Letër e hapur drejtuar komunitetit LGBT: ja pse muslimanët nuk ju mbështesin

Nga Daniel Hakikatu

Më lejoni t’ju shpjegoj pse unë si musliman nuk e “mbështes” komunitetin LGBT.

Sa për të qenë të qartë, vraja e njerëzve, kudo qofshin: në shkollë, në kishë apo në një klub gay, nuk është asnjëherë e pranueshme. Është e mërzitshme dhe absurde që më duhet ta jap këtë garanci – që unë si musliman jam i detyruar të bëj një shfajësim të tillë, pasi përndryshe do të portretizohesha si gjakpirës, homofob, i aftë për të vrarë. Por ja që jam i detyruar ta bëj.

Ndjej keqardhje për ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur në këtë vrasje (Orlando). Besoj se janë duke vuajtur shumë. Edhe përpara kësaj ngjarjeje, në të kaluarën kam shpjeguar dhe kam shkruar se dhunimi, sulmi apo vrasja pa dallim e njerëzve vetëm pse vetëidentifikohen si gay është diçka që muslimanët duhet ta kundërshtojnë në bazë të parimeve të tyre fetare.

Tani, pas atyre që përmenda, më duhet të them se unë nuk e mbështes lëvizjen për të “drejtat e homoseksualëve”. Por kjo nuk do të thotë se nuk më bëhet vonë për ata që e konsiderojnë vetën gay. Në fakt, më interesojnë shumë. Thjeshtë nuk besoj se vendimi që kanë marrë për seksualitetin e tyre është diçka e mirë për ta dhe se do t’u sjell ndonjë të mirë në terma afatshkurtra apo afatgjatë. E për këtë arsye, nuk do t’i përkrah këto vendime të gabuara, por do t’i nxis në mënyrë aktive për një rrugë më të mirë.

Të “mbështesësh komunitetin LGBT” me të gjitha qëllimet dhe synimet e tij do të thotë të mbështesësh ato identifikime dhe ato zgjedhje, të cilat besoj se janë të pamoralshme dhe të pa arsyeshme. Prandaj, për këtë arsye mjaft të thjeshtë, unë nuk mund t’i “mbështes” ata në këtë drejtim. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk më intereson mirëqenia, lumturia dhe suksesi i tyre si qenie njerëzore. Në fakt, nga këndvështrimi im, unë interesohem më shumë se ata që janë të kënaqur dhe e miratojnë atë që unë dhe feja ime e konsiderojmë si sjellje vetë shkatërruese. Por kjo shkon përtej qëllimit të këtij shkrimi.

Të gjitha fetë dhe filozofitë në jetë u kërkojnë pjesëtarëve të tyre t’i përmbahen një pikëpamjeje morale të caktuar kur vjen puna të seksualiteti. Madje edhe humanizmi sekular ka të lejuarat dhe të ndaluarat e veta kur vjen puna te jeta seksuale e njerëzve. Momentalisht, një sistem moral seksual është pikëpamja dominuese. Një pikëpamje që pak nga pak po ngulitet në ligje shtetërore. Por ndodh që kjo pikëpamje të jetë në kundërshtim me sistemin moral seksual islam për sa i përket afrimitetit me të njëjtin seks.

Tani mund të diskutojmë sa të doni se cili sistem është më i miri, cili është më interesant, më i drejtë etj. Jam i gatshëm ta diskutojmë. Por, në fund fare, besimi në lidhje me këtë problem nuk do të më lejojë mua me ndërgjegje të plotë ta mbështes apo ta përgëzoj lëvizjen LGBT.

Tani pyetja është, a kam unë të drejtë ta shpreh besimin tim? Apo do të dhunohem dhe do të ma mbyllin gojën duke më detyruar të mbaj një qëndrim që është thelbësisht në kundërshtim të madh më etiken dhe besimin tim fetar?

Demokracia pohon se mund të strehojë në gjirin e saj besime të ndryshme, madje edhe ato që janë në konflikt me njëra-tjetrën. E nëse demokracia liberale sekulare është vërtetë tolerante ndaj diversitetit të besimeve, atëherë besimi im fetar duhet të lejohet dhe të mbrohet. Nëse demokracia liberale sekulare është ashtu siç pretendon të jetë, sidomos në lidhje me trajtimin e minoriteteve fetare, atëherë nuk duhet t’i detyrojë muslimanët (dhe grupet e tjera fetare) që të pranojnë diçka që bie kryekëput në kundërshtim me besimin e tyre.

Si mund të pretendojë liberalizmi sekular se është tolerant ndaj besimeve fetare kur u kërkon disa grupeve që të braktisin besimin e tyre? Nëse nesër miratohen ligje ku kërkohet për shembull që institucionet muslimane të mos diskriminojnë askënd në bazë të orientimit seksual, t’u kërkohet drejtuesve muslimanë që të mos i konsiderojnë më mëkat marrëdhëniet brenda të njëjtit seks, të heshtet çdo ligjërim kundër normatives homoseksuale, t’u kërkohet bizneseve muslimane që t’u ofrojnë shërbime martesave brenda të njëjtit seks, t’u kërkohet shkollave islame dhe xhamive që të mos diskriminojnë askënd në bazë të orientimit seksual gjatë praktikave të tyre, etj., etj. Po atëherë si mund të quhet tolerancë kjo, kur të gjitha këto gjera, nga perspektiva jonë, do të shkatërronin fabrikën morale të komuniteteve dhe do të minonin në themel besimin dhe autonominë tonë?

Puna është se problemi i përputhjes së “lirisë së besimit” dhe “të drejtave të homoseksualëve” për muslimanët nuk është diçka e vështirë për t’u zgjidhur. Ky është një problem i sekularizmit liberal që kërkon zgjidhje, meqë pretendon se është në gjendje të puq komunitete të ndryshme nën një sistem ligjor dhe nën një qeveri të vetme. Nëse një shtet i tillë sekular liberal u kërkon muslimanëve që të pranojnë diçka në kundërshtim me fenë e tyre, atëherë kjo vërteton se vizioni sekular liberal i tolerancës universale është thjeshtë një mirazh dhe se shtete të tilla nuk ndryshojnë shumë nga regjimet e tjera autoritare dhe teokratike që u imponojnë njerëzve besime të caktuara me forcën e ligjit.

Prandaj, shpresoj që kjo të shpjegoj deri diku pse unë mund të jem musliman e njëkohësisht të kem një qëndrim politik dhe etik parimor kundër praktikave dhe sjelljeve që besoj se janë thellësisht të pamoralshme. Për sa kohë që dikush i mbron disa vlera morale, atëherë si mund të mbështes diçka të tillë? Përkundrazi, kam detyrimin që ta denoncojë diçka të tillë dhe të marr pjesë politikisht në demokraci në bazë të këtyre vlerave morale – pasi kjo është ajo që kërkon morali dhe qëndrueshmëria intelektuale. E nëse nuk më lejohet që të angazhohem politikisht në bazë të vlerave të mija morale, atëherë nuk ka fare kuptim të thuhet se unë si qytetar jam pjesëmarrës në demokraci.

Më lejoni këtu të hap një paragraf të veçantë mbi nocionin që thotë: “urre mëkatin e jo mëkatarin”. Kjo vlen edhe në këtë rast. Ka muslimanë në botë sot që luftojnë kundër dëshirave dhe tundimeve ndaj të njëjtit seks. Ata nuk duan t’i kenë këto dëshira, por ja që i kanë, dhe mundohen t’i binden etikës islame duke u përmbajtur. Ne duhet t’i mbështesim këto motra dhe vëllezër, e jo t’i nxisim që të bien pre e dëshirave e të kryejnë mëkat të madh. Duhet t’u ofrojmë një shpatull ku të mbështetën dhe t’i dëgjojmë shqetësimet e tyre, në mënyrë që t’i mbështesim në rezistencën e tyre nga dëshirave të ulëta. E njëjta mbështetje duhet t’u jepet edhe muslimanëve “heteroseksualë”, që i luftojnë dëshirat e tyre ndaj seksit të kundërt e që ndiejnë një dëshirë të fortë për të kryer marrëdhënie seksuale paramartesore apo kur duan të kryejnë tradhëti bashkëshortore. Tek e fundit, nga perspektiva tradicionale islame, dëshirat bazike (shahavatet) trajtohen njësoj, qofshin ato dëshira ndaj të njëjtit seksi, apo seksit të kundërt.

Për me tepër, xhamitë duhet të jenë gjithmonë të hapura ndaj këtyre njerëzve. Gjithashtu duhet të ketë konsultime fetare. Sigurisht, e kuptoj se kjo mund të konsiderohet mjaft ofenduese dhe një tabu në diskursin dominant, i cili kërkon një orientim të natyrshëm seksual dhe të pandryshueshëm, si dhe e konsideron shtypëse shkurajimin e një personi për të vepruar kundër çfarëdo orientimi që ka. Por, e përsëris, si musliman unë nuk kam pse ta pranoj diçka të tillë. Edhe nëse e pranoj konceptin e orientimit seksual, unë nuk kam pse të besoj se ky orientim është i pandryshueshëm, apo se është e dëmshme t’i nxis njerëzit që t’i binden disa zakoneve seksuale edhe kur ato janë në kundërshtim me këtë orientim.

Unë e kuptoj se komuniteti LGBT dhe aleatët e tij janë krejtësisht kundër dhe ndihen të ofenduar nga shumica e asaj që kam shprehur këtu. Por ky komunitet gjithashtu pretendon se është tolerant ndaj mendimeve dhe perspektivave ndryshe. Atëherë, le të shohim nëse është vërtetë kështu, apo nëse toleranca e tyre mbaron aty ku fillon besimi i muslimanëve.

Observer.al

Artikulli paraprakButel: Gjykata Kushtetuese vendos të enjten për Kryqin 55 metra të gjatë kryqi
Artikulli vijuesPapa: Thaçi deshi të konvertohej në katolik por është i bërë synet