KUPTIMI I FESË

Dr. Mustafa Mahmud

KUPTIMI I FESË

Miku vazhdoi:
– Dëgjo, nëse ekziston xhenneti, sikur që pohoni, atëherë unë do të jem i pari i cili do të hyj në të, sepse jam më religjioz sesa shumë propagandues tuaj me mjekra dhe tespih në dorë.

– Religjioz? Çka nënkupton me këtë?

– Mendoj, nuk e ofendoj askend, nuk vjedh, nuk vras, nuk pranoj ryshfet, nuk hipokrizoj, nuk urrej, askujt nuk ia mendoj të keqen, qëllimin e kam vetëm të bëj mirë dhe qëllimi im gjithnjë është dobia e përgjithshme. Zgjohem dhe fle me ndërgjegje të pastër. Parimi i jetës sime është që ta rregulloj atë që mundem. A nuk është tërë kjo fe? A nuk thoni ju se feja është tërësia e marrëdhënieve të nje riut?!

– Atë që e the, nuk është fe. E tërë çka punon ti bën pjesë në fe dhe quhet edukatë dhe sjellje e mirë. Ti nuk bën dallim midis asaj ç’është feja dhe asaj çka i takon fesë. Fe do të thotë vetëm një: njohja e All-llahut dhe qëndrimi ndaj Tij, të Madhit dhe Mëshiruesit, i cili është afër dhe i cili çdo gjë sheh dhe dëgjon, dhe i cili është i vetmi i denjë për lavdi dhe falënderim. Kjo, në të vërtetë është feja dhe ajo në vete i inkuadron edhe të gjitha ato që i theksove.
Pejgamberi i All-llahut thotë:
“Zoti e pranon sadakanë më parë se sa duart e atij që i jepet”. Kush e beson Zotin xhel-le shanuhu i do edhe krijesat e Tij dhe sillet mirë ndaj tyre…

– Më beso, nganjëherë ndiej se ekziston njëfarë Fuqie.

– Fuqi!

Po! Njëfarë Fuqie e panjohur e cila qëndron pas tërë kozmosit. Unë plotësisht besoj se ekziston njëfarë Fuqie.

– Si e kupton ti këtë Fuqi? A e kupton si qenie e cila dëgjon, sheh, kupton, u jep premtime krijesave të Tij se do t’i mbrojë, udhëzojë, dhe drejtojë në rrugë të vërtetë, se do t’u dërgojë libra dhe pejgamberë dhe do t’u përgjigjet lutjeve të tyre.

– Haptas të të them, unë atë fuqi nuk e mendoj ashtu, as s’e kuptoj. Edhe më tepër se kjo, e mendoj naive dhe të pahijshme ndaj asaj Fuqie madhështore.

– Do të thotë, kjo është ndonjë Fuqi e verbër e cila pa vetëdije dhe pa përgjegjësi e drejton kozmosin?

– Ndoshta!

– Sa i keq është kuptim yt për Fuqinë më të lartë. Të ka dhënë sytë e ti mendon se ajo është e verbër. Të ka dhënë mend, kurse ate e mendon të pavetëdijshme. Ti e mohove All-llahun dhe kështu vetvetes i bëre mizori… ti Zotin tënd e mendon si fuqi të verbër të cilit nuk i lutesh dhe nënshtrohesh…

– Pse të falem dhe kujt t’i falem? Unë në lutjet tuaja nuk shoh kurrfarë urtësie. Për ç’arsye ato lëvizje dhe a nuk është e mjaftueshme vetëm përulësia?

– Kuptimi i faljes (së namazit) është thyerja e mendjemadhësisë. Me rënien në sexhde, me prekjen e tokës me ballë dhe me theksimin e “subhâne rabbije-l-a’elâ” e pranon vendin tënd, se ti në krahasim me All-llahun je i imët dhe i asgjëshëm, se je dhe… Kurse, sa u përket lëvizjeve në fjalë dhe mosmjaftueshmërisë së vetë përuljes, më lejo të të pyes para se të të përgjigjem: për ç’arsye është krijuar trupi dhe pse ti nuk kënaqesh vetëm me dashuri abstrakte e cila nuk e inkuadron në vete edhe trupin? All-llahu xhel-le shanuhu ta krijoi trupin që të ta zbulojë zemrën. Nëse në zemrën tënde ka diç, ajo do të tregohet në trup. Nëse adhurimi yt është i sinqertë, ti atë do ta manifestosh me trup, e nëse nuk është, atëherë do të mbetet vetëm në gjuhë.

– A beson ti se do të hysh në xhennet?

– Të gjithë do të shkojnë në xhehennem(!?..). Pastaj All-llahu do t’i shpëtojë ata të cilët kanë vepruar atë që e ka urdhëruar Ai dhe janë ruajtur prej asaj që Ai e ka ndalur. Unë nuk e di se a jam prej atyre të cilët do të jenë të shpëtuar. Atë e di vetëm I Gjithëdijshmi. Vepra mund të jetë e mirë, por qëllimi i cili qëndron pas saj ndoshta nuk është i mirë. Ndoshta dikush punon diç në emër të dikujt tjetër e jo në emër të All-llahut të madhëruar. Shumë ka prej atyre të cilët mashtrohen në parashikimet e tyre. Ne e lusim Zotin të na ruajë nga mashtrimet tona.

– A është e mundur që njeriu të jetë plotësisht i sinqertë?

– Njeriu vetë nuk mund ta arrijë sinqeritetin e plotë. Sinqeriteti është dhuratë e Zotit dhe Zoti xhel-le shanuhu ka premtuar se do ta drejtojë dhe orientojë në rrugë të vërtetë atë që i drejtohet.

Prandaj, nuk të mbetet asgjë tjetër përpos se t’i kthehesh Atij. Tek Ai është e amshueshmja!

Artikulli paraprakMBI MU’XHIZEN
Artikulli vijuesNE SENDËRTOJMË FATIN E KËSAJ BOTE, NDËRSA JU SENDËRTONI ILUZIONE