Kryetari i Komunës së Studeniçanit, z.Azem Sadiki i shoqëruar nga shefi i kabinetit z.Sedat Rushidi dhe administratori komunal Mervet Musliovski kanë përfunduar vizitën zyrtare disa ditore në Republikën e Turqisë, ku morën pjesë në Konferencën e Qendrës Ndërkombëtare të Vetëqeverisjeve Lokale, në organizim të Lidhjes Botërore të Komunave Turke (TDBB) në Stamboll.
Konferenca përveç raportit të punës kishte edhe karakter zgjedhor ku për kryetar përsëri u zgjodh edhe për një mandat kryetari aktual njëherit kryetari i Qytetit Koxhaeli, z.Ibrahim Karaosmanoglu.
Komuna e Studeniçanit është anëtare e rregullt në këtë konferencë dhe ka marr pjesë aktive në punimet e konferencës, ndërsa në përgjithësi konferenca me sukses i ka zhvilluar punimet.
Kryetari Sadiki me këtë rast ka zhvilluar edhe disa takime bilaterale me kryetar qytetesh e komunash nga Turqia, Azerbejxhani, Turkmenistani, Bosnja, Mali i Zi etj., me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave pozitive në vetadminsitrimin lokal, si dhe mundësinë për binjakëzim të komunës së Studeniçanit me komuna nga regjioni i Ballkanit.
Ndërsa në takimet e zhvilluar me kryetarin e TDBB, Ibrahim Karaosmanoglu njëherit Kryetar i Qytetit Koxhaeli, zëvendës drejtorin gjeneral të TIKA-së, Syrejja Polat, kryetarin e Komunës Gebze, z.Adnan Koshker dhe kryetarin e Komunës Alltinova, Dr. Metin Oral – Komunë e vëllazëruar me komunën e Studeniçanit është shqyrtuar mundësia e bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët me projekte që janë interes i dy palëve.
Gjatë qëndrimit në Turqi, kryetari Sadiki realizoi takim edhe me biznesmenin e njohur nga firma GEOMAS, Emre Ariburnu të cilit ja ka sqaruar të gjitha kushtet e administrative që i ofron Komuna e Studeniçanit për të investuar. Në takim është biseduar edhe mundësia e investimit të tij të mundshëm në Komunën e Studeniçanit.