Lëvizja e ardhshme e Car Putinit

0
199

Shkaktimi i një krize të madhe gjeopolitike me NATO-n është një mënyrë e lehtë për Putinin për të dhënë një goditje për ringritjen e çmimit të naftës

Në marsin e kaluar, ish-Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton u citua të kish thënë se sulmi i Presidentit rus, Vladimir Putin ndaj Ukrainës, i supozuar si mbrojtje të rusofonëve atje, ishte tamam si “ajo që bëri Hitleri në vitet ‘30” – duke përdorur gjermanët etnikë për të justifikuar pushtimin e vendeve fqinje nga ana e tij. Asokohe mendova se një krahasim i tillë ishte i pavend. Por nuk mendoj më kështu. E miratoj krahasimin e zjn. Klinton thjesht për vlerat shokuese, pasi e përqendron vëmendjen te gjërat famëkeqe që po bën Putini në Ukrainë, për të mos folur për vendin e tij, besueshmëria e të cilit ka rënë në nivele minimale.

 

Përdorimi i trupave ruse nga ana e Putinit me uniforma pa shenja dalluese për të pushtuar Ukrainën dhe për të mbështetur në hije rebelët ukrainas të blerë dhe të paguar nga Moska – e gjitha e maskuar nga një rrjet me gënjeshtra që do ta kishte skuqur edhe propagandistin nazist Jozef Gëbels dhe e gjitha për të shkatërruar lëvizjen e reformave të Ukrainës përpara se ajo të krijojë një model demokratik që mund të tërheqë popullin rus më shumë se sa kleptokracinë e Putinit – është agresioni më i shëmtuar gjeopolitik që ka ndodhur në botën e sotme.

 

Ukraina ka rëndësi më shumë sesa lufta në Irak kundër Shtetit Islamik, i mbiquajtur ISIS. Nuk është ende e qartë nëse shumica e aleatëve tanë që janë në luftë kundër ISIS-it ndajnë të njëjtat vlera me ne. Ky konflikt ka një element të madh tribal dhe sektar. Ndërsa është tejet e qartë se reformuesit ukrainas në qeverinë dhe Parlamentin e porsazgjedhur të tyre – të cilët po luftojnë për t’u çliruar nga orbita ruse dhe për t’u bërë pjesë e tregut dhe komunitetit demokratik të Bashkimit Europian – ndajnë të njëjtat vlera me ne. Nëse Putin “I forti” ia del ta dështojë eksperimentin e ri demokratik të Ukrainës dhe do të ripërcaktojë në mënyrë të njëanshme kufijtë e Europës, çdo vend properëndimor rreth Rusisë do të jetë në rrezik.

 

“Putini i druhet një Ukraine që kërkon të jetojë, dëshiron të jetojë dhe këmbëngul që të jetojë me vlera europiane – me një shoqëri civile të gjerë dhe liri fjale e feje [dhe] me një sistem vlerash, të cilin qytetarët ukrainas e kanë zgjedhur dhe për të cilin kanë dhënë jetën”, – tha Natalie Jaresko, ministrja ukrainase e Financave, gjatë një seminari te Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, javën e kaluar.

 

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë bërë një punë të mirë duke organizuar sanksionet ndaj Rusisë. Ndërkohë që administrata e Obamës kohët e fundit ka vendosur të dërgojë disa ushtarë amerikanë në Ukrainë në pranverë për të stërvitur Gardën Kombëtare Ukrainase, unë do të mbështesja në këtë moment rritjen e ndihmës sonë ushtarake për Ushtrinë e Ukrainës, në mënyrë që ajo të mbrohet më mirë vetë nga 9000 trupat e përllogaritur që ka infiltruar Putini në Ukrainë.

 

Ukraina ka gjithashtu nevojë për 15 miliardë dollarë ndihma në grante dhe kredi në vitet e ardhshme për të stabilizuar ekonominë, si ndihmë shtesë përveç planit të shpëtimit të FMN-së. Ukrainasit kanë rënë në një greminë shumë të thellë përgjatë më shumë se 20 viteve të nivelit industrial të korrupsionit dhe të një sërë qeverish të këqija, që kur Kievi mori pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Arsyeja për shpresë është se revolucioni dhe zgjedhjet e fundit në Ukrainë kanë sjellë një brez të ri reformuesish, të cilët po i shndërrojnë me shpejtësi ministritë dhe po miratojnë ligje për transparencën dhe taksat.

 

Aktualisht ata po mirëpresin standarde pragmatiste mirëqeverisjeje si një kusht për të marrë ndihmë nga Perëndimi. Por nëse ata sakrifikojnë diçka, edhe ne duhet të sakrifikojmë.

 

Sekretari i Thesarit, Xhek Leu ka qenë duke udhëtuar nëpër Europë këtë javë, pjesërisht për t’u marrë vesh për paketën e ndihmave për Kievin. SHBA e kanë përcaktuar pjesën e tyre, por Bashkimi Europian është ende disi i pavendosur. Qëllimi i Putinit është të krijojë mjaftueshëm paqëndrueshmëri në mënyrë që Perëndimi t’i tërheqë ndihmat dhe reformuesit ukrainas të dështojnë dhe të diskreditohen. Një gjë e tillë do të ishte e turpshme.

 

Financieri botëror, Xhorxh Soros, i cili po ndihmon në reformimin e Ukrainës, tha në mbledhjen e Davosit se “ka një Ukrainë të re, e cila është e vendosur të jetë ndryshe nga Ukraina e vjetër…Ajo që e bën atë unike është se ajo nuk uron vetëm që të përpiqet, por është e angazhuar që të ndërmarrë një paketë reformash radikale. Kjo shkon kundra Ukrainës së vjetër, që nuk është shuar ende, dhe kundër një plani të mirëpërcaktuar të presidentit Putin për ta destabilizuar dhe shkatërruar atë. Por ajo është e vendosur të sigurojë pavarësinë dhe orientimin europian të Ukrainës së re”.

 

Ukraina gjithashtu mund të ndikojë te çmimi i naftës. Dy aktorët më të mëdhenj që mund ta përcaktojnë këtë çmim sot janë Mbreti i ri i Arabisë Saudite, Salaman dhe Cari i Rusisë, Putin. Nëse sauditët vendosin ta pakësojnë prodhimin ndjeshëm, çmimi i naftës do të rritet. Dhe nëse Putini do të vendosë ta pushtojë plotësisht Ukrainën, ose edhe më keq, ndonjë prej shteteve baltike, dhe të testojë nëse NATO do të luftojë me të vërtetë për t’i ndihmuar që të dyja, çmimi i naftës do të rritet edhe më. Me ekonominë e tij në kaos, regjimi i Putinit tani është pothuajse plotësisht i varur nga nafta dhe eksportet e gazit, kështu që ai po dëmtohet shumë nga rënia e çmimit të hidrokarbureve. Mundësitë që Putini ta pushtojë plotësisht Ukrainën apo vendet baltike janë të vogla, por nuk janë për t’u përjashtuar tërësisht.

 

Shkaktimi i një krize të madhe gjeopolitike me NATO-n është një mënyrë e lehtë për Putinin për të dhënë një goditje për ringritjen e çmimit të naftës. Ndërhyrjet e fshehta të Putinit në Ukrainë deri tani nuk kanë patur sukses në këtë drejtim. Me pak fjalë: çmimi i sotëm i naftës do të ndikohet më shumë nga dy njerëz – nga Mbreti Salaman dhe mënyra se si do ta përdorë ai kapacitetin e tij rezervë për të prodhuar naftën, dhe Car Putini, dhe mënyra sesi do ta përdorë ai aftësinë e tij rezervë për të shkaktuar telash. 

THOMAS FRIEDMAN

/The New York Times