Kosovarët më shumë u besojnë institucioneve fetare se Qeverisë dhe gjykatave

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka lansuar sot hulumtimin nga edicioni special i Barometrit të Sigurisë (BKS), me titull “Pikëpamjet e qytetarëve ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë”.

Kosova është cilësuar si vend me një potencial të lartë të rekrutimit dhe përhapje të ideologjisë radikale, transmeton Koha.net. Këtë e vërtetojnë edhe profilet e pjesëmarrësve nga Kosova në luftën e Sirisë dhe Irakut të cilat ngërthejnë elemente dhe motive të ndryshme.

Megjithatë gjetjet e hulumtimit të QKSS tregojnë se 95 % e qytetarëve (nga 1070 respodentët e anketuar gjatë vitit 2015), e perceptojnë si të dëmshëm vendimin për pjesëmarrjen e individëve në konfliktet në Siri dhe Irak. 75 % e të anketuarve kanë perceptim se ka rrezik nga personat e kthyer nga konflikti në Siri dhe Irak. 55% e të anketuarve janë të mendimit se personat e kthyer duhet të rehabilitohen në shoqëri.

Gjetjet e hulumtimeve të QKSS, kanë treguar se ndër faktorët kyç për këtë kryesisht konsiderohen të jenë faktorët socio-politik e ekonomik, mes tjerash: sistemi i degraduar i arsimit, papunësia mes të rinjve (60 % në Kosovë), izolimi shoqërorë dhe individual, ekzistimi i vetë ideologjisë ekstremiste në qarqe të ndryshme si dhe socializimi dhe grupimi i të rinjve rreth këtyre qarqeve.

Mirëpo rol të rëndësishëm ka luajtur edhe mos efikasiteti i institucioneve shtetërore dhe i atyre fetare për të parandaluar përhapjen e ideologjisë ekstremiste në shtetin e Kosovës, problem ky që po ashtu e kanë vendet e tjera të rajonit dhe ato të Evropës.

Një ndër faktorët që nuk mund të lihet anash pa përmendur, e që ka ndikuar në joshjen e të rinjve, është fakti i izolimit të tyre në zonat rurale, cytja me ligjërime nga disa imamë të cilët tashmë janë në mesin e të arrestuarve për rekrutim dhe bashkëpunim me grupet ekstremiste.

Ky edicion special i Barometrit Kosovar të sigurisë së QKSS-së, ndërkaq shpalosë edhe nivelin e besueshmërisë së qytetarëve dhe kontaktit të tyre me institucionet fetare dhe perceptimet e tyre rreth kërcënimeve nga grupet ekstremiste si dhe rreziku nga personat të cilët janë kthyer nga konflikti i Lindjes së Mesme në Kosovë.

Trendët e përgjithshme tregojnë se të anketuarit ndajnë perceptime më pozitive ndaj institucioneve fetare krahasuar me ato shtetërore. Qytetarët që deklaruan se i besojnë punës së Qeverisë janë 14 për qind, punës së gjykatave rreth 22 për qind krahasuar me institucionet fetare ku besueshmëria ndaj tyre është 57 për qind.

Rreth 76 për qind e qytetarëve i shohin si shumë rrezik organizatat terroriste të tipit ISIS dhe Al-Nusra, kurse pjesa tjetër, apo 8 për qind i shohin si rrezik mesatar këto organizata.

Rreth 55 për qind deklaruan se qytetarët e Kosovës të kthyer nga lufta e Sirisë dhe Irakut duhet t’i nënshtrohen programeve strikte të ri-integrimit, rehabilitimit, dhe deradikalizmit. Pjesa tjetër, apo 22 për qind, e qytetarëve të anketuar mendojnë se ata duhet të arrestohen qysh në momentin e kthimit të tyre në Kosovë, ndërsa 15 për qind mendojnë se ata duhet t’u ndalohet kthimi në Kosovë. Së fundi, rreth 57 për qind e qytetarëve të anketuar deklaruan së Qeveria e Kosovës dështoi në luftimin e ekstremizmit te dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë, ndërsa në anën tjetër rreth 35 për qind e të anketuarve e shohin si deri diku të suksesshme punën e Qeverisë në drejtim të luftimit dhe parandalimit të ekstremizmit te dhunshëm në Kosovë.
Ndryshe, Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS) është program i veçantë i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i hartuar për të shërbyer si publikim vjetor. Përveç gjetjeve të përgjithshme, programi nxjerrë edicione speciale në fusha të përcaktuara paraprakisht. Fokusi kryesor i BKS-së është matja e perceptimeve të opinionit publik për institucionet dhe politik-bërjen në fushën e sigurisë. Gjithashtu, ai matë perceptimin publik për kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë në Kosovë. BKS-ja është një nga nismat më të mëdha, madje ndër të parat, që janë hartuar, zbatuar dhe komunikuar nga një institut vendor kërkimor. BKS-ja është unike në qasjen e saj metodologjike, siç është përshtatja e metodave kuantitative dhe kualitative me qëllim të ofrimit të rezultateve reale për perceptimin publik sa i përket çështjeve të lidhura me sigurinë.

Anketat e Barometrit Kosovar të Sigurisë për këtë edicion janë realizuar në tetor të vitit 2015 nga një ekip prej 30 hulumtuesish përfshirë mbikëqyrësit si dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Mundësi të barabartë për intervistim kanë pasur gratë, burrat, të rinjtë dhe të moshuarit, banorët e zonave urbane dhe rurale, si dhe të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Artikulli paraprakShkupi: qyteti që shndërrohet në “Mekën” e Ballkanit kur vjen Ramazani
Artikulli vijuesArrestohet kryebashkiaku i Kavajës, falsifikoi dokumentet