Agjencia AP raporton se Grabar Kitaroviq është takuar me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë kroate, Drago Lovriq, dhe ka kërkuar që ushtria të monitorojë situatën.
Hungaria ka mbyllur kufirin me Serbinë, në përpjekje për të ndaluar migrantët, ndërsa këta të fundit janë nisur drejt Kroacisë.
Mbi 7,300 njerëz kanë hyrë në Kroaci nga Serbia brenda 24 orësh, pas përleshjeve të së mërkurës midis policisë hungareze dhe refugjatëve.
Lorenzo Lenelli, menaxher terreni i UNHCR-së në deklaratë për AA, tregon se qarkullimi i refugjatëve shkon pa ndërprerë dhe në mënyrë të organizuar, por se gjatë ditëve të ardhshme pritet të rritet numri i refugjatëve që do të arrijnë në kufirin jugor maqedonas.
“Prej dje pasdite deri më tani kanë ardhur 3.500 refugjatë të cilët janë vendosur në kamp, ndërsa në orët në vijim presim edhe një mijë refugjatë. Jemi të përgatitur të presim ata, kemi ushqim dhe ujë, ndërsa edhe Kryqi i Kuq është në teren 24 orë”, ka deklaruar Lorenzo, duke shtuar se pret që në ditët e ardhshme në kufirin jugor të Maqedonisë të kalojnë mesatarisht në ditë nga 5 mijë refugjatë dhe se UNHCR-ja është e përgatitur t’i ndihmojë refugjatët në periudhën e dimrit.
“Presim të kalojnë në ditë rreth 5 mijë. Po përgatitemi për periudhën e dimrit. Jemi duke bërë gati tendat e dimrit, të cilat do ta kenë sistemin e ngrohjes. Tani po u japim batanije, veçanërisht për gratë dhe fëmijët sepse është ftohtë në orët e mbrëmjes”, shtoi ai, duke shtuar se në katër apo pesë ditët e ardhshme pret që në kufirin jugor të Maqedonisë të kalojnë rreth 23 mijë refugjatë, shtoi ai.