Të paktën 20 të vdekur dhe dhjetëra të humbur. Është ky bilanci provizor i bombardimit të një spitali në qytetin afgan të Kunduzit.
Qyteti në fjalë, një fortesë e talebanëve, është prej ditësh skenë e përleshjeve mes rebelëve dhe trupave qeveritare.
Sulmi është denoncuar në rrjetin social Twitter nga organizata Mjekët pa Kufij, që ka deklaruar se pas sulmit të parë bombardimet vijuan edhe për 30 minuta.
Kjo, edhe pasi komanda amerikane ishte informuar se avionët e saj po bombardonin një strukturë të organizatës humanitare.
Ndërkohë, zëdhënësi i forcave amerikane në Afganistan, koloneli Brian Tribus ka pranuar se, “ndërhyrja amerikane mund të ketë shkaktuar dëme anësore në një godinë mjekësore në qytet”.
Operacioni, thuhet në një komunikatë të shkurtër, “është realizuar në orën 02:15, ndaj disa individëve që përbënin kërcënim. Mbi këtë incident është hapur një hetim”.
Avionët luftarakë po kryenin sulme ajrore në mbështetje të qeverisë së Kabulit dhe forcave të tyre speciale.
Sipas organizatës Mjekët pa Kufij, në momentin e bombardimit ishin 105 personat e shtruar në strukturën mjekësore dhe rreth 80 punonjës të kombeve të ndryshme. Që nga fillimi i luftimeve, ditën e hënë, në strukturën në fjalë janë mjekuar 394 të plagosur.
“Të gjitha sallat e operacionit janë shkatërruar. Na duhet të përdorim edhe zyrat për të operuar”, ka njoftuar mjeku italian Stefano Zannini në profilin e tij në Twitter.