Kryeministri rumun favorizon njohjen e Kosovës

Kryeministri i Rumanisë, Victor Ponta, ka thënë se është në favor të njohjes më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës.

Ponta dhe ministri i tij i Jashtëm janë takuar sot me dy komisionet kryesore parlamentare, për të diskutuar nëse Rumania duhet të ndryshojë pozicionin e saj dhe të lëvizë drejt njohjes së Kosovës.

Ponta ka thënë se personalisht konsideron se Rumania duhet të përputhë qëndrimin e saj ndaj statusit të Kosovës me partnerët evropianë, marrë parasysh se 22 anëtare të BE-së tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai po ashtu ka thënë se do të formohet një grup pune, i përbërë nga përfaqësues të diplomacisë rumune dhe deputetë, për të shqyrtuar zhvillimet e reja që lidhen me statusin e Kosovës, raporton B92.

“Nuk bëhet fjalë për asnjë vendim. Jemi pajtuar të formojmë një grup të punës, i cili do të merret me këtë çështje. Jemi pajtuar që kjo temë nuk është tabu, por duhet të merremi edhe me të”, ka thënë Ponta.

Në pyetjen nëse Rumania pret që Serbia të njohë e para Kosovën, Ponta ka thënë se “do të ishte pak qesharake po qe se Rumania mbetet prapa Serbisë”.

Rumania, ashtu si edhe katër anëtare të tjera të Bashkimit Evropian – Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja – nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, 2008.kohaislame

Artikulli paraprakRritet eksporti i bimëve mjekësore
Artikulli vijuesPërmbytjet në Evropë: 7 të vdekur