Kuçi i përgjigjet Dellit: S’ka dialog politik për veriun

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell e ka përsëritur edhe të martën deklaratën e bërë një ditë më herët se problemi i veriut duhet të zgjidhet me anë të dialogut.


Ai ka deklaruar se duhet të ketë bisedime ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve në veri të vendit. E, ndërkohë thotë se dialogu do të zhvillohet, por duke u respektuar në tërësi integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës. Por, Dell thekson edhe faktin se për të pasur negociata më të relaksuara duhet të pritet se çfarë qeverie do të formohet në Beograd, pas zgjedhjeve që pritet të mbahen së shpejti.

Por, zyrtarët e lartë qeveritarë në Kosovë vazhdojnë ta mohojnë kategorikisht mundësinë që të ketë çfarëdo negociatash për veriun, përveç si çështje e brendshme e Kosovës.
Zv/kryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar për “Tribuna Shqiptare”, se në asnjë mënyrë nuk do të ketë negociata ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë për çështje të brendshme të vendit.

“Zgjidhja mund të kërkohet në dialog me qytetarët tanë serbë të Kosovës, duke u bashkërenduar me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Kuçi. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakPacolli: Jo 2, por 100…200 policë
Artikulli vijuesOVL UÇK: O shteti o qytetarët!