe demokratik zgjedhor të gjitha palët e përfshira në këtë proces të rëndësishëm për Podujevën”, tha Veliu. /Telegrafi/
Veseli fton qytetarët të dalin në zgjedhje
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ftoi qytetarët që në mënyrë të qetë dhe masive të dalin të votojnë.
Veseli tha se këto zgjedhje janë për pushtet komunal prandaj do të dinë edhe të votojnë për ata që janë më të mirët.
“…T’i përgjigjen obligimit qytetar dhe të votojnë për ata që do t’i udhëheqin për katër vitet e ardhshme”, u shpreh Veseli.
KQZ: Deri në ora 11.00 kanë votuar 6.90 për qind e qytetarëve
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po mbahen sot në Kosovë, deri në orën 11:00 kanë votuar 6.90 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Kjo është bërë e ditur sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha në konferencën e dytë për media, se procesi zgjedhor në 19 komuna po zhvillohet normalisht.
“Në bazë të dhënave të dërguara në mënyrë elektronike nga 96 për qind e vendvotimeve të 19 komuna të republikës së Kosovës e po ashtu dhe të komunës së Parteshit, nga 1 milion 353 mijë e 307 votues sa janë gjithsej në 20 komuna të republikës së Kosovës, deri në orën 11 kanë votuar 89 mijë e 472 votues apo 6.90 për qind e votuesve. Në raundin e parë me 22 tetor në këto 19 komuna deri në të njëjtën kohë patën votuar 118 mijë e 949 votues, apo 8.78 për qind. Duke u mbështetur në informacionet e deritashme nga qendrat e votimit procesi zgjedhor është duke vijuar normalisht”, tha ai. /Telegrafi/
Ymeri bën thirrje për dalje masive në zgjedhje
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka bërë thirrje për dalje masive në zgjedhjet për balotazh në Prishtinë.
Ai tha se qytetarët do të jenë ata që do të vendosin për të ardhmen e tyre në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Prishtinës që sa më masovisht të dalin në zgjedhje, duke rëndësinë e pushtetit lokal. Qytetarët të bëhen bashkë që komuna e Prishtinës të vazhdojë të mirë qeveriset dhe të rritet si një qytet i qytetarëve, hapësira për ta do të jetë e domosdoshme për një jetë më të mirë”, ka thënë Ymeri.
Mustafa: Sot është një ditë e rëndësishme për të gjitha komunat
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka votuar sot në qendrën e votimit në shkollën fillore “Emin Duraku”, ndërsa pasi kreu obligimin qytetar ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote të vendosin për të ardhmen e tyre.
Mustafa tha se sot është një ditë e rëndësishme për të gjitha komunat.
“Ndaj bindjen se të gjithë qytetarët sot do të vendosin për kandidatët më të mirë në mënyrë që ata të qeverisin….”, tha Mustafa, duke uruar që zgjedhjet të shkojnë mirë.
Voton Kusari-Lila: Sot është një ditë e rëndësishme
Kandidatja për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka votuar sot në qendrën e votimit në shkollën “Yll Morina” në Gjakovë.
Kusari-Lila me këtë rast i ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin për të votuar sa më shumë pasi që ketë një proces “kredibil”, njofton Klan Kosova.
“Uroj qytetarët për një proces të përmbyllur me sukses”, tha ajo.
Votojnë kandidatët për kryetar të Vushtrrisë
Kandidatët për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe Xhafer Tahiri pas votimit kanë ftuar qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit.
Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë ftuar qytetarët ta kryejnë obligimin e tyre qytetar.
Ndryshe, në Vushtrri të drejtë vote kanë 71,978.
Voton Shaqir Totaj
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për postin e Kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka kryer obligimin e tij qytetar.
Ai ka hedhur votën e tij, në një nga qendrat e votimit në këtë qytet, ndërsa ka thënë se pret që dhe gjithë prizrenasit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, njofton Klan Kosova.
Voton Lutfi Haziri, fton qytetarët ta kryejnë obligimin qytetar
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, sapo ka votuar në shkollën fillore “Abaz Ajeti”.
Në mesazhin para gazetarëve, Haziri kërkuar nga qytetarët që të dalin në mënyrë masive dhe ta shprehin vullnetin me anë të votimit, duke ia dhënë kontratën udhëheqësit të Komunës.
Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka vizituar Komisionin Qendror Zgjedhor ku e ka përgëzuar KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe me standarde të larta.
Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka përgëzuar KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe me standarde të larta demokratike, duke thënë se SHBA mbështet Kosovën si shtet të pavarur dhe se ai vetë personalisht do të jetë mik i Kosovës.
Ai ka shprehur kënaqësinë e tij që ndodhet në Kosovën e pavarur, për të cilën tha se gëzon mbështetjen e madhe të SHBA-së në ndërtimin e përbashkët të demokracisë.
“Ishte koha kur njerëzit më thanë se pavarësia e Kosovës ndoshta nuk do të ndodhë dhe unë iu thashë se do të ndodhë me kohë, dhe një ditë të gjithë ne do të jemi në një Kosovë të lirë dhe të pavarur, Ja, ku jemi në Kosovën e lirë dhe të pavarur, dhe zgjedhje të lira demokratike dhe duke parë këtë se sa njerëzit kujdesen për demokracinë dhe jo më bën mua shumë special. Siç e dini SHBA është mbështetës i madh i Kosovës dhe unë do të bëj çdo gjë është në fuqinë time për të siguruar se të dyja vendet janë duke punuar së bashku dhe për të ndërtuar demokracinë së bashku”, ka thënë ai.
Ai ka përkujtuar se vota është një e drejtë e rëndësishme e demokracisë dhe përgjegjësisë, dhe është dëshmi se demokracia po vepron.
“Unë gjithmonë do të jem mik i Kosovës. Unë kam qenë këtu para shpalljes së pavarësisë, isha i lumtur të shohë pavarësinë dhe të shohë kombin duke u rritur në liri dhe demokraci. Është nder dhe kënaqësi për mua të jem në Kosovë dhe e di se do të keni zgjedhje të mira dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit të Kosovës”, ka thënë ai.
Engel tha se është me rëndësi që zgjedhjet të tregohen kredibile dhe të kalojnë në atmosferë të qetë dhe pa dhunë.
Ndryshe, kongresmeni amerikan gjatë ditës ka vizituar edhe Demokracinë në Veprim. /Telegrafi/