Një aksident me pasoja fatale për dy fëmijë, që ka ndodhur në Dresden, të Gjermanisë, po rezulton të jetë bërë me qëllim. Për të qenë edhe më keq, autori i aksidentit – vrasje të dyfishtë, është babai i dy fëmijëve.
Bëhet fjalë për një shqiptar 46 vjeç nga Kosova, i cili duke mos dashur të pajtohet me ndarjen e gruas i kishte vozitur ata qëllimshëm drejt vdekjes, shkruan bild.de ndërsa mediet tjera gjermane theksojnë se ai në këtë mënyrë donte të vriste edhe veten.
Ai e ka ngarë makinën e tij BMW me shpejtësi të madhe drejt dy drurëve, me ç`rast dy fëmijët e tij, vajza 4 vjeçe dhe djali 5 vjeç, kanë vdekur në vendin e ngjarjes. Vetë ai, si shkaktar i aksidentit të tmerrshëm, ka pësuar lëndime të rënda, transmeton albinfo.ch mediet gjermane. Por tash ai do të përgjigjet para gjyqit për vrasje të rëndë, të dyfishtë.
Kosovari kishte të drejtë t`i merrte fëmijët gjatë vikendeve nga gruaja, me të cilën zyrtarisht ende nuk ishte shkurorëzuar. Dhe ditën fatale ai i kishte marrë ata, duke i çuar drejt vdekjes! Të dielën në autostradën B6 afër Fischbach-ut ai me veturën e tij BMW X5 kishte kryer krimin e tmerrshëm.