KOSOVA, RAPORT PËR 4 VJET PAVARËSI

Republika e Kosovës në fillim të shtatorit pritet t’u raportojë 91 shteteve që e kanë njohur pavarësinë me arritjet gjatë fazës së mbikëqyrjes dhe planifikimet për periudhën pas pavarësisë së plotë.

Shpjegime për arritjet dhe planifikimet do të ketë edhe në letrat drejtuar shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë, por atyre do t’u kërkohet që ta njohin deklaratën e 17 shkurtit të vitit 2008.

Strategjia, një draft të së cilës e ka siguruar gazeta “Koha Ditore” nga burimet diplomatike, parasheh veprime shtesë në drejtim të bindjes së pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të njohur pavarësinë.

Në Spanjë, Sllovaki, Rumani, Qipro dhe Greqi, Republika e Kosovës planifikon që të nisë një delegacion të gjerë ndërkombëtarësh, të cilët do të takohen me autoritetet e shteteve përkatëse për t’ua shpjeguar nevojën për të marrë vendimin që ta njohin pavarësinë, shkruan “Koha Ditore”.

Delegacioni pritet të përbëhet nga zyrtarë të lartë të tri shteteve liderë të BE-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë. Atyre do t’u prijë një personalitet me emër në politikën e jashtme evropiane.kohaislame

Artikulli paraprakArrestohen tre të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Artikulli vijues30 MIJË EURO RESTELICËS