Ka thënë Profeti alejhi selam:
“ Robër të Allahut, patjetër që duhet të drejtoni safet (rreshtat) tuaja, përndryshe Allahu do tju përçajë midis jush!”
(Buhariu dhe Muslimi)
Ka thënë shejh El-Uthejmini – rahimehullah – në lidhje me këtë hadith:
“ Kuptimi i hadithit është se nëse falësit nuk drejtojnë safet, atëherë Allahu do të përçajë këndvështrimet e tyre, derisa të përçahen më pas edhe vetë zemrat e tyre. Nuk ka dyshim se ky është një kërcënim për mosdrejtimin e safeve, prandaj një grup dijetarësh janë të mendimit se drejtimi i tyre është vaxhib, obligim, duke u argumentuar me urdhrin e Profetit alejhi selam dhe kërcënimin e tij për mosdrejtim të safeve dhe një çështje që vjen në formën urdhërore e shoqëruar edhe me kërcënim për mosveprimin e saj nuk mund të thuhet se është thjesht sunet. Nisur nga kjo mendojmë se fjala e saktë në lidhje me drejtimin e safeve është obligimi i tyre dhe se ai xhemat që nuk i drejton safet është gjynahqar. Ky mendim përfitohet edhe nga fjala e IbnTejmijes (në librin e tij: “El-ihtijarat”).
Gjithashtu duhet të dimë se nëse drejtimi i safeve nuk ndodh kjo gjë nuk e shkakton prishjen e namazit, sepse drejtimi i tyre është një obligim për namazin dhe jo pjesë përbërëse e namazit, pra është jashtë formës së namazit si adhurim… Drejtimi i safeve bëhet me supet përsa i përket pjesës së sipërme të trupit dhe me kyçet, përsa i përket pjesës së poshtme të trupit. Kjo mund të realizohet kur trupat janë në përmasa të përafërta fizike, ndërsa nëse përmasat e tyre ndryshojnë, atëherë drejtimi i supeve nuk mund të merret në konsideratë, sepse nuk mund të drejtohen supet kur përmasat fizike të trupave ndryshojnë, por drejtimi i kyçeve është i mundur për shkak se ajo është në pjesën e poshtme të kërcirit dhe kërciri është si një shtyllë mbajtëse e trupit të njeriut dhe gjithashtu duhet të dimë se në një gjendje të tillë majat e gishtave nuk mund të merren në konsideratë gjatë drejtimit të safeve, sepse disa njerëz i kanë këmbët më të mëdha se të tjerët, prandaj për drejtimin e safeve merret në konsideratë kyçi i këmbës.
(“Sherh el-mumti”, përkthim i përmbledhur)