Kreu i ri i KMSH i katapultuar, shkelet statuti

0
209

TIRANE – Zgjedhja e kreut të ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Burçaj, ka sjellë reagime të imamëve të Tiranës. Sipas tyre, zgjedhja e tij në mënyrë kaq emergjente është jo vetëm e paprecedentë, por është shkelur edhe statuti i këtij institucioni, pasi përcakton se kryetari duhet të ketë 10 vjet shërbim në strukturat e KMSH-së.
Neki Kaloshi
Imami i Xhamisë së Laprakës, Neki Kaloshi është shprehur për “GSH” se: “Kjo është krizë institucionale e KMSH-së, ku zgjidhet kryetar personi me më pak përvojë, i cili ka vetëm 6 muaj si nënkryetar i KMSH-së. Ai mund të jetë personi më i aftë dhe më i drejtë, por statuti e sanksionon se duhet të ketë 10 vjet në KMSH. Ai që është shqetësues është sistemi i hierarkisë. Si është e mundur që përzgjidhet kryetari i ri, personi më me pak përvojë në këtë komunitet, që do të ketë në dorë fatet e komunitetit më të madh në vend, dhe anashkalohen figura të tjera, si dy nënkryetarët Spahiu dhe Aga?! Si ka mundësi që Gazmend Aga, me tri vite si nënkryetar, dhe Bujar Spahiu me mbi 5 vite, janë konsideruar të papërshtatshëm?! Kjo përzgjedhje është bërë në mënyrë rrufe, vetëm brenda katër ditësh, dhe shumë anëtarë janë informuar në momentin e fundit. Ky nxitim për përzgjedhjen e kreut të KMSH-së, i cili është institucion i një rëndësie të veçantë, tregon se ka gjëra që çalojnë. Ajo që të lë për të dëshiruar është se përbërja e këshillit të përgjithshëm me 101 anëtarë, ia ka lënë në duar fatet e myslimanëve një personi që ka kontribute shumë më pak se të gjithë ata. Pavarësisht kësaj anomalie institucionale që prodhon skema dhe skenarë të tillë, i urojmë kryetarit suksese në detyrën e re, dhe shpresojmë që ky të jetë fundi i anormaliteteve, që nuk respektohen rregullat e statutit dhe rregullores së brendshme”.

ROALD HYSA
Një zë kundër mënyrës së përzgjedhjes së kreu të ri të KMSH-së është edhe Roald Hysa, anëtar i këshillit të Xhamisë së Kokonozëve. Hysa është shprehur për Gazetën se, ndër tetë krerët që ka pasur KMSH-ja, ky është më i papërshtatshmi, pasi nuk ka njohuri për fenë dhe nuk plotëson kriterin kryesor të statutit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, se, kryetari duhet të ketë 10 vite në strukturat e KMSH-së. “Nuk janë procedura normale. Ka mbaruar Sociologji, mund të jetë njeri me përgatitje të mirë, por nuk ka njohuritë e duhura për fenë. Ky është kryetari më i papërshtatshëm, të paktën ish-kryetari Muça kishte bërë Medresenë. Ky është shembulli i një personi që katapultohet dhe brenda tre muajsh vihet në krye të institucionit më të rëndësishëm të fesë islame në Shqipëri. I bie që kanë ndërruar edhe statutin, pasi statuti i vjetër përcakton qartë se personi që zgjidhet si kryetar i KMSH-së duhet të ketë 10 vite shërbim në strukturë dhe të jetë mbi 40 vjeç. Ne nuk e njohim fare se kush është ky person, nuk e kemi parë të falet në xhami, nuk ka as shkallën e parë të karrierës në xhami, si ka mundësi që ka marrë 88 vota?! Ky është administrator i birësuar i grupimit që ka marrë prej kohësh drejtimin e KMSH-së. Zor se do ketë aftësinë për të marrë vendime të pavarura; jo se Selim Muça i ka pasur, por ky është një person të cilit i mungon edhe begraundi. E gjitha kjo skenë ka nisur që para tre muajsh, kur u bë dhe ristrukturimi i KMSH-së, ku nga dy nënkryetarë u bënë katër, u shtuan këshillat; ishte një skemë e programuar”.