Jeta politike duket se ka marr vëmendje aq të madhe dhe shoqëria ka harruar se pak metra larg institucioneve, ka njerëz që vdesin urie, përtojnë dhunë sistematike, ballafaqohen me sëmundje të renda e çka jo tjetër.
Një foshnje e pajetë është gjetur dje në deponinë regjionale të mbeturinave në fshatin Koshtovë. Lidhur me këtë rast, janë arrestuar nënë e bijë, të cilat dyshohen se në bashkëveprim e kanë privuar nga jeta foshnjën e porsalindur nga e dyshuara e parë SH.H, e më pas trupin e pajetë të foshnjës e kanë hedhur në një kontejner mbeturinash në Vushtrri, nga ku trupi i viktimës ishte bartur me mbeturina në deponi.
Ironike.. një foshnje e vdekur, është bartur me kamion mbeturinash nga Vushtrria në Mitrovicë, deri në momentin kur është gjetur nga punëtorët..
Ditë më parë, nga bashkëshorti i saj, u vra mizorisht me thikë zonja Zjenepe Bytyqi. Vrasjen e kreu, hiq më pak se bashkëshorti i saj. Historia me epilog vrasjen, kishte filluar qysh kur Zejnepja ishte martuar, pasi i ashtuquajturi, “dajak”, nuk i ishte ndarë kurrë.
Në Terpezë të Vitisë, vëllai vrau motrën e tij! Ndonëse organet e rendit e kanë quajtur si vrasje aksidentale, vet prania e armës në shtëpi, nuk tregon shenja të një familjeje të qetë.
Qëndresa, e cila u privua nga jeta, nga i vëllai, i kishte vetëm 14 vjeç, derisa ky fakt nuk e kishte penguar as atë, as familjen e saj që të martohej.
Në fakt, martesat e hershme, janë bërë të aq të shpeshta, saqë hidhet poshtë raporti i publikuar ditë më parë, se në Kosovë vajzat e pamartuara deri në moshën 25 vjeçare, gati qind për qind janë të virgjëra. Këto statistika nuk flasin thuajse asgjë për jetën e shumë vajzave të cilat në moshën e mitur lidhin martesa, lindin fëmijë dhe krijojnë familje dhe shumë prej tyre, përjetojnë dhunë sistematike nga bashkëshortët e tyre.
E gjithë kjo tragjedi që po i ndodhë grave dhe shoqërisë në përgjithësi, për emërues të përbashkët ka edukatën seksuale, e cila mungon dhe vazhdon të mbetet prej temave që konsiderohen të paprekshme e fatkeqësisht edhe të turpshme..
E derisa kjo temë vazhdon të mbetet tabu, në Kosovë do të vazhdojmë të kemi, foshnje e gra të privuara nga jeta, dhunë familjare herë në mëngjes e herë në mbrëmje, e çka jo tjetër..