Leter e hapur akademikut Mehmet Kraja

I nderuar z. Mehmet Kraja
E lexova letrën tuaj drejtuar myslimaneve të Facebook-ut me kërshëri, duke menduar se ju jeni nga të paktët, në mos i vetmi, që u shkruani një letër myslimaneve. Letër në të cilën gjenden fjalë të buta, me përmbajtje të ashpër. Mendova se edhe pse nuk e kam një pozicion si të tuajin, nuk jam pjesë e asnjë strukture akademike, do të ishte e vlefshme që të kishte të tilla komunikime edhe pse në distancë për t’u fjalosur.
1. I nderuar! Nuk besoj se duhet të ndiejmë keqardhje nëse tjetri i përket një grupi njerëzish, qofshin këta ateistë, majtistë, të djathtë, sekularë, anarkistë, të krishterë, ortodoks, etj. Në realitetin ku jetojmë dhe përtej ekzagjerimeve gjëja për të cilën dikujt i vjen keq ne fakt është ekzistenca e shqiptareve myslimanë në shoqërinë shqiptare. Në të gjitha rrafshet, qoftë në nivelin e raporteve të të tjerëve me myslimanët, qoftë gjendjes së vet komunitetit në brendësi, parë këto nga këndvështrimi social, ekonomik, politik e përgjithësisht kulturor.
Disa vite më parë kamë thënë se do të isha shumë i lumtur nëse shteti ynë (Shqipëria dhe Kosova) do të na trajtonte neve myslimanëve ashtu siç i trajton pakicat. Është cinike mënyra se si monitorohen pakicat, jo vetëm nga institucionet ndërkombëtare, organizatat e ndryshme por edhe institucionet e vendit.
Ju flisni për “kampin tonë” dhe i karakterizoni një pjesë të tyre me një sërë epitetesh, sigurisht të gjindshëm në mesin tonë dhe nuk flisni aspak për  “kampin tuaj”, mjaftoheni vetëm me një epitet, duke i quajtur “pordhaxhinj”. Por unë ju garantoj, ashtu sikurse edhe e dini, se ka në “kampin tuaj” më keq se pordhaxhinjt. Ne kampin tuaj do të gjesh mashtrues, manipulues, karrieristë të cilët ndërtojnë karrierë mbi vuajtjet e myslimanëve, dhe me keq akoma, do të gjeni në mesin tuaj njerëz që kanë deklaruar hapur dhe publikisht zhdukjen e myslimanëve duke e parë ligjin si mjet, e shpeshherë edhe armët. E këta nuk janë më pordhaxhinj, i nderuar.
Gjithashtu ju evidentoni se feja ka degjeneruar në ideologji, jam plotësisht dakord me ju, por ju nuk merrni guximin të tregoni nëse ky degjenerim i fesë në ideologji është aksion apo reaksion. Ndërsa unë kam bindjen se ky është reaksion i cili ka ardhur si pasojë e atij trajtimi të keq e të ulët që shteti  ua bën qytetarëve që e identifikojnë veten si myslimanë të devotshëm.
2. Me ndjeni i nderuari akademik për pyetjen qe ju parashtroni, se çfarë do të bëjnë myslimanët me Kosovën, a do ta çojnë atë në Lindje apo në Perëndim? Por unë personalisht nuk jam dakord me këtë pyetje, jo sepse ajo nuk ekziston, por unë besoj se kjo pyetje do të duhej të radhitej diku mes të tretës dhe të katërtës sipas rendit. Ndërsa pyetja kryesore është: A do ta bëjmë Kosovën?
Me kë dëshironi ta bëni ju z.Kraja, a dëshironi ta bëni Kosovën vetëm me veten tuaj duke përjashtuar një pjesë të popullatës (konkretisht myslimanët) e më pas t’ua impononi kësaj pjese atë që ju përshtatet juve politikisht dhe ata do të bëjnë “peqe lepe”? Apo dëshironi ta bëni Kosovën në mënyrë gjithëpërfshirëse ku gjithkush ta gjejë vetveten përmes kontributit në ndërtimin e vendit të tij?
Kjo është ajo që nuk është thënë haptazi në nivelet e elitave ku ju aderoni.
Pikat që ju keni vendosur në lidhje me historinë janë të pavlefshme sepse ndikimi në një shoqëri është memoria historike dhe jo Historia si shkencë. Kur Historia përdoret e shndërrohet në një instrument ideologjik për të ndarë të mirët nga të këqijtë, tradhtarët nga atdhetarët, atëherë kjo, përveç faktit që nuk është aspak origjinale, ajo është fatale për një shoqëri të lirë.
E me pas, konvertimi i shqiptareve, mbrojtja e identitetit, Skënderbeu, Lidhja e Prizrenit, çdo të thotë kjo për ju? Nuk janë myslimanët e kësaj gjenerate që kanë folur, janë rilindësit që me aq mund po shenjtërojmë, është Samiu, Konica, Noli, Abdyl Frashëri, etj.
Pavarësisht kësaj ju flisni për “identitet perëndimor të shqiptareve të ndërtuar mbi mitin e Skënderbeut”. Ky qëndrim, mua nuk më vjen aspak si akademik, por ideologjik e propagandistik dhe nuk u prishë punë aspak shqiptarëve myslimanë edhe nëse propagandoni ideologji për interesa afatshkurtra. Fakti që kanë ndodhur incidente nuk ju jep asnjë të drejtë juve të akuzoni komunitetin mysliman në tërësi, ashtu sikurse ne nuk kemi të drejtë të ju përfshijmë tek “pordhaxhinjtë”.
Besoj se në këtë rast po shkelni tërë krenarinë kombëtare dhe historike duke u dhënë përparësi fuqive të mëdha në krijimin e shtetit shqiptar, përkundër meritave të Ismail bej Qemalit dhe bejlerëve të tjerë orientalë. Kjo gjuhë është e njëjtë me gjuhën e historianëve greko-serbë të cilët akuzojnë fuqitë e mëdha në këto procese historike.
Dhe në fund, i nderuar, në këmbim të asaj që na paskan pas bërë fuqitë e mëdha, “diplomacinë” që na e ofroni, që në “fshatin”  tonë shqiptar e quajmë sahan-lëpirje dhe kjo është përtej karakterit që na është kultivuar ndër shekuj. Më vjen keq, por kjo është fyerje e rëndë.
(3)
Pra ju i nderuar, u shprehet hapur për “matje forcash” dhe me ndjeni ju lutem, por kjo hyn në kategorinë e “pordhaxhinjve” dhe unë po pyes se kujt i shërben matja e forcës? A është ky kërcënim? Apo do të duhet ta konsiderojmë e cilësojmë vetëm si “përkujtim”?
Fanta-publicistike!!!
Gjuhë arkaike, propagandistike e asaj kohe kur krahë të lirë kishin vetëm ata “qoftëlargët” që mbanin pozita, sigurisht akademike të diktuara.
Nëse keni akuza konkrete, i nderuar, për spiunazh, çojini në prokurori, mos iu drejtoni Facebook-ut. Nëse pjesa tjetër e akuzave janë romantike, bëjini roman, mos iu drejtoni Facebookut.
Ju shtrëngoj dorën dhe ju heq kapelën për të gjitha evidentimet që ju keni bërë për përdorimin e xhematit për qëllime politike, por ky nuk është fenomen që ekziston vetëm tek xhematet myslimane, ky është fenomen që ekziston në të gjitha “xhematet”  kosovare, myslimane dhe jo-myslimane. Pra ky është fenomen shqiptar pa përkatësi feje, zakoni dhe krahine.
Përse ju i nderuar akademik u tregoni myslimanëve se droga, prostitucioni, krimi, korrupsioni etj. gjenden në Kosovë me shumë se kurdoherë? A mos vallë ju po i akuzoni myslimanët si pjesë e të gjitha këtyre të këqijave që gjenden aty? Në cilin ambient ku predikohet dhe praktikohet feja keni gjetur mbështetje të këtyre krimeve?
Mbase ju keni dëshiruar të shpreheshit për pafuqinë e myslimanëve për t’i parandaluar këto fenomene, por myslimanët nuk bëjnë as rolin e prokurorit e as rolin e policit.
Mua vërtet me vjen keq që ju e keni ndjerë veten keq si në një vend të pa-civilizuar, por civilizimi nuk është diçka që matet, por është këndvështrim dhe askush s’ka të drejtë ta absolutizojë. Megjithatë droga, prostitucioni, krimi dhe korrupsioni që ju i përmendet, janë elemente që sot gjenden në vendet e ashtuquajtura të civilizuara, pra që ju po pretendoni se i vizitoni.
Pastaj si ka mundësi, që ju e shihni vetën si pjesëtar i një shumice në Kosovë, në të njëjtën kohë të ndjeheni kaq inferior përgjatë 1 muaji të agjërimit? A mos vallë ky është tregues se jeni thjeshtë një pakicë inferiore?
Një tjetër gjë e cila duhet të shqetësojë është kur ju i nderuar përshtypjen tuaj e gjeneralizoni dhe e shprehni si opinion masiv popullor dhe shpesh herë, në kuadër të kësaj propagande flet, po në emër të këtij populli dhe në dëm të tij. Si për shembull, kur flisni mbi agjërimin, që me sa duket nga përshtypja juaj del të ketë qenë, një manifestim a dukuri fetare masive në Prishtinë. Unë po ndihem i ngazëllyer nga ky konstatim dhe nuk po më lë përshtypje paragjykimi yt. Ju e dini ose duhet t’ua mësojë që ta dini: supozimet, hamendësimet, nuk janë argumente.
Alban Çuli
Artikulli paraprakNe emer te ciles shumice flet Mehmet Kraja?!
Artikulli vijuesA kanë qenë shqiptarët në Perandorinë Osmane të sunduar e të shtypur apo bashkësundimtarë me osmanët turq?