Kryemadhi: Mazhoranca po devijon reformën në drejtësi, tentativë për të kapur institucionet e reja

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e cila ndodhet për vizitë në SHBA ka takuar përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë për Zbatimin e Ligjit dhe Luftën kundër Narkotivëve (INL).

Në takimin me Zv. Drejtorin për Europën dhe Euro-Azinë Don Stolworthy dhe Zyrtaren për Çështjet Ndërkombëtare Stepahnie Larsen u diskutua mbi trafikun e drogës, si çështja më kritike për Shqipërinë.

U diskutua gjithashtu edhe qëndrimi refraktar i mazhorancës për çështjen Tahiri si dhe sasitë e mëdha të drogës të cilat po kapen në vazhdimësi, veçanërisht nga vendet fqinje si Italia dhe Greqia.

Znj. Kryemadhi u shprehu autoriteteve amerikane mbështetjen e plotë te LSI-së për reformën në drejtesi, por ajo nënvizoi domosdoshmërinë që kjo reformë të zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe paketën e ligjeve të miratuara si dhe ngriti shqetësimin për përpjekjet e mazhorancës për të devijuar reformën, për te mos respektuar kushtetutën e reformuar dhe ligjet dhe veprimet për të kapur drejtësinë.

Ajo shprehu vullnetin e plotë për te bëre çdo përpjekje për të penguar këto veprime të mazhorancës për te devijuar një reformë të mbështetur fort nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kërkoji autoriteteve amerikane që ata të monitorojnë nga afër këto përpjekje negative dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre që keto veprime të mazhorancës të ndalen menjëherë pasi reforma nuk mund të jetë pronë e asnjë partie por një domosdoshmëri për popullin shqiptar.

Kryemadhi ngriti gjithashtu shqetësimin për veprimet që lidhen me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Përgjithshëm.

Autoritetet Amerikane shprehën gadishmërinë e plotë për të mbështetur zbatimin e reformës pa asnjë devijim dhe ne përputhje me frymën e saj për të reformuar sistemin e drejtësisë.

Gjithashtu ata konfirmuan vëmendjen maksimale të SHBA-së në monitorimin dhe luftimin e trafiqeve të drogës, sidomos të drogave të rënda si dhe luftën frontale ndaj krimit të organizuar dhe elementet terroriste të lidhura me të.

Artikulli paraprakSot beteja për Kryeprokurorin në Shqipëri
Artikulli vijuesPrifti që ishte në Kosovë shpallet fajtor për abuzim me fëmijë