Kurti: Po përgatitemi për protesta të fuqishme

Ish–lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, në emisionin “Info- Box” të TV Dukagjini, ka thënë se ata si lëvizje po përgatiten që ditët në ardhshme të organizojnë protestë të fuqishme dhe masive.
Sipas tij, momentalisht LVV-ja është duke organizuar tribuna nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.

“Gjithçka është në përgatitje të protestave. Marrëveshjet janë bërë brenda ditës…”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka theksuar se gjatë kësaj vere ka pasur shumë fjalë se Qeveria e Kosovës do të fusë në një pako Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) me Gjykatën Speciale, pastaj se FAK do të hyjë në pako me Zajednicën, duke shtuar se në fund paketa përbëhet prej Gjykatës Speciale dhe Zajednicës, transmeton Telegrafi.

Sipas Kurtit, njëra krijon një rrëfim të ri për Kosovën, tjetra e shpërblen Serbinë.

Ai duke folur për atë se marrëveshjet në Bruksel në mes Prishtinës dhe Beogradit u nënshkruan gjatë kohës që Kuvendi ishte në pushim, ka thënë se ekzekutivi kosovar “për të keq nuk e respektojnë pushimin e Kuvendit, kur duhet të bëhet diçka e mirë Kuvendi është në pushim. Nuk e kanë anashkaluar Kuvendin ata pse ishim në pushim, por sepse ata dëshirojnë që Kuvendi të pushojë përgjithmonë”.

“Nuk duam që të organizojmë protesta pa e shpjeguar qartë se çka paraqet Zajednica. Kemi mundur të organizojmë protesta, por duam që ato të jenë të fuqishme, prandaj po marrim më tepër kohë për përgatitjen e protestave të ardhshme. Rrëzimi i Qeverisë dhe ndalja e Zajdencisës, janë bërë një prelud”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka folur edhe për deklaratat e kryeministrit Mustafa, që e quajti gomar ish-liderin e VV-së, Kurti.

Ai tha se një deklaratë e tillë e Mustafës vjen me qëllim që të zhvendoset vëmendja nga zhvillimet negative në vend.

Ai ka thënë se decentralizmi i bërë në baza etnike, prej Pakos së Ahtisarit, tash po bëhet centralizim i komunave serbe, dhe se sipas tij, Zajednica nuk është si Republika serbe, po asaj rruge është duke shkuar.

Sipas tij, Zajednica po ua lë luftën në derë shqiptarëve.

“Ka ende shumë punë. Ditët, javët dhe muajt në vijim janë një mundësi e jashtëzakonshme për ndaljen e Zajednicës. Qysh e kemi ndal Jabllnoviqin, do ta ndalim edhe Zajednicën dhe do ta shkarkojmë Isën”, ka theksuar Kurti.

Ai ka theksuar se shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, janë të pakënaqur me Zajednicën, duke shtuar se reagimi qytetar nuk vjen në mënyrë spontante. Sipas tij, njerëzit po të mund të shprehën në referendum, nuk do të kalonte kurrë.

Shumica dërmues e qytetareve janë kundër Zajednicës.

“Me këto veprime po dëmtohen edhe brezat e ardhshëm. Po dëmtohen ata të cilët do ta kenë në duar vendin tonë, kur ne nuk do te jemi. Këta njerëz kanë përgjegjësi çka ndodh edhe pas 10 ose 15 viteve”, thënë Kurti. /Telegrafi/

Artikulli paraprakLëvizja Besa kërkon që rasti i “Magjar Telekom” të zbardhet deri në fund
Artikulli vijuesPër shkak të jo profesionalizmit, vdes një grua në Tetovë pas lindjes, mjeku është suspenduar