Kuçi zëvendëskryeministër, Hoxhaj ministër i Jashtëm

Partnerët e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë vendosur të bëjnë disa ndryshime në qeveri.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është emëruar zëvendëskryeministër i parë, duke e pasuar në këtë post ish-liderin e PDK-së, aktualisht presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kurse, Enver Hoxhaj është emëruar në postin e ministrit të Jashtëm, po ashtu duke e plotësuar vendin në qeveri që ka drejtuar Hashim Thaçi para se të zgjidhej president.

Ndryshimet e fundit në qeveri janë prezantuar nga kryeministri Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, dhe Kadri Veseli, lider i PDK-së, gjatë një konference të përbashkët për media.

Gjatë konferencës së përbashkët u tha po ashtu se zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi do të jetë edhe me tutje i angazhuar në postin e ministrit të Drejtësisë, por me mundësinë që të zëvendësohet në të ardhmen e afërt.

Dy liderët e partive partnere thanë po ashtu se janë marrë vesh për ndërmarrjen e reformave në fushën e ekonomisë, hapjen e vendeve te reja të punës dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

Po ashtu, reformat u tha se do të shtrihen në fushën e legjislacionit.

Kurse, për sigurinë më të madhe të investitorëve të huaj u përmend edhe çështja e eksterritorialitetit në zonat ekonomike për investimet e huaja.

Ndër tjera u tha se më 2017 do të zbatohet Ligji për sigurimet shëndetësore si dhe do të aprovohet Ligji për Trepçën.

Artikulli paraprakGjykata Speciale pret dritën jeshile nga Brukseli
Artikulli vijuesProtestat në Maqedoni zgjerojnë veprimin