Kriminaliteti dhe ndikimi i hënës së plotë.

shkruan: Mr.sci. Saad R.GASHI, Mitrovicë

Qysh nga kohërat e lashta është i njohur fakti se hëna ka ndikim në njeriun. Kështu që, me kalimin e kohës, janë krijuar kulte në bazë të të cilave më vonë janë shkruar tregime, e disa prej tyre janë realizuar në projekte filmike, me tema të ndryshme horrori. Në këta filma, të pashmangshme kanë qenë skena me pamje të hënës së plotë. Në këtë fazë të hënës së plotë, zakonisht shfaqeshin skena me vrasës, dhunues dhe kriminel të ndryshëm. Të gjithë këta, vërehej se ishin të ndikuar nga fuqia e hënës.
Sipas burimeve të Nasa-së, distanca në mes të Hënës dhe Tokës lëvizë prej 356,410 km e gjer më 406,697 km. Distanca mesatare është 384,400 km. Diametri I hënës është 3,476 km, kurse diametri I Tokës është 12,756 km. Perimetri I hënës është 10,927 km, kurse perimetri I Tokës është 40,075 km.
Shkencëtarisht është e ditur se hëna ndikon në baticën dhe zbaticën e oqeaneve, detërave, në botën shtazore, bimore e gjithsesi ky ndikim manifestohet edhe tek njerëzit.
Kështu, ndikimi I hënës ka rëndësi të madhe në jetën e përditshme. P.sh. në mjekësi është I njohur fakti se gjakderdhjet (hemorragjitë) gjatë hënës së plotë janë më të mëdha, kështu që kirurgët gjatë përgatitjeve për operacion kësaj dukurie I kushtojnë kujdes të posaçëm.
Dr. Edson J. Andrews nga Asociacioni I Mjekësisë në Florida kishte bërë një hulumtim në 1.000 persona që ishin operuar nga bajamet dhe kishte konstatuar se 82% të tyre kishin pasur gjakderdhje më të madhe pas operacionit në fazën e hënës së plotë. Sipas këtij mjeku, kjo fazë është e rrezikshme për kirurgjinë dhe këto të dhëna duhet të shpërndahen dhe të shërbejnë si bazë për planifikimin e operimeve.
Gjithashtu edhe gjakderdhja gjatë ciklit menstrual në këtë fazë është më e madhe.
Hëna e plotë në mes tjerash, ndikon e dhe në pagjumësi. Somnambulët (njerëzit që hëna ka ndikim në ta, që zgjohen gjatë gjumit dhe kryejnë veprime të ndryshme pa vetëdije) janë një dukuri e njohur, që të gjithë ose I kemi parë ose kemi dëgjuar për ta nga rrethi I ngushtë ose I gjerë.
Ndikimi I hënës vërehet edhe në disponimin e përgjithshëm të njerëzve. Me siguri se e keni vërejtur se në këtë kohë në mbrëmje jeni më të shqetësuar se zakonisht, kështu që iu pengojnë disa imtësi që zakonisht nuk I keni vërejtur.
Duke u nisur nga kjo, shumë shkencëtarë botërorë e kanë studiuar këtë fenomen dhe kanë ardhur në përfundim se hëna e plotë pashmangshëm ndikon në sjelljet e njerëzve. Natyrisht se ka pasur edhe shkencëtarë të tillë që nuk e pranojnë këtë teori, mirëpo shkencëtarët që e përfaqësojnë këtë teori, mendimin e tyre e mbështesin dhe e ilustrojnë me shumë fakte dhe statistika.
Dr. Arnold Lieber pas një studimi 15vjeçar të ndikimit të hënës së plotë në njerëzit ka ardhur në përfundim se:
Gjatë hënës së plotë numri I vrasjeve është më I madh,
Lëndimet e trupit janë shumë të shpeshta,
Aksidentet rrugore në këtë kohë janë shumë të theksuara,
Vetëvrasjet më së shumti ndodhin në këtë fazë.

Ky shkencëtar, si mjek në Klinikën Psikiatrike në Miami kishte konstatuar korrelacionin në mes të hënës së plotë dhe pacientëve në këtë spital. Në këtë korrelacion ishte bindur edhe I tërë personeli mjekësor në këtë spital. Prandaj që prej atëherë ky fenomen e kishte inspiruar këtë shkencëtar që të merrej edhe më tutje me këtë çështje. Rezultatet e hulumtimit kishin qenë mahnitëse. Numri më I madh I vrasjeve ishte kryer pikërisht gjatë hënës së plotë.
Pse ndikon hëna në njeriun? Kur hëna të arrijë pozitën më të lartë në relacion me planetin e tokës, ajo shkakton baticën dhe anasjelltas kur hëna është më së afërmi planetit tonë shkaktohet zbatica. Meqenëse njeriu, si edhe toka përbëhet prej 75- 80% nga materia e lëngtë dhe 20-25% nga materia e ngurtë, kur hëna është e plotë në njeriun shkaktohet një “Aksion koncentrik”. Në këtë fazë pasojat që njeriu i përjeton janë: ngushtimi I indeve, edemet (të ënjturit), eksitimet nervore, etj. Të gjitha këto ndryshime që përjeton njeriu manifestohen në oreks, gjumë, disponim, sjellje, aktivitete trupore, seksuale, etj. Në këtë fazë është vetëvrarë (ose vrarë, pl. i autorit) aktorja e famshme, Merilyn Monro, pastaj është vrarë John Lenon, legjenda e grupit “Beatles”, dhe shumë njerëz të famshëm nga bota e filmit dhe muzikës.
Dr. Lieber së bashku me kolegët e tij, nga Universiteti I Miamit pra, kishin bërë një hulumtim 15 vjeçar. Duke krahasuar numrin e vrasjeve në këtë periudhë, që kishte qenë gjithsej 1887, këta shkencëtarë ishin befasuar më shumë se që kishin pritur, me numrin e madh të vrasjeve që kishin ndodhur gjatë hënës së plotë. Sipas këtij hulumtimi, sa më shumë që afrohej hëna e plotë dukshëm rritej edhe numri I vrasjeve. Duke dëshiruar të binden për një dukuri të tillë, hulumtuesit bën një studim të njëjtë edhe në Ohajo të Clevelendit. Statistikat gjithashtu treguan se numri vrasjeve është dukshëm më I madh gjatë hënës së plotë se sa në faza të tjera të hënës. Dr. Lieber dhe kolegët e tij nuk ishin të befasuar edhe aq shumë me këto rezultate. Një raport I mëhershëm I Institutit Amerikan I mjekësisë klimatologjike pranë Departamentit Policor të Filadelfisë, I titulluar “Efektet e hënës së plotë në sjelljet e njerëzve”, kishte zbuluar gjithashtu rezultate të njëjta. Sipas këtij raporti shenja e hënës së plotë në fazën e saj kulminante rezulton me orientime të ndryshme kriminale siç janë: vrasjet, piromanitë, vozitjet e rrezikshme dhe kleptomanitë. Sipas këtij raporti, po ashtu disa njerëz duken pak a shumë më të gjindosur (krisur) gjatë kësaj faze të hënës së plotë.
Kohët e fundit, regjioni I Sussexit në Anglinë Jug-lindore kishte shtuar numrin e policëve që patrullojnë në rrugë gjatë këtij cikli lunar, pasi që oficerët e tyre kishin konstatuar lidhjen në mes të hënës së plotë dhe krimeve të dhunës.
Hëna e plotë dhe ditët e pagave të rrogës ishin identifikuar si faktorë të rritjes së krimeve të dhunës në mesin e vizitorëve të kafeneve dhe klubeve të natës.
Me dt. 06.06.2007. zëdhënësja e policisë së Sussexit kishte deklaruar: “Hulumtimet e bëra nga ana jonë tregojnë qartë se ekziston një lidhje e fortë në mes të hënës së plotë dhe krimeve të dhunës”, duke shtuar se, në të ardhmen shumë oficer do të patrullojnë nëpër rrugë, në këtë fazë të hënës. Duke u bazuar në këtë, Andy Parr I kishte deklaruar Brighton Argus: “Meqenëse grafikoni I krimeve të dhunës është më I madh në këtë fazë të hënës se sa në jashtë kësaj faze, do të dëshiroja që me këtë dukuri të merreshin shkencëtarët e niveleve më të larta. Kjo do të ishte në interesin e përgjithshëm”.
Gjithashtu edhe prof. Michael Zimecky, nga Akademia Shkencore e Polonisë, duke studiuar qindra raste, ka argumentuar se hëna e plotë, bën ndikim në aktivitete kriminale si dhe në shëndetin e njeriut.
Ndërkaq, hulumtuesi japonez Asaka Fukada, mendon se hëna e plotë ndikon sidomos te piromanët.
Në hulumtimet psikologjike 3 mujore, të bëra në mesin e 1200 të burgosurve, në burgun Armley në qytetin Leeds, në vitin 1998, ishte zbuluar një rritje e krimeve të dhunës në këtë fazë të hënës së plotë. Por, gjatë fazave të tjera të hënës, është shënuar numër më I vogël I incidenteve, kurse gjatë disa ditëve tjera nuk është shënuar asnjë incident.
Fransua Leroj, ishte një Parisien pesëdhjetëvjeçar me pamjen e një djaloshi, që miqtë dhe të gjithë të tjerët e njihnin si shumë të sjellshëm dhe të butë, me një fjalë e admironin të gjithë. Mirëpo, për fat të keq, më vonë pasi që I tërë Parisi vuante nga një neurozë kolektive, u kuptua se ky njeri I adhuruar nga të tjerët ishte një vrasës maniak sadist-mazohist, që kishte kryer shtatëmbëdhjetë krime seksuale-sadiste, ndërsa dyshohej edhe për nëntë krime tjera. Ky kriminel nuk zgjidhte viktima dhe vriste vajza prej moshës 18 vjeçare e gjer te ato 73 vjeçare. Vetëm 3 nga viktimat e tij nuk I vrau dhe pikërisht ato ndihmuan në hetimet e policisë që të zbulohet ky vrasës serik.
Ekspertët mjekësorë të cilët e kishin kontrolluar të akuzuarin dhe që e ndoqën gjendjen e tij, mundoheshin që në mënyrë objektive t’i tregonin gjyqit ndikimin misterioz të hënës në sjelljet kriminale të akuzuarit. Testet e ndryshme treguan se Leroj sillej në mënyrë të veçantë kur hëna ishte e plotë. Në këtë kohë, te ai rritej sasia e hormoneve deri në atë shkallë sa që në gjak kishte sasi të jashtëzakonshme të adrenalinës. “Niveli I hormoneve të tij arrinte në nivele të cilat mund të jenë të barabarta me ato të dhjetë njerëzve njëkohësisht. Përveç kësaj, edhe muskujt I ndryshojnë, ato tkurren dhe forcohen, dukuri që në mjekësi janë vërejtur vetëm në disa sëmundje”, ishte shprehur para gjykatësit psikiatri, prof. Ogist Sharije. Sipas këtij psikiatri, shkenca edhe në shkallën e sotme të zhvillimit ende nuk mund ta shpjegojë ndikimin e hënës në njeriun, apo siç quhen në Francë këta njerëz, “Homme de Lune”!
Gjithashtu edhe në Serbi, këtë vit kishte ndodhur një tragjedi e paparë në fshatin Jabukovci, afër Negotinit. Vrasësi Nikolla Radosavljeviq (39), siç shkruanin gazetat në “gjendje të tërbuar”, në mbrëmjen e 27.07.2007. (Pl. i autorit, në fazën e hënës së plotë) kishte vrarë nëntë vendas të tij, dhe kishte plagosur disa të tjerë me pushkë gjuetie. Sipas fjalëve të bashkëshortes së vrasësit Jellena, e cila ishte e plagosur me këtë rast: “Nikolla më kishte sulmuar pa asnjë arsye dhe isha shumë e befasuar, meqenëse deri më tani nuk kam pasur asnjëherë problem me te dhe nuk më ka sulmuar asnjëherë”. Këta kishin pasur një jetë bashkëshortore shumë të lumtur dhe kishin dy fëmijë, Gordanën (12) dhe Daliborin (13). Së bashku kishin jetuar dhe punuar në Austri, prej nga kishin ardhur në pushim një ditë para krimit. Të gjithë banorët e kësaj ane ishin çuditur me këtë veprim të jashtëzakonshëm të vrasësit Nikolla Radosavljeviq, që më parë e kishin njohur si një njeri serioz, stabil, të suksesshëm dhe që jetonte dhe punonte në Austri, një jetë me një familje në lumturi të plotë! Vrasësi kishte jetuar në vendin Himberg afër Vjenës dhe sipas fjalëve të banorëve të këtij vendbanimi kishte qenë një “njeri I qetë, që nuk dallohej nga të tjerët”.
Me siguri se raste identike ka shumë më shumë se këta që u paraqitën më lartë. Këto raste në vendet më të zhvilluara të botës, pa dyshim se po hulumtohen nga aspekte të ndryshme shkencore. Në Amerikë, Angli, Francë, etj, edhe pse është konstatuar dhe argumentuar një lidhje apo ndikim në mes të hënës së plotë dhe njeriut, prapë se prapë një numër shkencëtarësh këtë lidhje e konteston! Në vendin tonë, nga aspekti shkencor një dukuri e tillë nuk është përmendur dhe trajtuar asnjëherë. Është mirë që kjo dukuri, edhe tek ne, sikurse në botën e civilizuar t’i sfidojë kriminologët dhe shkencëtarët tjerë, që së paku ky fenomen të trajtohet jo si një faktor amnistues por si faktor kriminogjen.
Dihet mirëfilli se, një dukuri e tillë edhe pse nuk është trajtuar në nivele shkencore, ajo në popull është përmendur edhe shumë më herët. Të gjithë ne e kemi dëgjuar e ndoshta edhe e kemi përmendur fjalën “I përhontë” duke mos menduar se çka në esencë nënkupton kjo fjalë. “I përhontë” e ka kuptimin e njëjtë me atë anglisht “Lunetic” ose frengjisht “Homme de Lune”, d.m.th. Lunar-Hënor. Kjo fjalë është trashëguar brez pas brezi te ne, por në asnjë mënyrë rastësisht. Dihet se ndër shqiptarët ka pasur dituri dhe dijetarë shumë të fortë, sepse në këto troje ka pasur shkolla të larta (medrese) me traditë mbi 500 vjeçare, dhe se në këto shkolla është mësuar dituri burimore. Sa i përket nivelit shkencor këto shkolla, dihet se kanë qenë më të avancuara se shumë shkolla të vendeve perëndimore. Pikërisht nga këto shkolla ka dalur kjo fjalë e cila burimin e ka në thënien e profetit Muhamed, paça dhe shpëtimi qofshin mbi te, I cili ka porositë “Agjëroni në netët e bardha” (fjala është për 3 ditë të muajit të plotë). E dihet se agjërimi I mirëfilltë nuk d.m.th. të përmbajturit vetëm nga ushqimi por edhe nga fjalët e këqija, kacafytjet, cytjet e ndryshme, sjelljet asociale dhe të dhunshme, pastaj neurozat të cilat shkaktojnë rritjen e hormoneve, adrenalinës, e që si pasojë kanë rritjen e krimeve. “Dhe ai (Muhamedi) nuk flet nga dëshira e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpalljes që i shpallet. Atë ia mësoi, Ai fuqiforti” (Kur’an, kaptina 53, verseti 3-5).
Në mesin e efekteve fiziologjike që prodhon agjërimi janë edhe rënia e nivelit të sheqerit dhe kolesterolit si dhe e presionit sistolik të gjakut. Krahas dobive materiale e fiziologjike, agjërimi ka edhe shumë efekte moralo-shpirtërore. Kështu, agjëruesi si rrjedhojë e kënaqësive shpirtërore të marra nga agjërimi, ka një situatë paqeje dhe qetësie. Urrejtja dhe zemërimi personal është në nivelin më të ulët. Agjëruesit gjithnjë duhet pasur parasysh këshillën Profetike: “Nëse jeni duke të agjëruar, dikush ju ofendon ose ju godet, thuani: “Unë jam duke agjëruar”.
Gjatë agjërimit, vëllimi i gjakut pakësohet. Kjo dukuri i jep zemrës një prehje me rëndësi. Më e rëndësishmja është se, pakësimi i lëngut ndërqelizor shkakton pakësimin e presionit indor. Ky presion indor i quajtur në gjuhën e popullit si presion i vogël, gjatë gjithë kohës së agjërimit është vazhdimisht i ulët, për rrjedhojë edhe zemra është e qetë. Prandaj, në këtë gjendje zemra hedh rreth 15000 litra gjak më pak në ditë, kështu pushon më shumë dhe bëhet më e fuqishme. Një i urtë kishte thënë: “Agjërimi është ilaç i padurimit i cili ia dyfishon fatkeqësitë njerëzimit”. Ndërsa Kur’ani Famëlart thotë: “… po ta dini, agjërimi është më i dobishëm për ju” (Kaptina 2, verseti 184).
Si përfundim, shkenca e mirëfilltë nuk duhet të merret me paragjykime dhe të mbetet edhe më tutje peng e ideologjive të kaluara dhe dështuara. Shkencëtari nuk duhet të vuaj nga kriza e identitetit, sidomos atij identiteti që duhet mburret me te. Ai duhet ta ketë guximin që, gjithnjë ta pranojë dhe ta thotë të vërtetën, dhe nuk duhet të ketë kompleks inferioriteti. Shkencëtarë janë vetëm ata dijetarë që e dinë fillimin dhe fundin, janë dijetarë komplet, dijetarë shumë dimensional, përndryshe “dituria” e tyre do të dëshmojë kundër tyre.

Referencat:

Galaksija, Zagreb, 30.01.2006.
Budak, Ali Gjithçka rreth Agjërimit & Muaji i Ramazanit, Tiranë, 2005
Lieber, Arnold L. The Lunar Effect: Biological Tides and Human Emotions, 1978
Lieber, Arnold L. and Carolyn R. Sherin. Homicides and the lunar cyle, 1972

Hatia, Taulant, Konspiracionet më të mëdha të të gjitha kohërave, Komplote, Tiranë, 2002

http://arhiva.glas-javnosti.co.yu/ar…07073103.shtml
Http://www.equinoxastrology.com/LunarLore.htm
http://www.lifeinthefastlane.ca/luna…/uncategorized
http://faculty.washington.edu/chudler/moon.html

http://drejtesia.blogspot.com

Artikulli paraprakNE SENDËRTOJMË FATIN E KËSAJ BOTE, NDËRSA JU SENDËRTONI ILUZIONE
Artikulli vijuesDobitë e namazit