Raporti për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak i publikuar kohë më parë nga “Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë” është etiketuar si raport i ndikuar politikisht nga gazetari Visar Duriqi, i cili e ndihmoi autoren e tekstit të New York Times ku Kosova paraqitet si tokë të pëlleshme të ISIS-it.
Gazetari në fjalë ka pranuar se e ka udhëzuar gazetaren e NYT që mos t’i takojë disa nga OJQ-të, duke përfshirë edhe QKSS-në, pasi që sipas tij ka bërë raporte të ndikuara politikisht. E Shpend Kursani hartues i raportit të QKSS-së e demanton këtë gazetar.
“Gazetari në fjale nuk paska dhënë ndonjë mbështetje faktike për deklaratën e dhënë, andaj mbetet vetëm opinion i tij. Kështu që asgjë interesant dhe me vlerë nuk paska dhënë për publikun sa i përket temës në fjalë. Meqë këtë deklaratë e ka mbajtur në nivel të opinionit personal e jo të ndonjë hulumtimi pak me serioz gazetareskt nuk mund ta marr më seriozisht se sa opinion te tij si gazetar”, ka thënë Kursani për Indeksonline.
Ai ka ironizuar me gazetarin Duriqin, duke thënë se nëse opinioni i tij mbështetet me një fakt minimal, atëherë duhet të shpallet gazetar i dekadës, e pse jo edhe i shekullit.
“Nëse ky gazetar mund të mbështesë opinionin e tij edhe me një fakt minimal apo fakt krejtësisht të tërthortë ku mund ta bëjë lidhjen mes donacionit dhe ndikimit politik, atëherë do të duhej të shpallet gazetari i dekadës, e pse jo edhe i shekullit. Si autor i raportit, e pres këtë ndërlidhje të mbështetur me ndonjë fakt apo argument”, ka theksuar tutje Kursani.
Ai ka shkuar me tutje duke thënë se “për hir te argumentit, dhe këtë po e bejë vetëm për hir të argumentit, te themi se ka pasur ndikim politik”.
“Bile për hir te argumentit të themi se krejtësisht unë si autor i këtij raporti kam pasur ndikim nga jashtë në tërësi. Por pyetje ime serish mbetet se si ndryshohen faktet dhe te gjeturat e raportit edhe në rastin hipotetik të lartshënuar? Pra i bëjë thirrje studiuesve e gazetarëve që të merren me shumë me raportin, e jo me donacionin, autorin, apo edhe qendrën kush e ka bërë. A ka shume për t’u thurrur për atë raport, mirë dhe keq. Por fakti që gazetari merret me autorin, qendrën, dhe donacionin, e jo me raportin, po tregon se nuk ka çka të thotë për raportin”, ka thënë në fund Kursani. /Indeksonline/