Kush do t’i bashkangjitet koalicionit LSDM-BDI, BESA apo Aleanca për Shqiptarët?

Bashkimi Demokratik për Integrim në mbledhjen e Kryesisë Qendrore gjatë ditës së djeshme vendosi që përveç dorëzimit të nënshkrimeve për marrjen e mandatit nga ana e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev do jenë pjesë e qeverisë së re në koalicion me këtë parti.

Por as 10 deputetët e BDI-së nuk mjaftojnë që të sigurohet formimi i shumicës së re parlamentare. Pra gjithsej, dy partitë, LSDM-BDI kanë 59 deputetë, mungojnë edhe dy deputetë, gjë që e kushtëzon formimin e qeverisë edhe me koalicionimin e së paku një partie tjetër.

Opsionet janë: BESA e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët me 3 deputetë dhe PDSH me 2 deputetë.

Nga Aleanca për Shqiptarët, thonë se ende nuk kanë vendosur për pjesëmarrje ose jo i tyre në qeverinë e re. Por Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Aleance, Arben Taravari është i sigurt se do ta përkrahin qeverinë e udhëhequr nga LSDM, ndonëse nuk dihet në çfarë forme.

“Skemi vendim ende, do e shqyrtojmë këtë. Por mendoj se do e pëkrahim 100% qeverinë e re të udhëhequr nga LSDM, vetëm nuk e dijmë a do të jemi direkt të kyçur në qeveri”, ishte konciz në deklaratën për tesheshi.com Arben Taravari.

Ndërsa nga ana tjetër, zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani tha që vendimi i kryesisë së partisë tyre varet nga veprimi i presidentit Ivanov, nëse do të rishqyrtoj vendimin për dhënien e mandatit, partisë e cila siguroi nënshkrimet e 67 deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. Ndërsa sa i takon qeverisjes së Zaevit, Murtezani tha që qeveria mund të formohet edhe pa pjesëmarrjen e Lëvizjes Besa dhe se ato do të bashkëqeverisin vetëm nëse mandatari i ri do ju bëjë ndonjë ofertë për pjesëmarrje në qeveri.

“Numrat për formimin e qeverisë i kanë LSDM, BDI dhe Aleanca. Në rast se mandatari i ardhshëm na dërgon ndonjë ofertë për pjesëmarrje në qeveri, atëherë konform asaj oferte organet e Lëvizjes Besa do marrin vendim. Aktualisht po presim si do zhvillohet situata më tej dhe në radhë është presidenti, të shohim a do e tërheq vendimin e tij dhe të shohim nëse do e jep mandatin ose jo. Aktualisht nuk ka ndonjë vendim tjetër të kryesisë së partisë, pos atij për dhënien e nënshkrimeve për formimin e shumicës parlamentare”, ka deklaruar Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Orhan Murtezani më tej tha se kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov duhet t’i marrë seriozisht rekomandimet dhe sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, pasi që siç tha ai, gjithë ato sugjerime vijnë nga miqtë tanë si shtet të cilët këtij vendi i kanë ndihmuar për gjatë gjithë këtij procesi dhe se të gjitha ato sugjerimet dhe rekomandimet janë për të mirën, para se gjithash të shtetit, pastaj edhe të të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

Opsioni i tretë me PDSH-në, pjesë e qeverisë as që është diskutuar deri tani. Po ashtu, edhe nga kjo parti nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim konkret se cili do jetë pozicioni tyre në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë, pozitë ose opozitë. /tesheshi

Artikulli paraprakKosova për 10 muaj ka shpenzuar 2.2 miliardë euro për produkte të huaja
Artikulli vijuesStavileci paralajmëron qendra të ekonomisë kreative në bashkëpunim me Microsoft