Krizologjia e “evropianëve të rinj”: Arratisja drejt BE-së

ADNAN IDRIZ/BESAR ADEMI
 
Vonesa e formimit të Qeverisë së re të Kosovës që zgjati nga qershori deri në dhjetor të vitit 2014 solli këtë shtet në një krizë politike që ndikoi në varfërimin e kosovarëve. Emigrimi ilegal i popullit kosovar, veçanërisht të rinjtë që supozojnë një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian vazhdimisht është në rritje. Faktorët e këtij fenomeni janë të shumtë, mirëpo shkaqet kryesore mbeten ekonomia, papunësia e madhe dhe arsimi. Largimet  masive filluan nga shtatori i vitit 2014, ndërsa në dy muajt e parë të vitit 2015 ata shënuan kulmin.
 
Analistët e Maqedonisë për Anadolu Agency (AA) thonë se emigrimi i shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian është traditë, pasi nuk është një fenomen i ri që sot fillon dhe sot do të përfundojë, por është projektuar që nga koha e Çubriloviqit, ndërkohë ato gjithashtu theksojnë se emigrimi nuk ekziston vetëm nga Kosova, por nga i gjithë Ballkani perëndimor sepse në Evropë ekzistojnë shpresa për një ardhmëri më të mirë.
 
Profesori universitar, Ali Pajaziti, duke folur për AA-në thotë se ky emigrim i popullit kosovar është një arratisje nga liria. “Çështja e arratisjeve nga Kosova, gjegjësisht e emigrimit nga shteti më i ri evropian është një çështje shumë komplekse që duhet trajtuar në aspektin sociologjik dhe në atë ekonomik, si dhe normalisht të shkencave të tjera sociale”- pohon Pajaziti .
 
– Ali Pajaziti: Bëhet fjalë për një arratisje nga liria
 
Ai veçon dimensionin ekonomik si dimension shumë të rëndësishëm, pasi që ky vend është me papunësi shumë të lartë, veçanërisht rinia kosovare, me rreth 60 përqind të papunësuar. Pajaziti element tjetër të rëndësishëm e cilëson edhe gjendjen jo të qëndrueshme ekonomike dhe sipas tij tek njerëzit këto krijojnë gjendje stresante dhe të paperspektivës; ata nuk shpresojnë për një ardhmëri, nuk shohin kushte për vetërealizim në këtë vend.
 
Si rezultat i kësaj, ai thekson se ata kërkojnë një hapësirë jetike më të mirë se sa shteti i Kosovës, kërkojnë Eldoradon dhe Atlantidën e tyre duke ikur nga liria negative që të gjejnë lirinë pozitive me mundësi më të mëdha. Për Pajazitin interesant është fakti se familje të tëra, përfshirë pleq dhe foshnje ikin prej këtij vendi, që dëshmon për një nivel edhe më të lartë të perceptimit negativ për të ardhmen e vendit.
 
“Bëhet fjalë për një arratisje nga liria, pra është një absurd dhe një gjendje sui generis. Njerëzit me dekada të tëra kanë qëndruar në Kosovë, përkundër gjendjes së rëndë që ka mbizotëruar. Kosova ka qenë e pushtuar, kanë jetuar nën trysninë e establishmentit serb, kanë jetuar nga ndihmat që u kanë ardhur nga diaspora, nga Evropa dhe SHBA-ja dhe sot, 15 vjet pasi që ata janë çliruar, ikin prej vendit të tyre”, shprehet Pajaziti.
 
– Arratisja nuk ekziston vetëm në Kosovë, por ky fenomen përjetohet edhe nga shoqëri të tjera
 
Ai duke theksuar se arratisjet nuk janë vetëm nga Kosova, por këtë fenomen e përjetojnë edhe shoqëri të tjera, veçoi edhe ikjen e popullatës së Sllovenisë që paraqet vendin me mirëqenie më të lartë ekonomike nga shtetet e ish-Jugosllavisë, ku për 20 vitet e fundit mbi 110 mijë njerëz e kanë braktisur këtë vend. Në fjalën e tij, nuk la pa përmendur edhe tkurrjen e Serbisë për 40 mijë njerëz brenda vitit, shpërnguljen e 10 mijë personave të arsimuar nga Bosnja dhe Hercegovina për vit, si dhe arratisjen e më tepër se 200 mijë njerëzve nga Republika e Maqedonisë gjatë 10 viteve të fundit. Të gjitha këto dëshmojnë një gjendje turbulente në të gjithë Ballkanin.
 
Sipas Pajazitit, kjo lëvizje mund të ndalohet në qoftë se krijohet një klimë pozitive dhe më konstruktive, në qoftë se të rinjve u mundësohet që ata më lehtë të gjejnë punë dhe në qoftë se krijohet një shoqëri meritokratike, ku ngjitja në piramidën sociale do të bëhet sipas meritave e jo sipas nepotizmave.
 
“Gjendja politike duhet të stabilizohet, korrupsioni duhet që të eliminohet, nëse jo të eleminohet atëherë që të ulet maksimalisht. Të luftohet ky kancer social dhe atëherë mund që të kemi perspektivë dhe mundet që njerëzit të qëndrojnë aty ku kanë lindur, ku janë shkolluar dhe ku shoqëria ka investuar”, deklaroi Ali Pajaziti, profesor universitar në UEJL.
 
Përveç migrimit të vendeve të Ballkanit për në vendet e Bashkimit Evropian, këto shpërngulje ekzistojnë edhe nga vendet e lindjes apo nga vendet e orientit me zona luftarake dhe jostabile. I pyetur se pse destinacioni më i preferuar janë vendet e Bashkimit Evropian, Pajaziti u përgjigj: “Bëhet fjalë për hapësira militare, ku njerëzit nuk ikin për shkak të luksit, por ikin për shkak të mbijetesës. Ata nuk kanë siguri për jetën e tyre dhe si rezultat i kësaj njerëzit nga Siria, Iraku, Afganistani, e kështu me radhë, shfrytëzojnë Ballkanin si një rrugë kalimtare për në Evropë”.
 
Pajaziti shtoi se shpesh herë këta emigrantë e pësojnë në këtë rrugë dhe humbin jetën e tyre, mirëpo para syve kanë një destinacion, “Evropën si vend i shpëtimit të tyre fizik dhe vend të perspektivës”.
 
– Alajdin Demiri: Ikjet e para traumatike, ndërsa këto më të vonshme më tepër ekonomike
 
Nga ana tjetër, analisti politik, Alajdin Demiri, ngjarjet e fundit në Kosovë i quan multiplifikuese dhe sipas tij nuk mund të analizohen vetëm nga një dimension se pse ikin sot kosovarët, për arsye se në këtë situatë ndikojnë shumë indikatorë dhe faktorë që shkaktojnë këto procese demografike.
 
“Ikja e kosovarëve nga vendlindja nuk është fenomen i ri që sot fillon dhe sot do të përfundojë, mirëpo është fenomen i cili ka qenë i projektuar nga koha e Çubriloviqit, kur Kosova duheshte të krijohet si hapësirë pa shqiptarë, e cila vazhdoi me kohën e Rankoviqit, Millosheviqit e kështu me radhë”, shprehet Demiri.
 
Ikjet e para Demiri i quan traumatike, ndërsa këto migrime më të vonshme, siç tha ai, janë migrime më tepër ekonomike. “Ajo që është e rënd sot, është argumenti dhe arsyeja se kosovarët tentojnë të ikin në Bashkimin Evropian, për arsye se në atë Bashkim Evropian tashmë disa dekada kosovarët kanë krijuar ambientin e vet”, thotë Demiri, i cili shpreh bindje se valët e fundit të azilantëve, punëtorëve dhe migruesve janë sistemuar në punë të përkohshme nëpër këto vende.
 
– Azilkërkuesit me kapacitete punuese ndikojnë pozitivisht në vendin ku migrojnë
 
Demiri në vitet 1990-1995 ka jetuar dhe punuar përthkyes për azilkërkuesit në Zvicër. Nga eksperienca e tij, azil kërkuesit kudo që migrojnë paraqiten si një strukturë apo fenomen që kërkon një strehim në vendet e caktuara, duke kërkuar edhe të drejta të jetës, të punës dhe të aktiviteteve tjera. Në këtë aspekt Demiri thotë se fenomeni në fjalë më tepër problem është për vendet që i pranojnë emigrantët, pasi që këto vende duhet të vendosin shumë barrikada, si barrikada të seleksionimit, barrikada të zgjedhjes dhe barrikada tjera në atë drejtim se si do të jetojnë dhe punojnë.
 
Ndërsa, nëse këta azilkërkues kanë kapacitete punuese dhe do të jenë një peshë dhe bazë e shtetit ku migrojnë, Demiri shprehet se: “Në tërësi ata nuk paraqesin problem për shtetin ku shkojnë, por paraqesin problem psikologjik se a do të mund të integrohen apo nuk do të integrohen. Në esencë nuk janë dëm për shtetet
ku synojnë, por bëhet dëm për shtetin prej nga shkojnë”.
 
– Emigrimi në vendet e Bashkimit Evropian është një traditë e shqiptarëve
 
Demiri në vijim shtoi se nëse sot analizohet struktura e azilantëve në botë, në përjashtim të Amerikës, do të kuptojmë se një lloj janë të reprezentuar i gjithë Ballkani perëndimor, shqiptarët, boshnjakët, kroatët, serbët dhe maqedonasit, të cilët bashkërisht e përbëjnë këtë strukturë të azilkërkuesve.
 
“Ky është një fenomen që rrënjët i ka këtu në këto shtete, për arsye se këto shtete nuk u demokratizuan në këtë fazë të tranzicionit aq sa duhet dhe ashtu si duhet. Prandaj popullatën e njoh se në një mënyrë tjetër tenton që të largohet dhe që të integrohet në Bashkimin Evropian”, shprehet analisti politik, Alajdin Demiri.
 
Për Demirin shqiptarët kanë krijuar një traditë të migrimit, për arsye se, siç thekson ai, “këto shqiptarë që shkojnë në Bashkësinë Evropiane, kanë dikë atje dhe ai dikushi është garanci që azilkërkuesi do të integrohet në mënyrë të plotë në vendet e Bashkimit Evropian”.
Artikulli paraprakEgjipt, katër anëtarë të Vëllazërisë Muslimane dënohen me vdekje
Artikulli vijuesNjë recetë mrekulli për rënien në peshë pa dietë – uthulla e hudhrës