Numri i kosovarëve që i janë bashkuar grupit “ISIS” është mbi treqind. Kështu të paktën ka deklaruar para disa muajve ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni. Ai është deklaruar se Kosova është vend i origjinës për një numër relativisht të madh të pjesëmarrësve në ISIS. Sipas tij, janë identifikuar rreth 300 kosovarë si pjesëmarrës në luftëra të huaja dhe për një shtet të vogël ky numër është i madh.
Por ndryshe deklaroi dje kryeministri i Republikës, Isa Mustafa.
Ai tha se numri i kosovarëve që po luftojnë në Siri dhe Irak ka rënë në më pak se 70. Këto komente i pari i Qeverisë i ka bërë gjatë konferencës së tretë ndërkombëtare “Gërmia Hill” që po mbahet në Prishtinë, në të cilën për dy ditë rresht do të diskutohet për migrimin, luftën ndaj terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe konflikti në Ukrainë dhe Siri.
“Ne kemi arritur që nga 13 mijë azilkërkues nga Kosova që kanë kërkuar azil përmes Hungarisë në shkurt të vitit të kaluar, numri në dhjetor të vitit që shkoi ka qenë 5 persona”, ka thënë Mustafa. Shefi i Qeverisë, duke folur për luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit, tha se sipas shërbimeve shtetërore, numri i kosovarëve në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënë nga rreth 300 sa do të kenë qarkulluar andej e këndej gjatë viteve të fundit, në më pak se 70 vetë, që mund të gjenden tani atje