Kuvendi me Rezolutë antikushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë në pah se Kuvendi i Kosovës, më 7 prill të vitit të kaluar, ka miratuar një rezolutë, përmbajtja e së cilës nuk është në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit – Kushtetutën.

 Bëhet fjalë për Rezolutën, e cila i ka dhënë mbështetje marrëveshjes politike ndërmjet Behgjet Pacollit, Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme presidenciale, shkruan “Koha Ditore”.

Një ditë më herët, autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës ka ardhur në përfundim se shkurtimi i parakohshëm i mandatit të presidentes i pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës.

Në rrethanat aktuale, ky opinion i Gjykatës Kushtetuese pritet të shkaktojë telashe në rrjedhën e reformës kushtetuese që është duke u zhvilluar brenda në Kuvendin e Kosovës. Zyrtarë të lartë institucionalë kanë paralajmëruar se Komisioni Kushtetues nuk mund t’i heqë kufizimet kohore për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, pa u shfuqizuar paraprakisht Rezoluta, e cila shprehimisht thotë: “Kuvendi mbështet afatin kohor të përmbajtur në Memorandum, sipas të cilit zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë do të mbahen jo më vonë se 6 muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi”. 

Artikulli paraprakEksperimenti i demokracisë në Libi nis nga zeroja
Artikulli vijuesOKB dënon vrasjen e çiftit serb