Kujt i çelen dyert e xhenetit në Ramazan?

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Kur të vijë Ramazani hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit dhe prangosen djajtë”. (Buhariu dhe Muslimi).
Parashtrohet pyetja: cili është ai të cilit i hapen dyert e xhenetit?
Ta shohim Kuranin Fisnik se çka na tregon për këtë temë:
“Të devotshmit janë në kopshte e burime”. (Edh-Dharijat: 15).
“Ato janë xhennetet që do t’ua trashëgojmë robve Tanë që ishin të ruajtur”. (Merjem: 63).
“E xhenneti u afrohet atyre që ishin të devotshëm”. (Esh-Shuara: 90).
“E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë”. (Ez-Zumer: 73).
“Shembulli i xhennetit, i cili u është premtuar atyre që janë ruajtur (të devotshëm), në të cilin ka lumenj me ujë të mirë për pije, lumenj nga qumështi me shije të paprishur, lumenj nga vera e shijshme për njerëz, lumenj nga mjalti i kulluar, ata kanë aty edhe gjithfarë lloj pemësh, kanë edhe falje nga Zoti i tyre (a është i njëjtë) a si ai që është përgjithmonë në zjarr dhe u shuhet etja me ujë të valë që ua copëton zorrët e tyre?” (Muhamed: 15).
“Ndërsa besimtarëve të ruajtur xhenneti u afrohet krejt afër”. (Kaf: 31).
“Pra, ikni e mbështetuni tek Allahu, unë prej Tij jam një qortues i hapët”. (Edh-Dharijat: 50).
Allahu, subhanehu ve teala, u ka përmbledhur si shpërblim atyre që janë të devotshëm xhenetin dhe begatitë e xhenetit dhe i ka ruajtur nga zjarri i xhehenemit, duke thënë:
“Vërtet, ata që i patën frikë Zotit, janë në vende të qeta. Janë në xhennete e në burime që rrjedhin. Veshin petka nga mëndafshi e kadifeja, ulur ballë për ballë. Ja kështu, edhe i martojmë me bardhoshe symëdha (me hyri). Aty kërkojnë t’u sillen çdo lloj peme dhe aty janë të sigurt. Aty nuk do ta përjetojnë vdekjen, përveç asaj të parës në Dunja. Ata i shpëtoi (Allahu) prej vuajtjeve të xhehennemit. (Ato të mira) Janë dhuratë nga Zoti yt,e ai është shpëtim i madh. Ne ua bëmë të lehtë atë (Kur’anin) në gjuhën tënde, ashtu që ata të marrin mësim. (Meqë nuk po marrin mësim) Ti pra prit, se edhe ata janë duke pritur”. (Duhan: 51-56).
Nga tërë këto ajete na rezulton se xheneti i hap dyert e veta në Ramazan për ata që janë të devotshëm. Allahu na bëftë të këtillë. Amin!

Bekir Halimi
Artikulli paraprakQëndrimi ynë karshi problemeve – Sqarim me shembull praktik
Artikulli vijuesIslami – Nga Dr. Laurence B. Brown