Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e cila ndodhet për vizitë në SHBA ka takuar përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë për Zbatimin e Ligjit dhe Luftën kundër Narkotivëve (INL).
Në takimin me Zv. Drejtorin për Europën dhe Euro-Azinë Don Stolworthy dhe Zyrtaren për Çështjet Ndërkombëtare Stepahnie Larsen u diskutua mbi trafikun e drogës, si çështja më kritike për Shqipërinë.
U diskutua gjithashtu edhe qëndrimi refraktar i mazhorancës për çështjen Tahiri si dhe sasitë e mëdha të drogës të cilat po kapen në vazhdimësi, veçanërisht nga vendet fqinje si Italia dhe Greqia.
Znj. Kryemadhi u shprehu autoriteteve amerikane mbështetjen e plotë te LSI-së për reformën në drejtesi, por ajo nënvizoi domosdoshmërinë që kjo reformë të zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe paketën e ligjeve të miratuara si dhe ngriti shqetësimin për përpjekjet e mazhorancës për të devijuar reformën, për te mos respektuar kushtetutën e reformuar dhe ligjet dhe veprimet për të kapur drejtësinë.
Ajo shprehu vullnetin e plotë për te bëre çdo përpjekje për të penguar këto veprime të mazhorancës për te devijuar një reformë të mbështetur fort nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kërkoji autoriteteve amerikane që ata të monitorojnë nga afër këto përpjekje negative dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre që keto veprime të mazhorancës të ndalen menjëherë pasi reforma nuk mund të jetë pronë e asnjë partie por një domosdoshmëri për popullin shqiptar.
Kryemadhi ngriti gjithashtu shqetësimin për veprimet që lidhen me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Përgjithshëm.
Autoritetet Amerikane shprehën gadishmërinë e plotë për të mbështetur zbatimin e reformës pa asnjë devijim dhe ne përputhje me frymën e saj për të reformuar sistemin e drejtësisë.
Gjithashtu ata konfirmuan vëmendjen maksimale të SHBA-së në monitorimin dhe luftimin e trafiqeve të drogës, sidomos të drogave të rënda si dhe luftën frontale ndaj krimit të organizuar dhe elementet terroriste të lidhura me të.