VV e PDK nga grushtet në përplasje verbale

Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë arenë përplasjesh mes partive. Por, ndryshe nga një javë më parë, nga grushtet duelet tash u janë kthyer fjalëve. “Paçavër”, “hajn”, “titist”, “diktator”, “djalë i dalë dore” e “gënjeshtar” janë vetëm disa nga fjalët që përdorën liderët e partive në debatin mes tyre, rikujton sot “Koha Ditore” debatin e nxehtë në sallën e Parlamentit të Kosovës.

Të enjten kanë qenë liderët e PDK-së dhe ata të “Vetëvendosjes” që nuk kanë kursyer fjalët, nga më të rëndat ndaj njëri-tjetrit. Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, e ka quajtur “paçavër” liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, e ky i fundit fjalët e Kurtit i ka quajtur “klithma të çoroditura”.

Lufta verbale ka filluar në debatin për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut. I pari e nisi lideri i “Vetëvendosjes”.

“Kaq keq dhe kaq lirë KEK-un mund ta shesin vetëm njerëzit e shitur. Këta njerëz të shitur nuk e kanë vendin në Qeveri, por e kanë vendin në burg për krimin që ia bënë shoqërisë dhe pronës publike. Kryeministri Thaçi dhe ministri Beqaj janë paçavra në duart e huaja, të cilët tashmë, më shumë fëlliqin sesa pastrojnë për shkak të ndyrësisë që i ka mbuluar”, u shpreh Kurti, gjatë fjalimit të tij. Me këtë rast ai u bëri thirrje korporatave “Çalik” dhe “Limak” që të mos e blejnë Distribucionin e KEK-ut, që të tërhiqen dhe të mos e keqpërdorin Kosovën duke përfituar nga kjo Qeveri e korruptuar.

“Ata mund t’i kenë marrëdhëniet e mira me këto dy paçavra, por jo me lëvizjen ‘Vetëvendosje’, jo me punëtorët e KEK-ut dhe jo me popullin e Kosovës. Këtë privatizim do ta luftojmë pa pushim, pa kursim dhe përgjithmonë”, tha Kurti.

E menjëhershme ka qenë replika e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili fjalët e Kurtit i ka cilësuar si klithma.

“Po dëgjohen disa klithma prej atyre që kanë mallkuar vendin për ndërtimin e autostradës dhe klithma të paargumentuara për koncesionimin e Aeroportit”, tha Thaçi.

Sipas tij, këta zëra të shterur, e klithma të çoroditura, kanë bërtitur që NATO-ja të mos vijë në Kosovë, po ashtu edhe kundër marrëveshjes në Rambuje. Po këta zëra, tha ai, u deklaruan edhe kundër prezencës së SHBA-vsë dhe BE-së në Kosovë.

“Po këta zëra ishin edhe kundër marrëveshjes mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve për statusin e Kosovës, për Kosovën e pavarur”.

Thaçi ka thënë se po ky zë pa ndikim dhe i shkëputur nga realiteti i Kosovës demokratike dhe evropiane, u deklarua se 17 shkurti 2008, (dita e pavarësisë), është një vendim i pavlerë. Ai tha se këta zëra nuk do ta ndalin atë në punë, dhe rekomandoi Kurtin që politikat elektorale t’i shpalosë në Ferizaj e Kaçanik.

“Po këta zëra vetëm tri ditë më herët u deklaruan me rezerva kur gjithë bota tregoi besim të palëkundur për Kosovën, kur gjithë bota në mënyrë entuziaste u deklarua për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Këta zëra e quajtën të parëndësishme. Ne do të vazhdojmë, ndërsa sa u përket politikave elektorale, shkoni në Ferizaj, në Kaçanik, atje u provuat”, ka deklaruar ai.

Pas kësaj deklarate ka ardhur replika e Kurtit, i cili ka thënë se çfarëdo konstatimi që do të thotë, kurrë nuk mund të ofendojë kryeministrin, pasi që siç ka thënë ai nuk ka identitet.

“U tha që po ju ofendoj, por nuk mund t’ju ofendoj juve, përderisa nuk keni dinjitet. Unë çfarëdo konstatimi që bëj për ju, kurrë nuk mund t’ju ofendoj. Nëse ju thoni që unë po ju ofendoj, ju po gënjeni. Unë s’po ju ofendoj, por po flas çka jeni, pra jeni paçavër. Ju po vidhni në emër të kombit, kjo nuk ka të bëjë asgjë me kombëtaren. Ju ia keni vënë emrin ANP-së ‘Adem Jashari’, e keni bërë drejtor djalin e Hamzës, për ta shitur më shpejt e më kollaj. Ju edhe në tenderët për përmendore të dëshmorëve vidhni, jeni hajna klasikë”, ka thënë Kurti.

Gjatë fjalimit të Kurti, kryeministri qeshej.

“Për këtë ju duhet të shkoni në burg, sepse ky është krim. Të shitet për 26 milionë tërë rrjeti i energjisë elektrike, ky është krim. Prandaj mos u zgërdhini, por bëhuni serioz, nuk jeni as serioz as i sinqertë. Mos u zgërdhini kryeministër. Ju nuk mund ta përfaqësoni qytetarin e Kosovës me këtë zgërdhirje”, ka thënë Kurti me ton të ngritur.

Kundërreplika erdhi menjëherë nga kryeministri, Thaçi. Por në respekt për babën e Kurtit, kryeministri nuk pati mllef për të shprehur ndaj Kurtit.

“Unë nuk kam ndonjë mllef për të shfryrë ndaj jush, sepse nuk kam asgjë personale, përkundrazi unë e respektoj prindin tuaj, por ju i keni dalë nga dora”, ka theksuar ai.

Por, përkundër kësaj ai tha se nuk do të lejohet rikthim të mentalitetit monist, komunist dhe pretendimeve diktatoriale.

“Diktatorët po përfundojnë së shpejti edhe në Siri”, ka thënë Thaçi.

Debati i tyre i nxehtë erdhi vetëm një javë pasi u grushtuan në ambientet e Kuvendit deputetët e “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi e Florin Krasniqi me deputetët e PDK-së, Latif Gashi e Bekim Haxhiu./koha/kohaislame

Artikulli paraprakShmangja e lodhjes nga të nxehtit
Artikulli vijuesMetoda e denimit