Kuvajt: Mbahet konferenca e donatorëve për Sirinë

Donatorët ndërkombëtarë janë takuar në Kuvajt për mbledhjen e fondeve për ta ndihmuar Sirinë, e cila është e përfshirë nga lufta civile.
Takimi i kryesuar nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, po mbahet një javë para konferencës ndërkombëtare paqësore për Sirinë në Gjenevë të Zvicrës.

Kombet e Bashkuara thonë se takimi në Kuvajt, që është i dyti i këtij lloji, synon mbledhjen e afro 6.5 miliardë dollarëve për Sirinë, për t’i plotësuar kërkesat për vitin 2014.

Në konferencën e vitit të kaluar, po ashtu në Kuvajt, ishin mbledhur më tepër se 1.5 miliardë dollarë për ndihma humanitare.

Në mesin e atyre që merr pjesë në konferencën e sotme është sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i cili së bashku me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka shpallur se qeveria e Sirisë dhe forcat e moderuara opozitare janë pajtuar për lejimin e ndihmave humanitare në pjesët e bllokuara të Sirisë.

Por, organizata Human Rights Watch thotë se regjimi i Sirisë ende po e bllokon shpërndarjen e ndihmave. /Rel/

Artikulli paraprakSërish të shtëna në shkollat amerikane (Video)
Artikulli vijuesDeputeti Ahmeti: Alaram, Kosova në rrezik prej antiteistëve