Ky jetim nga Llopata e Kumanovës ka nevojë për ndihmën tuaj (Foto)

15 vjeçari, Argjent Dërmaku tashmë nuk ka asgjë: Pa prindër, pa strehë, pa ushqim, pa veshmbathje… e gjen çdo agim. Nuk ka mbështetje e as vizion. Argjenti ka nevojë për ndihmë.

Argjent Dërmaku asnjëherë nuk e njohu babanë, pasi prindërit ishin shkurorëzuar para lindjes së tij. Ndërsa ka dy vite që i vdiq e ëma. Me vdekjen e saj, Argjenti braktisi shtëpinë e dajës në fshatin Llopat të Kumanovës, ku jetonte me të ëmën, për shkak se, sipas fshatarëve, daja nuk është në gjendje të kujdeset as për veten. Prej atëherë xhamia qe i vetmi vend, ku Argjenti arriu të strehohej.

“Më mungon shumë nëna! U bënë dy vite që nuk e kam më.”- hapi zemrën për Portalb vetë Argjenti. I pyetur se a ka ndonjë familjar, i cili kujdeset për të, ai tha: “Jo, askush nuk interesohet për mua. Jam i vetëm. Ndonjëherë shkoj te tezja në fshatin Opajë. E kam dhe një dajë këtu në fshat, por po bëhen dy vite që kur nuk kam qenë te ai.”

“Më herët kam jetuar në shtëpinë e dajës. Pastaj në një institucion për fëmijët pa prindër, por nuk munda të qëndroj aty… Prej kur jam kthyer kam qëndruar në xhami. Ndërsa ka një javë që fillova të punoj në fermën ‘Festimi Farm’. Tani atje po qëndroj, atje më japin për të ngrënë po edhe flej ndonjë natë. Pronari i fermës sillet me mua sikur të jemi familje, por nuk e dij edhe sa do të qëndroj me të, ndoshta edhe një javë.”

Argjenti rrëfen se bashkëfshatarët e ndihmojnë, “Ndonjëherë më japin për të ngrënë a për të veshur diçka.”, por thekson se përveç ushqimit, nevoja e tij kryesore është strehimi i përhershëm “Kam shumë nevojë për një shtëpi. Dua të kem një vend ku do të flej natën.”

Pavarësisht faktit se moshatarët e tij vijojnë mësim nëpër shkolla të mesme ai nuk ka një vullnet të tillë “Jam në vit të parë në shkollën e mesme ekonomike, por nuk shkoj rregullisht. Nuk kam libra, prandaj.” Ndërsa deklaroi se është i gatshëm të punoj çfarëdo lloj pune.

Përndryshe 15 vjeçari ndonjëherë luan futboll, ndërsa çdo ditë shëtitet me biçikletë. “Më pëlqen shumë të shëtitem me biçikletë.”-tha ai, derisa duket se biçikleta është e vetmja gjë që ka./Portalb.mk

Kontakt: 071 849 170 (Ibrahim Sulejmani, imami i xhamisë së fshatit Llopat)

Kontakt: 071 849 170 (Ibrahim Sulejmani, imami i xhamisë së fshatit Llopat)

Artikulli paraprakKujt po i pengojnë shtëpitë e Allahut
Artikulli vijuesTetova, qyteti më i ndotur në botë