Kuçi thotë se Lugina do të përfshihet në dialog

Çështja e tri komunave me shumicë shqiptare nën administrimin e Serbisë Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të zërë vend në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë për gazetën se avancimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve që jetojnë në Serbi do t’i kontribuonte jo vetëm normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë si dy shtete fqinje, por edhe paqes dhe stabilitetin në rajon. Sipas tij, nuk mund të bëhet fjalë për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, siç ka thënë ai, në kurriz të shqiptarëve të Luginës.

“Prishtina zyrtare është e interesuar për përmirësimin dhe normalizimin e gjendjes së shqiptarëve etnikë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, si kusht për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Në dialogun e ardhshëm, pa dyshim se edhe çështja e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës do të zërë vendin e merituar”, ka thënë Kuçi.

Që Lugina e Preshevës të përfshihet në dialog me Serbinë ka preferuar edhe eksperti i çështjeve të Ballkanit Jugor, James Pettifer. Në një diskutim me temë: “Kosova – drejt historisë bashkëkohore” në Universitetin Georgetown, ai ka thënë se përfshirja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi do të ishte një hap pozitiv. “Kjo, sepse së pari problemet e tyre janë të ngjashme me ato të serbëve të veriut, por edhe sepse Presheva është neglizhuar për shumë vite, që në kohën e Titos dhe u trajtua shumë keq nën regjimin e Millosheviqit dhe vuajti gjatë luftës”, ka thënë Pettifer. “Prandaj neglizhenca e ndërkombëtarëve ndaj Luginës së Preshevës mund të ketë pasoja”.

Insistim që çështja e jugut të Serbisë të ngrihet si temë midis Prishtinës dhe Beogradit po bën kaherë edhe partia parlamentare, Lëvizja për Bashkim.

Kryetari i LB-së, Avni Klinaku, ka thënë se çfarëdo zgjidhje që do të bëhej për veriun e Kosovës do të duhej që të bëhej edhe për jugun e Serbisë. “Ne mendojmë që zgjidhja më e mirë, më e pranueshme e më e kapshme do të ishte që vetëm të mos përdoren standarde të dyfishta. Çfarëdo zgjidhje që do t’i jepej veriut, t’i jepet edhe Kosovës Lindore dhe kjo mund të shkojë që nga zgjidhjet pa ndonjë status deri te zgjidhjet me status e deri te zgjidhjet më radikale e edhe ndryshimin e kufijve”, ka thënë ai. “Por duke i parë rrethanat që faktorët ndërkombëtarë janë kundër këtyre zgjidhjeve, ne mendojmë që ka zgjidhje të mira brenda kufijve”.

“Në radhë të parë është çështja e veriut të Kosovës dhe çështja e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës apo e Kosovës Lindore. Bisedimet ku do të kërkohet dhe do të gjendej zgjidhje vetëm për veriun e Kosovës, duke e lënë anash çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore, do të rrisnin rrezikun e destabilizimit të rajonit”, ka vlerësuar Klinaku.koha/kohaislame

Artikulli paraprakFOL: Zyrtarët e korruptuar të prokurimit, vartës të partive politike
Artikulli vijuesSIRI – TË PAKTËN 80 TË VRARË GJATË 24 ORËVE TË FUNDIT