Kryeparlamentari Krasniqi vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në prag të fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), me ç’rast është pritur nga kryetari i saj, myftiu Naim Tërnava.

Gjatë këtij takimi, kryetari Krasniqi u njoftua lidhur me sfidat dhe problemet me të cilat Bashkësia Islame e Kosovës përballet gjatë punës dhe veprimtarisë së saj, si dhe mundësive për zgjidhje ligjore të tyre. Në këtë kontekst, u bisedua edhe për ndryshimet dhe plotësimet që pritet të bëhen në Ligjin për liritë fetare në Kosovë, si dhe për mundësitë e përfshirjes në të, të kërkesave të BIK-ut, gjatë procesit të amendamentimit në Kuvend.

Duke shfaqur mirëkuptim për kërkesat e myftiut Tërnava dhe të komunitetit islam në Kosovë, kryeparlamentari Krasniqi shprehu gatishmërinë për të dhënë ndihmën dhe kontributin e tij për eliminimin e disa pengesave të panevojshme me të cilat përballet BIK-u, si dhe për rregullim sa më të mirë ligjor për të gjitha bashkësitë fetare në vendin tonë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e një përkrahjeje më të madhe institucionale për komunitetet fetare në Kosovë, nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.koha/kohaislame

Artikulli paraprakMinatorët e Trepçës ndërprenë punën
Artikulli vijuesKosova e Turqia vendosin bashkëpunim në fushën e metrologjisë