Lëvizja e Greqisë, reagon Turqia

Vetëm dy ditë pas publikimit, në mediat greke, se Greqia po shikon mundësinë e depozitimit pranë zyrës së hartave në OKB, të koordinatave të saj gjeografike dhe deklarimin e njëanshëm të zonës ekskluzive ekonomike, ka ardhur edhe reagimi i parë i fqinjit të saj, Turqisë.

Gjatë një konference shtypi, me gazetarët e mediave turke, ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, ka deklaruar qartë dhe pa asnjë ekuivok, se Turqia nuk do të tolerojë asnjë zhvillim, që prek direkt ose indirekt interesat e saj në Egje.
Ai ka thënë se në një kohë të tillë të vështirë, që është përfshirë rajoni nga zhvillime serioze gjeopolitike, siç është situata në Siri, apo kriza ekonomike në Greqi dhe vendet e tjera të rajonit, mirë është që të mos krijohen situata, që minojnë marrëdhëniet midis fqinjëve.
Më herët, edhe ministri turk i Energjitikës, Taner Jilldiz, është shprehur i habitur prej qëndrimit grek, pasi siç ka deklaruar ai, Greqia do të dalë e humbur nga një veprim i tillë, pikërisht në një moment që vendi po përballet me krizën ekonomike.
Lidhur me situatën e krijuar dhe rrezikun për prishje ose ftohje të marrëdhënieve me fqinjët e saj detarë, si Turqia, Egjipti, Qipro, Libia, Shqipëria dhe Italia, burime pranë Ministrisë së Jashtme greke, i thanë Top Channel se Greqia dëshiron të zgjidhë çështjen e kufijve me të gjithë fqinjët, nëse është e mundur.
Sipas burimeve ekskluzive të Top Channel, harta në zyrën përkatëse të OKB-së është depozituar nga pala greke rreth një muaj pas firmosjes së marrëveshjes midis dy vendeve, por zhvlerësimi i saj prej gjykatës kushtetuese të Shqipërisë ka ngrirë përfundimin e veprimeve të mëtejshme në Neë York.
Për zbllokimin e marrëvshjes midis Greqisë dhe Shqipërisë ka bisedime në nivel shumë të lartë politik, ndërsa ende nuk jepen detaje nëse ka, dhe ku kanë arritur ato në nivel ekspertësh. /tch/kohaislame

Artikulli paraprakAnemia – shenjë dhe shkas i shumë sëmundjeve
Artikulli vijues1 mln sirianë nën kërcënimin e urisë