FOL: Zyrtarët e korruptuar të prokurimit, vartës të partive politike

Zyrat e prokurimit në institucionet publike vazhdojnë të jenë burim kryesor i korrupsionit në Kosovë. Me anë të korrupsionit zyrtarët e prokurimit kanë arritur përfitime të mëdha materiale. Por jo vetëm për vete. Këta zyrtarë thuhet se janë të emëruar nga partitë politike dhe veprimet e tyre korruptuese mbikëqyren nga partitë politike, të cilat më pas përfitojnë materialisht nga tenderët e zhvilluar në ato zyra.

Lëvizja FOL në analizën “Shpërdorimet në prokurimin publik”, të publikuar të dielën, në të cilën analizohen shpërdorimet me autoritetin publik në fushën e prokurimit publik, fajëson partitë politike për nivelin e lartë të korrupsionit në këto zyra.

Sipas analizës së tyre, shpërdorimet të cilat hasen gjatë procedurave të prokurimit janë nga më të ndryshmet, si hartimi i dosjeve të tenderëve në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren për prokurim publik, caktimi i kundërligjshëm i kritereve të përzgjedhjes me qëllim favorizimi të operatorëve ekonomikë të caktuar për përfitime personale të zyrtarëve të prokurimit, vazhdimi i procedurave të prokurimit edhe pse nuk janë përmbushur kërkesat e Ligjit për Prokurim Publik.

Analiza e FOL-it nxjerr në pah se gjatë procesit të tenderimit paraqitet dokumentacion i falsifikuar, anëtarët e komisionit mbikëqyrës propozojnë kryerjen e pagesave të kundërligjshme edhe në rastet kur punët nuk kanë përfunduar sipas planit të paraparë, apo shërbimet dhe furnizimet nuk janë ofruar sipas kontratës, planet dinamike nuk respektohen nga operatorët ekonomikë, nuk kërkohet arsyetim nga operatorët ekonomikë për vonesën në kryerjen e punëve etj.

Të gjitha këto parregullsi zyrtarët e prokurimit janë të shtyrë t’i bëjnë nga ofertat lakmuese që ua bën pala tjetër ofertuese në tender. “Mbi të gjitha, emërues i përbashkët i të gjitha shpërdorimeve është korrupsioni”, thuhet në raport. Një shqetësim i madh për ta është edhe varësia e zyrtarëve të prokurimit të institucioneve publike nga partitë politike. Ata emërohen, veprojnë dhe realisht edhe mbikëqyren nga partitë politike. Kjo e bën korrupsionin tërësisht të lidhur me partitë politike, ndaj si konsekuencë e saj luftimi i korrupsionit mbetet plotësisht në vullnetin politik të tyre. “Shpërdorimi me autoritetin publik në fushën e prokurimit publik është problem që evidencohet tashmë në secilin raport qoftë vendor apo ndërkombëtar. Në shumicën e rasteve përveç shkeljeve procedurale apo të çfarëdo natyre tjetër, emërtuesi i përbashkët i këtyre është korrupsioni”, thuhet në raportin e FOL. Për luftimin e kësaj dukurie, sipas kësaj organizate, shumëçka është bërë në letër, por rezultatet praktike lënë shumë për të dëshiruar.

Sipas analistëve të FOL, themelet e besimit të kosovarëve në shtetin e tyre janë ende të zbehta. “Nevojiten përpjekje serioze jo vetëm me dokumente politike antikorrupsion, por edhe në mendësinë e pastër qytetare, që të sigurohet pjesëmarrja e gjithsecilit në luftën kundër kësaj dukurie. Gjithashtu nevojitet ndërgjegjësim i zyrtarëve publikë për përgjegjësinë e postit që bartin”, thuhet më tej.

Disa përpjekje në drejtim të luftës kundër korrupsionit janë bërë. Ka pasur disa dënime në lidhje me rastet e korrupsionit. Që nga janari i vitit 2009, një total prej 30 vendimesh është nxjerrë nga panelet e përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it dhe gjyqtarë të Kosovës, 30 të akuzuar janë gjetur fajtorë, 6 janë liruar.

Në fund të raportit është thënë se asnjë masë për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit nuk mund të ketë sukses pa shprehjen dhe demonstrimin praktik të vullnetit politik të organeve shtetërore qeveritare dhe parlamentare si dhe të partive politike për zhvillimin e një lufte të vërtetë kundër korrupsionit. “Kjo do të rikthente besimin e qytetarëve te institucionet, si dhe do të forconte legjitimitetin dhe kredibilitetin e këtyre në raport me opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”, thuhet në fund të raportit.koha/kohaislame

Artikulli paraprakSUDAN – TË PAKTËN 13 USHTARË TË VDEKUR PAS NJË AKSIDENTI AJROR
Artikulli vijuesKuçi thotë se Lugina do të përfshihet në dialog