Lekaj: Demarkacioni kalon, nëse Mali i Zi pranon të rinegociohet për të gjeturat

Në një deklarim të orëve të vona për Radio Dukagjinin, pas përfundimit të darkës së Hajvalisë, Pal Lekaj – ministër i Infrastrukturës dhe nënkryetar i AAK-së, ka dhënë detaje rreth asaj se çfarë është biseduar në këtë takim, derisa ka konfirmuar raportimet gjatë ditës së sotme të Gazetës Blic në lidhje me Demarkacionin.

Lekaj fillimisht ka thënë se darka ka pasur për qëllim ofrimin dhe komunikimin e ndërsjellë mes kolegëve dhe se nuk është biseduar fare për demarkacionin.“As që është biseduar për Demarkacionin. Demarkacioni është në procedurë për nesër në kryesi të Kuvendit. Kemi folur për projekte zhvillimore”, tha Lekaj i AAK-së.

I pyetur nga Radio Dukagjini se nëse Mali i Zi, gjatë vizitës së pasnesërme të kryeministrit malazez në Kosovë, pajtohet që të rishikohet çështja e demarkacionit dhe gabimet e mundshme në të ardhmen me kusht që demarkacioni fillimisht të kaloi në Kuvendin e Kosovës si i tillë dhe do të ndërrojë qëndrim AAK, Lekaj është përgjigjur:“Po të jeni të bindur, që nëse kryeministri i Malit të Zi ndërron qëndrimin, pra dakordohet që të rinegociohet për të gjeturat, ne vetëm dakordohemi. Por kryeministri i Malit të Zi duhet të nënshkruajë paraprakisht për një dakordancë të tillë”, deklaroi Lekaj.Në rrethanat aktuale, Lekaj i AAK-së edhe sonte rikonfirmoi qëndrimin kundër të kryeministrit dhe kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, rreth variantit aktual të demarkacionit, si çështje e kryer.

Gazeta Blic gjatë ditës raportoi se të martën, pas vizitës së kryeministrit malazez, demarkacioni mund të marrë fund.Sic merr vesh Gazeta Blic nga burime të afërta me Qeverinë e Kosovës, nga takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atij malazez, Dushko Markoviq, sipas të gjitha gjasave do të arrihet të gjindet një zgjidhje për demarkacionin.“Pritet që nga ky takim të gjindet një zgjidhje për demarkacionin. Sipas të gjitha gjasave, kryeministri i Malit të Zi, do të pajtohet që ta potencoj mundësinë e korrigjimit, nëse konstatohen gabime në shënjimin e kufirit ndërmjet dy vendeve”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Gjithnjë sipas këtij burimi, ky zotim i kryeministrit të Malit të Zi për demarkacionin, do ta zgjidhë përfundimisht këtë cështje, dhe deputetëve kosovarë do t’ua bëjë më të lehtë që të vendosin për këtë marrëveshje.Gjatë ditës së sotme, edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, ka thënë se takimi mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atij të Malit të Zi, Dushko Markoviq, do të jetë mundësi që të arrihet shansi për një zgjidhje të shpejtë e cila do t’i mundësonte qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave.“Çka do që të ndodh, mendoj se gjërat janë relativisht të qarta:? Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është një prej kushteve më të rëndësishme për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës, natyrisht, përveç luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Sholtes për të përditshmen malazeze “Pobjeda”.Ai ka folur për mundësi të reja për zgjidhjen e kësaj cështjeje.

“Mund të arrihet edhe ndonjë zgjidhje tjetër që do të mund të çonte në zhbllokim në Parlamentin e Kosovës, ndonjë formulë e dytë apo e tretë përmes së cilës do të zgjidhej çështja e demarkacionit të kufirit. Por, për këtë mund të flasim pas takimit mes dy kryeministrave”, shtoi Sholtes.Ndërkohë, edhe marëveshja e arritur në vitin 2015 për shënjimin e kufirit ndërmjet dy vendeve, gjegjësisht pika e 7 e kësaj marrëveshje parashikon korrigjime të demarkimit.“Komisionet Shtetërore të kufijve të palëve do të formojnë një Trup të përbashkët pune në juridiksionin e të cilit do të jetë që, në bazë të dokumenteve të përcaktuara në nenin 2 të kësaj Marrëveshjeje, të kryejë në terren shënjëzimin e kufirit të përcaktuar me këtë marrëveshje dhe të krijojë dokumentacionin për kufirin e përbashkët shtetëror, në të cilin do të bëhet përshkrimi I mënyrës së shënimit të saj dhe përcaktimi i pozicionit të shenjave kufitare”, thuhet ndër të tjera në nenin 7 të kësaj marrëveshje, raporton Gazeta Blic.

Sipas kësaj pike, thuhet se korrigjimet mund të ndodhin vetëm nëse ka pajtueshmëri ndërmjet dy palëve.“Duke u nisur nga kushtet lokale, gjeografike dhe ekonomike në përgjithësi, Trupi i përbashkët i punës për shënjimin e kufirit shtetërir, do të ketë mundësi që me pëlqimin e dyanshëm, të bëjë korrigjimet e nevojshme dhe të ekulibruara”, thuhet ndër të tjera në këtë pikë.

 

Artikulli paraprakKëtë javë pritet që përfundimisht të bëhet e ditur se çfarë do të ndodhë me Demarkacionin
Artikulli vijuesNënshkruhet kontrata për rrugën e Arbërit