“Lëvizja BESA po e ndjek me shqetësim situatën e krijuar në Komunën e Tetovës me rastin e hapjes së “Jugohromit”, që konsiderohet si një prej ndotësve më të mëdhenj të mjedisit në këtë rajon, kjo për shkak të mosrespektimit të parakushteve, duke e shndërruar Tetovën në qytetin më të ndotur në botë. Ashtu siç dihej, “Jugohromi” duhej të siguronte një ambient të pastër, por në vend që të vendosen filtrat për ndotës si grimcat PM10, Qeveria mori vendim që kjo fabrikë të vazhdojë me punë përsëri pa bërë asnjë ndryshim në këtë drejtim.
Kështu kjo qeveri në largim, me këtë veprim, edhe një herë dëshmon se sa i parëndësishëm është shëndeti i banorëve të Tetovës kur janë në pyetje interesat e partive në pushtet. Me veprime të tilla, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në përbërje VMRO-BDI, me vetëdije të plotë është duke lejuar helmimin e qytetarëve të saj, pavarësisht se çdo njeri ka të drejtë për një mjedis të shëndoshë njerëzor, ndërsa organet kompetente janë të obliguara të sigurojnë kushte për realizimin e të drejtës së shtetasve për mjedis të shëndoshë jetësor.
Pas kësaj, ne ndjejmë për detyrim t’ia kujtojmë kësaj qeverie, e veçmas BDI-së, e cila udhëheq me dikasterin e Mjedisit Jetësor, se tetovarët akoma vazhdojnë të marrin frymë me mushkëri dhe nuk kanë vendosur kurrfarë filtra të tjerë, andaj meqë asgjë nuk ka ndryshuar në këtë plan, duke e paarsyeshme që fabrika të kthehet me helmin e njëjtë në vendin e njëjtë.
Me këtë Lëvizja BESA, njëjtë si edhe më parë, deklaron se do ta përkrahë secilën iniciativë qytetare që është në funksion të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe të ambientit jetësor. Po ashtu i njoftojmë të gjithë qytetarët se do të jemi të pakompromistë kur bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë dhe nuk do të reshtim së kërkuari përgjegjësi publike dhe ligjore nga të gjithë faktorët vendimmarrës që janë të përfshirë në këtë katastrofë mjedisore, e cila e rrezikon rëndë shëndetin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA – Tetovë.