Kosova vendi ku shantazhohen bizneset

Kosova vazhdon të mos jetë vend atraktiv për të bërë biznes. Afaristët përballen me shantazhe, gjyqësi të varfër e të vonuar dhe mungesë të frymës së partneritetit publiko-privat.
Kështu tregojnë të dhënat e hulumtimit të agjencisë REA të prezantuara në një konferencë nacionale, të enjten, me temën “Sektori privat dhe mundësitë për investime në kosovë’.

Sipas këtij studimi, për të cilin janë shfrytëzuar edhe intervistat e zhvilluara me bizneset, ekonomia informale vazhdon të konsiderohet pengesa kryesore; pastaj konkurrenca e pandershme; problemi i furnzimit me energji elektrike; ngarkesat fiskale; mungesa e investimeve në infrastrukturë për nevojat e biznesit; ngarkesat tjera administrative dhe ligjet e mos-zbatueshmeria e tyre. Është identifikuar se numri më i madh i problemeve ndërlidhet me importin.

Njëri ndër problemet më të theksuara nga bizneset është mbikëqyrja dhe funksionimi i tregut, përkatësisht, konkurrenca e pandershme, e cila ende ka përmasa të mëdha. Me këtë problem ballafaqohen të gjitha bizneset, pa marrë parasysh sektorin në të cilin ata veprojnë.

Të dhënat tregojnë gjendjen alarmante-pjesëmarrja e ekonomisë joformale në BPV është ndër më të lartat në rajon – 26.67 – 34.75 për qind.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova ngecë dukshëm në ofrimin e insentivave për bizneset prodhuese, që punësojnë shumë dhe janë të orientuara në eksport.  Nga ana tjetër, vendet e rajonit, si Serbia e Maqedonia ofrojnë lehtësira për investime, pushime fiskale, shfrytëzim të parcelave me tërë infrastrukturën.

Ibrahim Rexhepi, hulumtues nga Prishtina REA, ka treguar se ndonëse mund të ketë arritje në lehtësirat e të bërit biznes, por ato kryesisht kanë të bëjnë kryesisht me çështje procedurale e administrative.
“Ndërkaq, në ambientin dhe klimën e të zhvilluarit dhe për operimin e biznesit, problemet janë të theksuara. Kanë ashpërsi, shantazhe, gjyqësi të varfër e të vonuar dhe mungesë të frymës së partneritetit publiko-privat, e plot privatizime të dështuara”, tha Rexhepi.

Ai theksoj se gjatë periudhës 2010-2014 janë hapur 44,408 biznese të reja ndërsa janë shuar 6,804 biznese. Ambienti jo atraktive dhe jo aq i sigurtë ka ndikuar në rënien e investimeve të huaja, nga 384,6 milionë euro sa ishin në vitin 2011, në rreth 125,3 milionë euro në periudhën janar-shtator 2014.
“Niveli i investimeve është përkeqësuar edhe në sektorin privat, prandaj, rritja ekonomike kryesisht, vjen nga investimet në sektorin publik. Mirëpo, kjo strutkurë e investimeve nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, ka treguar Rexhepi.

Ahmet Jetullahu-Meti, drejtor i Prishtina REA theksoi se sektori privat në Kosovë vazhdon të konsolidohet tutje. Por, sipas tij, për fat të keq, institucionet qeveritare nuk arritën të tregojnë performancë kohezive dhe konsistencë ndaj sektorit privat, pa arritur të hartojnë strategji, dokumente a plane të implementueshme me tregues të matshëm dhe perspektiva .

“Për këtë arsye, ne, përmes këtij studimi, bazuar në të gjeturat dhe analizat tona, edhe ofrojmë, rekomandimet tona për qeverinë, pushtetin lokal, pra komunat, si dhe për sektorin privat, sikurse edhe propozimin për lehtësirat dhe incentivat fiskale, biznesore dhe ato për zonat ekonomike, me opcione dhe përshkallëzime adekuate, duke pas parasysh edhe ato regjionale dhe përparësitë e vendit tonë, dhe të sektorit privat, gjithnjë duke promovuar investimet e huaja dhe promovimin e sektorit privat dhe eksporteve”, tha Jetullahu.kohaislame
 
Artikulli paraprakIslanda tërhiqet nga kandidatura për në BE
Artikulli vijuesDrama 25 vjeçare e 912 kosovarëve