Krasniqi: S’jap kurrë dorëheqje

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje. Ai do të vazhdojë të qëndrojë në pozitën që ka dhe as nuk e ka në plan që të formojë ndonjë parti tjetër.

Kështu ka thënë ai për gazetën “Zëri”, i cili mes tjerash foli për përkrahësit e tij brenda partisë dhe frikën e të tjerëve për t’i dalë publikisht në krah.

“Unë e di se ka individë brenda partisë që e presin dorëheqjen time, por nuk e kam ndërmend ta bëj”, ka thënë Krasniqi. Ai përsëriti se do të qëndrojë ku është dhe se do të kundërshtojë haptazi ata që po ngufasin demokracinë brenda PDK-së. “Nuk kam asnjë interes personal, jam për respektimin e ligjit dhe kundër keqpërdorimeve”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se ka një numër të konsiderueshëm të përkrahësve brenda strukturave të PDK-së, por të cilët nga frika nuk po dalin publikisht të flasin.

”Edhe ditën kur deputetët e PDK-së e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, ka pasur prej atyre që pajtohen me mendimin tim, por kanë frikë se e humbin një pagë dhe për atë nuk dalin publikisht”, ka thënë për gazetën Krasniqi.

Ai tha se është i bindur se frika dalëngadalë do t’iu hiqet atyre që janë lodhur brenda partisë dhe se janë duke e parë se çfarë po ndodh brenda saj.

Ai paralajmëroi se nëse nuk e ka përkrahjen brenda strukturave të partisë do t’i drejtohet anëtarësisë dhe votuesve. “Partia është degraduar dhe duhet shpëtuar, unë do t’i drejtohem anëtarësisë dhe votuesve nëse nuk do të kem mbështetje nga strukturat e saj”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur pse ka pritur kaq gjatë që të dalë haptazi kundër keqpërdorimeve, vjedhjeve të votave e të gjitha atyre që ka përmendur këto ditë, Krasniqi tha se edhe më herët ka folur publikisht për këto gjëra.

”Unë kam thënë edhe pak para zgjedhjeve të vitit 2010 edhe para atyre të vitit 2007 kam paralajmëruar për vjedhjen e votave, nuk është hera e parë që unë flas për këto gjëra haptazi”, ka thënë Krasniqi.

Sa u përket akuzave për personat e përfshirë në krim të organizuar, i cili këto ditë foli edhe për privatizimin dhe keqpërdorime të shumta mirëpo pa dhënë ndonjë emër, Krasniqi tha se hetuesia duhet marrë me këtë punë.

“Drejtësia është ajo që duhet të merret më emrat”, tha kreu i Parlamentit të Kosovës, i cili mes tjerash shtoi se nuk e ka në plan të dalë me ndonjë parti tjetër. “As që më ka shkuar ndërmend të dal me ndonjë parti tjetër apo të formoj parti timen” , ka thënë Krasniqi.

Ai bëri me dije se PDK-ja sot është parti e degraduar nga disa zyrtarë brenda saj dhe se ai nuk e ka ndërmend të heshtë. “Nuk e kam ndërmend t’i nënshtrohem padrejtësisë”, ka thënë Krasniqi.

I pyetur për reagimet nga bashkësia ndërkombëtare, Krasniqi tha ”Nuk kam marrë asnjë reagim deri me tash”.

Këto ditë, Krasniqi ka folur ashpër për krim të organizuar, vjedhje të votave dhe institucionet joligjitme. Ai ka kërkuar që të mos privatizohet PTK-ja duke thënë se ata që merren me privatizimin kanë dalë nga votat e vjedhura.

Krasniqi ka folur ashpër për zyrtarët e lartë të PDK-së, përfshirjen e tyre në pazarllëqe, mirëpo duke mos dhënë emra konkretë.

Krasniqi gjatë seancave parlamentar ka qenë i ashpër me deputetët e PDK-së ndërkohë që kreut të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, ia ka bërë me dije se nuk merr urdhra nga ai, duke ia treguar derën.kohaislame

Artikulli paraprakMbledhje ndërkombtare për Muslimanët e Birmanisë në Katar
Artikulli vijuesU hap xhamia më e madhe në hemisferën jugore