Nëntë shpirtrat e politikanit

“Politika nuk është ‘arenë e njerëzve të ligj’… Politika nuk është shkencë, por art karizmatik… Para se të hyni në politikë, duhet ta keni një profesion tek i cili mund të ktheheni në rast të dështimit në politikë… Në politikë, nëse fitoni duke luajtur pisët, është e pamundur që të qeverisni ndershëm.”

Mbi librin e Michael Ignatieff “Zjarr e Hi – Suksesi dhe Dështimi në Politikë” (“Fire and Ashes – success and falure in politics, Random House Canada, 2013).

Çfarë e bën një politikan/e të mirë? Nga çfarë varet suksesi apo dështimi në politikë? Posedimi i njohurive nga teoria politike dhe ligjërimi i shkencave politike a ju ndihmon të jeni edhe politikan i mirë?

Përgjigjet në këto pyetje, Michael Ignatieff i mori përmes një rruge të mundimshme. Ignatieff, një profesor i historisë dhe shkencave politike, autor i shumë librave mbi politikën, të drejtat e njeriut dhe identitetin, u lëkund kur disa persona “të veshur në të zeza” i ofruan atij mundësinë që të udhëhiqte Partinë Liberale Kanadeze dhe të garonte për postin e kryeministrit.

Në kohën kur “njerëzit në të zeza” i ofruan drejtimin e Partisë Liberale, Ignatieff ishte profesor në një ndër universitetet më prestigjioze në botë, Harvard, ishte kanadezi më i famshëm në fushën e tij dhe kishte mbi 30 vite që jetonte jashtë Kanadasë. Por, oferta për të qenë kryeministër i vendit me demokracinë më të madhe në botë për nga shtrirja territoriale, e intrigoi dhe në moshën 61 vjeçare e futi në ujërat në të cilat nuk kishte notuar deri atëherë, ani pse kishte një gjysmë jete që ligjëronte për to.

Ignatieff e konsideronte veten një kozmopolitan, më shumë një qytetar i botës se sa i një vendi të caktuar. Familja e Ignatieff kishte origjinë ukrainase, gjyshi i tij ishte diplomat rus, të cilët më vonë emigruan në Kanada, kurse vetë ai kishte rreth tri dekada që jetonte e punonte jashtë vendit. Por Ignatieff e kishte kuptuar se të jetuarit për një kohë të gjatë jashtë shtetit të tij bartte një çmim të lartë. “Kur jeton në vendin e të tjerëve, eventualisht ju do të hasni në gjëra të cilat janë të rezervuara vetëm për vendasit. Kordone të cilat nuk mund të kalohen nga një i huaj. Herët apo vonë vetëdijesoheni se ju mund të kuptoni çfarë thonë vendasit, por jo edhe çfarë nënkuptojnë me atë që e thonë. Ju ofrojnë mirëseardhje gjithkund, por ju nuk ndiheni komod askund.”

Ignatieff vendosi të garojë në politikën kanadeze. Shumë shpejt ai siguroi një ulëse deputeti dhe iu hap rruga të garonte për kreun e Partisë Liberale, drejtimin e së cilës e mori me fat, pasi që në kandidimin e tij të parë nuk arriti të fitojë votat e mjaftueshme të partisë. Por, në zgjedhjet parlamentare të 2011, Partia Liberale nën drejtimin e Ignatieff pësoi dështimin më të madh në historikun e saj, duke dalë si partia e tretë, kurse Ignatieff nuk arriti të fitojë një mandat të dytë të deputetit.

Pas këtij dështimi, Ignatieff u tërhoq nga politika dhe iu kthye ligjërimit universitar në Harvard, duke dëshmuar në këtë mënyrë se ai ishte “vetëm një vizitor në Kanada”, ashtu siç ishte portretizuar nga kundërshtarët e tij politikë.

Përvojën e tij prej një politikani të dështuar, Ignatieff e ka përmbledhur në librin “Zjarr e Hi – Suksesi dhe Dështimi në Politikë”. Përmes këtij libri, duke shpalosur përvojën e tij, Ignatieff jep këshilla për politikanët e rinj. Tek e fundit, për Ignatieff më e lehtë ishte ligjërimi i politikës, se sa praktikimi i saj. Para Ignatieff, historia njeh edhe shumë raste të tjera kur teoricienët politikë, të cilët sot janë lexim i detyrueshëm në shkencat politike në të gjitha universitetet e botës, ishin dështakë në politikë. I tillë është rasti me Ciceronin, Machiavelin e Weberin.

Sipas Ignatieff, gjëja e parë që duhet t’ia qartësoni vetes para se të hyni në politikë është ajo se për çfarë po e bëni një gjë të tillë? Politika është veprimtari shumë e rëndësishme dhe ajo nuk duhet të shikohet si fushë për të shuar manitë tuaja personale për të fluturuar në “biznes klasë”, të punoni në zyrat më komode në vend, të rrethoheni nga truprojat dhe të ndiheni i rëndësishëm, historia të shkruajë për ju apo portreti i juaj të kornizohet në secilën zyrë shtetërore. Ju mund t’ju jepet mundësia në politikë vetëm nëse arrini që t’i siguroni qytetarët se aty jeni për ta.

Ignatieff kishte dështuar që t’i bindte qytetarët kanadezë se ai është kthyer në Kanada për t’u ofruar një alternativë më të mirë atyre. Që në fillim të karrierës së tij politike, kundërshtarët e tij politikë nga Partia Konservatore, përmes fushatës negative, e kishin portretizuar atë si një ‘karrierist arrogant’ i cili është kthyer që të mbledhë edhe një ‘medalje’ në karrierën e tij.

Duke u nisur nga kjo, Ignatieff këshillon politikanët e rinj që t’i hyjnë politikës të përgatitur dhe në momentin që shkelin në skenën politike ata të kenë nën kontroll platformën e tyre. Të keni një narracion politik, i cili ju dallon nga kundërshtarët dhe që ju definon qenien e juaj në politikë. Pas prezantimit të tregimit tuaj, duhet me çdo kusht që ta mbroni atë nga sulmet politike të cilat synim kryesor do kenë që të sulmojnë qenien tuaj, e jo atë çfarë thoni. Sot, kampanja negative përqendrohet në eliminimin e kundërshtarit politik në tërësi. “Në tri palë zgjedhje që zhvillova, për deputet, kryetar partie dhe kryeministër, asnjëherë nuk u sulmova për qëndrimet e mia, për platformën zgjedhore apo premtimet, por u sulmua qenia ima, kush isha unë dhe çfarë po kërkoja në politikën kanadeze.”

Përzgjedhja e momentit për të garuar në zgjedhje është element shumë i rëndësishëm. Ignatieff do të mund të ishte një politikan i suksesshëm nëse do garonte në zgjedhje në një periudhë tjetër kohore. Ai mori drejtimin e Partisë Liberale në kohën kur kjo parti ishte dënuar me votë nga qytetarët për shkak të skandaleve të shumta korruptive. Po ashtu, në kohën kur ai hyri në politikë, bota ishte në një recesion të madh financiar, por pasojat e të cilit po menaxhoheshin mjaft mirë nga partia në pushtet.

Në politikë, nëse fitoni duke luajtur pisët, është e pamundur që të qeverisni ndershëm. Duke u nisur nga ky besim, Ignatieff refuzoi mundësinë e vetme që kishte për tu bërë kryeministër, pasi që nuk dëshironte të lidhte koalicion me partitë të cilat ishte i bindur se do t’i sillnin dëme të pariparueshme vendit, siç mund të ishte kërkesa e partive nga Quebec ky regjion të shkëputej nga Kanadaja.

Nga të gjitha kualitetet që i nevojiten një politikani, aftësia për të dëgjuar, është një ndër aftësitë e cila ju ndihmon më së shumti. Qytetarët kanë nevojë të dëgjohen nga politikanët, edhe kur ata janë të vetëdijshëm se brengat e tyre mund edhe të mos kenë zgjidhje. Të qenurit përfaqësues politik ju shndërrohen në një byro këshilluese, këshilltar financiar, avokat familjar dhe psikoterapist.

Përderisa nga të qenurit shkencëtar kërkohet të hulumtoni dhe thoni të vërtetën, në politikë asgjë nuk ju vë më në siklet se sa e vërteta. Në shkencë, sidomos shkencat sociale, shumë të vërteta mund të bashkëjetojnë dhe nuk është e domosdoshme që ato të kundërshtohen me njëra-tjetrën. Në politikë ju kërkohet që të merrni anë me vetëm një të vërtetë. Për shembull, nuk mund të jeni edhe me të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur e njëkohësisht t’i kritikoni ata për shkeljen e të drejtave të njeriut kundrejt palestinezëve.

Politika është një profesion fizik: shtrëngim duarsh, rrahje supesh, kontakt i vazhdueshëm me sy me masën. Kur ju jeni ligjërues apo profesionist në fushat tjera ku kërkohet prezantimi para masave, ju i kushtoni rëndësi vetëm fjalëve që doni të përçoni, kurse në politikë, me zhvillimin e masmedieve, fjalët janë më e pakta që përçojnë mesazhin. Mesazhi i vërtetë është ai fizik, i cili komunikohet përmes syve, duarve, qëndrimit, veshjes.

Si politikan, ju kërkohet të jeni prezent gjithkund, për urime e për ngushëllime. Por, asgjë nuk e bën më të mërzitshëm një politikan se sa tendenca për të kthyer prezencën e tij në një “ngjarje politike”.

Politika nuk është “arenë e njerëzve të ligj”. Nga të qenurit politikan në një vend demokratik, është e natyrshme që të keni shumë kundërshtarë. Mirëpo asnjëherë nuk duhet t’ia lejoni vetes që të krijoni armiq. Për të qeverisur një vend demokratik, një politikan duhet të jetë i aftë që kundërshtarët e tij politikë t’i kthej në aleatë. Por njëkohësisht, politikani duhet të ketë kurriz që t’i mbrojë disa parime themelore, të cilat nuk i shkëmben me asnjë favor politik. Demokracia nuk funksionon pa një respekt të ndërsjellë mes kundërshtarëve politikë.

Politika nuk është sport. Ndryshe nga sporti, në politikë nuk ka gjyqtarë i cili mbikëqyr rregullat, kurse ‘ekipet’ politike i përcaktojnë rregullat e tyre të sjelljes gjatë lojës. Nuk mund të kërkoni faull apo pozitë jashtë loje në politikë. Gati se gjithçka pranohet. Në sport ju respektoni rregullat. Në politikë ju vetëm luani, kurse fituesi i rishkruan rregullat.

Politika nuk është shkencë, por një art karizmatik, i cili bazohet në oratori e aftësitë për të bindur, asnjë nga të cilat nuk mund të ligjërohet në klasa, por duhet të përvetësohen në praktikë.

Para se të hyni në politikë, ju duhet të keni një profesion tek i cili mund të ktheheni në rast të dështimit në politikë. Duke qenë i sigurt se ju mund të keni një jetë profesionale jashtë politikës, ju arrini t’i mbani disa parime dhe mos të tentoni me çdo kusht për të mbetur në politikë.

Karriera politike e Ignatieff ishte shumë e shkurtër. Në rrethet e partisë liberale Kanadeze, thuhej se politikani, ashtu sikurse një mace, i ka nëntë shpirtra. Ignatieff i kishte shpenzuar të gjitha për një kohë të shkurtër. Madje, si me shaka, Ignatieff e pranon se tetë nga nëntë shpirtrat e politikanit i kishte djegur duke u munduar të sqarohet për qëndrimet e tij karshi Lindjes së Mesme.

Për dështimin e tij në politikë, fajin ia faturon pikë së pari vetes, si një politikan jo edhe aq i zoti, i cili u shfrytëzua politikisht nga kundërshtari kryesor politik Stephen Harper. Por ai fajëson edhe mënyrën e kampanjës politike, e cila përqendrohet vetëm në sulme personale, si dhe kohën dhe rrethanat kur vendosi t’i hynte garës politike, pas një periudhe skandalesh dhe korrupsioni që kishte kapluar Partinë Liberale.

Por përkundër kësaj humbje turpëruese, Ignatieff nuk i bie pishman që i hyri politikës. Ai ende mendon se politika është një sipërmarrje fisnike dhe nëse ju nuk merreni me politikën, politika merret me ju.

Përvoja dhe këshillat e tij mund të kenë ndikuar tek politikanët e rinj kanadez. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Liberale doli e para dhe lideri i saj i ri Justin Trudeau mori postin e kryeministrit. Me të njëjtin model të reklamave negative me të cilin u sulmua Ignatieff, u sulmua edhe Trudeau. Por, zotësia e Trudeau dhe mësimet e nxjerra të Partisë Liberale nga humbja e zgjedhjeve katër vite më parë, bënë që partia të dalë fitimtare, përkundër asaj se udhëhiqej nga një lider i ri dhe pa përvojë, duke dëshmuar kështu edhe një herë se përvoja e gjatë në jetën akademike dhe njohuritë në teorinë politike, nuk janë garanci për një karrierë të suksesshme në politikë.
Agron Demi

Artikulli paraprakTë hetohen financat e partive politike
Artikulli vijuesLajm i fundit: Gjithçka gati për ekstradimin e Gylenit në Turqi