Kryesia Qendrore e Lëvizjes BESA mbrëmë mbajti mbledhje, në të cilën, mes tjerash, diskutoi edhe për protestat që këto ditë zhvillohen në Shkup.
“Duke iu referuar edhe konkluzioneve të mëparshme që i ka marrë Kryesia e Lëvizjes BESA, si dhe qëndrimit të SHBA-ve dhe BE-së se nuk janë përmbushur kushtet e nevojshme për zgjedhje të drejta dhe demokratike, por edhe faktit se Kryetari i shtetit tashmë e ka suprimuar punën e Prokurorisë Speciale Publike, madje e ka rrezikuar edhe vetë Marrëveshjen e Përzhinos, Lëvizja BESA ka vendosur që t’i mbështesë të gjitha aktivitetet e shoqërisë civile, që organizohen në drejtim të pengimit të organizimit të zgjedhjeve më 5 qershor dhe që kanë për qëllim rikthimin e demokracisë në vend dhe riparimin e institucioneve tashmë të rrënuara.
Për këto arsye, si dhe duke pasur parasysh se ky regjim është dëshmuar edhe si regjimi më antishqiptar, anti-NATO dhe anti-BE dhe i cili e ka kapur keq edhe vullnetin politik të shqiptarëve – duke i kapur partitë shqiptare në pushtet, Lëvizja BESA i mbështet këto protesta, sepse ato janë mënyra e fundit e shpëtimit të këtij vendi dhe e kthimit të demokracisë”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes.