Për Kroacinë, pavarësia e Kosovës është çështje e mbyllur

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar të premten me ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Kroacisë, Vesna Pusic. Kjo e fundit deklaroi se për Kroacinë çështja e pavarësisë së Kosovës është çështje e mbyllur.

Në njoftimit e MPJ-së bëhet e ditur se pas takimit, dy ministrat kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, duke theksuar se dy vendet do të forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin, me theks të veçantë në proceset integruese evropiane të Republikës së Kosovës.

Të dy vendet do të nënshkruajnë dhe një marrëveshje partneriteti strategjik ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës në fushën e integrimeve evropiane.

“Anëtarësimi i Kroacisë dëshmon se Bashkimi Evropian ka vend edhe për shtetet e Ballkanit. Kjo është po ashtu një dëshmi që përkushtimi i pathyeshëm i një populli, i një elite politike dhe Qeverie për të reformuar shoqërinë – shpërblehet”, ka thënë Hoxhaj.

“Kroacia është modeli më i mirë i modernizimit të shoqërisë, i plotësimit të reformave. Modeli më i mirë Evropian. Modeli që ne do të ndjekim”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj bëri të ditur se gjatë takimit me homologen kroate është diskutuar edhe për avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy popujve dhe qeverive në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit, kulturës, doganave, çështjeve penal, të sigurisë etj.

Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Kroacisë, Vesna Pusic, ka theksuar mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në të gjitha aspektet, me theks të veçantë për rrugën integruese në Bashkimin Evropian.

Pusic po ashtu theksoi se për Kroacinë çështja e pavarësisë së Kosovës është çështje e mbyllur, dhe se Kosova është shtet i pavarur dhe po funksionin si e tillë.

Artikulli paraprakPAGA E PRESIDENTES, 52 HERË MË E LARTË SE NJË PENSION
Artikulli vijuesKryetari i Prishtinës padit për shpifje gazetën “Express”