Nënshkruhet kontrata për rrugën e Arbërit

0
351

Në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u firmos sot kontrata e koncesionit me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”. Kontrata u firmos nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Gentian Keri dhe Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion”, Rrok Gjoka.

Në përfundim të ceremonisë së firmosjes, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri tha se konçensioni do t’i kushtojë shtetit shqiptar 240 milion euro.

“Është një vepër që do të kushtojë 240 milion euro dhe në këtë kontratë ne kemi parashikuar që shteti do të marrë përsipër të likujdojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare. Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge gjatë gjithë periudhës së koncesionit”, theksoi Gjiknuri.

Duke sqaruar se kjo është eksperienca e parë e firmosjes së një kontrate të tillë, ministri Gjiknuri sqaroi se do të vazhdoohet edhe me projektet e tjera të mëtejshme të Partneritetit Publik-Privat.

“Siç tashmë publiku është i njohur, kemi disa projekte të cilat ne gjatë këtij viti do ti tenderojmë, do ti negociojmë, do ti kontraktojmë dhe jam i bindur që viti 2019, 2020, 2021 do jetë vite të kantiereve të mëdha të ndërtimit. Unë i uroj shumë suksese kompanisë dhe jam i bindur se do kemi një projekt të suksesshëm dhe sëbashku do shkojmë tek qytetarët dibranë për t’u dhënë lajmin e mirë”, nënvizoi Gjiknuri.

Ndërkaq, Presidenti i “Gjoka Konstruksion” garantoi se kompania do të zbatojë me rigorizitet angazhimet e marra përsipër në këtë kontratë koncesioni.

“Falënderoj qeverinë dhe ministrin për besimin. Më në fund duket që qeveria ka filluar të besojë tek kompanitë shqiptare. Premtoj që nuk do të zhgënjej, do ta realizojmë në cilësi dhe në afat”, u shpreh Gjoka.