Fatmir Sejdiu shkeli Kushtetutën, shkatërroi Lidhjen Demokratike të Kosovës, krijoi sistem nepotizmi, punësoi soj e sorollop në PTK, mbajti rreth vetes kryesisht injorantë politikë dhe s’iu nda nga përqafimi Hashim Thaçit. Pas të gjitha këtyre shkarjeve politike ai humbi garën demokratike për kreun e LDK-së. Tash idhnaku i madh ka krijuar një falangë fishkëllyese dhe synon të bëjë puç në parti. Beteja e tij primitive çon sërish ujë në mullirin e Hashim Thaçit dhe kamarillës së tij të korruptuar
Më 23 dhjetor 2009, kur Lidhja Demokratike e Kosovës në një ceremoni mbytëse po shënonte 20 vjetorin e themelimit, një grup militantësh bjerraditës, të mbledhur në një sallë të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, sapo u shfaq kryeministri Hashim Thaçi me suitën e tij, filluan fyerjet dhe fishkëllimat. U krijua një situatë e pakëndshme, sepse askund nuk është traditë që të përbuzet mysafiri i ftuar. Fundja Hashim Thaçin në përvjetorin e LDK-së e kishte sjellë vetë Fatmir Sejdiu, atëbotë kryetar i Kosovës dhe kryetar i ngrirë i LDK-së, siç thoshte ai vetë. Të dyve, Thaçit dhe Sejdiut, punët u shkonin mirë. Sejdiu ishte pajtuar me rolin e shërbëtorit, kishte dërguar në qeverinë e koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së disa figura kryesisht të parëndësishme dhe pozohej si president, i rehatuar personalisht dhe financiarisht. Aq u shkonte puna vaj saqë Hashim Thaçi nëpër darka e takime, kur fliste për kryetarin e Kosovës, thoshte: “Sejda, djalë i mirë” ose “Po m’ngon ma shumë se Endriti”. Një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës – derisa rrëmonte nga dhëmbët mishin e sapo ngrënë – tha atëherë se do të ishte mirë që koalicioni me LDK-në të vazhdojë edhe për një dekadë. A është kjo metoda më efektive për varrosjen e LDK-së? Zyrtari i PDK-së qeshi dhe tha: “Nuk mund ta mohoj këtë synim”. Me fjalë të tjera: Sejdiun si kryetar të Kosovës dhe shef të ngrirë i LDK-së nuk e merrnin fare seriozisht, bile ai ishte bërë objekt i talljes nëpër mejhanet e Prishtinës, shpesh edhe për shkak të vokabularit të tij politik – një përzierje mes gjuhës së aparatçikut dhe të mësuesit nga Mallakastra. Tallja shkoi deri aty saqë Hajredin Kuçi, hyzmeqari për krejt punët i Hashim Thaçit, doli nga mesnata prej Zanzibarit dhe i telefonoi një figuranti të LDK-së për t’ia kumtuar lajmin e zi se koalicioni u prish. Megjithatë, koalicioni s’u prish, sepse Fatmir Sejdiu nuk pranonte të hiqte dorë nga salltanetet e pushtetit dhe t’i kthehej punës së rëndë në parti, e cila ishte shndërruar në një djerrinë, të cilën herë e pshurrnin zagarët nga brenda, herë kalimtarët e rastit. Kështu Fatmir Sejdiu u bë urë që shtetin e Kosovës ta kidnapojnë të përkëdhelurit e Hashim Thaçit, të cilët herë akuzohen për vrasje me porosi, herë për keqpërdorime në Kosovë, herë për mashtrime në Zvicër, herë u përmendet emri për të keq në Strassburg, herë në Bruksel. Pse të hiqte dorë Sejdiu nga koalicioni i pistë me PDK-në, kur kishte siguruar për vete, për sojin e sorollopin privilegje marramendëse. I futi në punë, në Postë-Telekomin e Kosovës, familjarët, madje edhe rejat si dhe plot aktivistë të Forumit Rinor të LDK-së, duke blerë kështu një lojalitet cofëtinash. I rrethuar kryesisht me injorantë politikë, të cilët gëzoheshin që po merrnin nga buxheti një rrogë të majme për rrethanat e Kosovës, Sejdiu vazhdoi të notojë nëpër delirin e madhështisë së rrejshme. Koalicionin e prishi vetëm pasi Gjykata Kushtetues e detyroi të largohet nga posti.
Prostitutat politike
Fatmir Sejdiu shkeli Kushtetutën duke mbajtur dy poste, edhe president, edhe kryetar i LDK-së, shkatërroi partinë, krijoi sistem nepotizmi, punësoi farefisin në ndërmarrje publike dhe s’iu nda nga përqafimi Hashim Thaçit derisa ky e varrosi politikisht. Pas të gjitha këtyre dështimeve Sejdiu humbi garën demokratike për kreun e LDK-së. Isa Mustafa nuk u bë kryetar i LDK-së përmes ndonjë puçi, por me vota të lira, madje fitoi bindshëm, sepse anëtarësia kërkonte, më në fund, një lider që do t’i përkushtohej partisë, do të bënte reforma përkundër rezistencës së dinosuarëve dhe hardallëve, të cilët për një grusht privilegjesh duan ta fundosin partinë e parë demokratike të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, e cila u bë zëdhënëse e besueshme e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në vend se të pranonte humbjen, të jepte një grimë kontribut për rimëkëmbjen e partisë, në vend që të mbështeste Isa Mustafën e zgjedhur në mënyrë demokratike, Fatmir Sejdiu nisi një betejë tjetër – betejën për shkatërrimin e LDK-së. Idhnaku i madh ka krijuar së fundi një falangë fishkëllyese dhe synon të bëjë puç në parti. Beteja e tij primitive çon sërish ujë në mullirin e Hashim Thaçit dhe kamarillës së tij të korruptuar. Një grusht njerëzish bjerraditës, të cilët të dielën fishkëllenin dhe fyenin në Podujevë Isa Mustafën dhe prijësit e tjerë të LDK-së s’janë gjë tjetër veçse të manipuluar nga Fatmir Sejdiu dhe i biri i tij Bardhyl Sejdiu, i cili pasi e ka kullotur mirë e mirë PTK-në, tash synon të shtrijë edhe më gjerë rrjetin e tij. Kush ishin zhurmëbërësit e së dielës në Podujevë? Një grup punëtorësh, të cilët Bardhyl Sejdiu i ka punësuar në departamentin e logjistikës të Postë-Telekomit të Kosovës. Si i ka punësuar dhe pse i ka punësuar, si e ka blerë lojalitetin e tyre dhe me ç’çmim? Me këtë çështje do të duhej të merrej drejtori i ri i PTK-së, Ejup Qerimi, nëse e ka ndërmend ta spastrojë këtë ndërmarrje publike nga grupet zhvatëse!
Këto ditë po shohim se si po bëjnë zhurmë edhe disa prostituta politike të mbetura në LDK. Këta nuk e kanë problem t’i ndërrojnë partitë më shpesh se këmishët, as të bëhen protagonistë gazetash të financuara përmes tenderëve të pushtetit të kriminalizuar. Nuk janë më shumë se dhjetë persona që po bëjnë zhurmë, prandaj anëtarësia e LDK-së nuk duhet të bie pre e mashtrimeve. Kuptohet që Radio-Televizioni i PDK-së (RTK) është i interesuar që mizën ta bëjë buall, të shkaktojë sa më shumë huti duke krijuar përshtypjen e rrejshme për konflikte të mëdha në LDK. Por RTK-së nuk do t’i bie kurrë ndërmend të bëjë një raport kritik mbi mungesën e demokracisë brenda PDK-së, as të informojë opinionin mbi të bëmat e deputetit të saj Azem Syla në Zvicër, as për takimet e tij me Nazim Bllacën nëpër pompa benzine. RTK-së, ndërkaq, i bie ndërmend ta ftojë menjëherë në studio Azem Sylën për t’u arsyetuar pasi Bllaca e akuzoi se ka dhënë urdhra për vrasje. Çka do t’i thotë nesër anëtarësisë së LDK-së apo falangës së tij Fatmir Sejdiu nëse del dikush dhe dëshmon se Xhemail Mustafën, Enver Malokun, Haki Ymerin, Ismet Rracin, Smajl Hajdarajn dhe shumë patriotë të tjerë nga radhët e LDK-së nuk i ka vrarë Serbia, por shokët e Nazim Bllacës që sot janë veshur me pushtet – me të cilët Sejdiu ka bëre koalicion qeveritar?
Sigurisht që çdo parti në Kosovë, përfshirë edhe LDK-në, meriton të ketë kryetarë më dinamikë. A është Isa Mustafa i tillë? Nuk ka dhënë shumë prova deri më tani. Edhe më keq: ka lejuar disa herë të instrumentalizohet nga Hashim Thaçi për qëllimet e këtij të fundit. Krizën me zgjedhjen skandaloze të Behgjet Pacollit në postin e presidentit e shkaktoi Thaçi, ndërsa Mustafa i ndihmoi të dalë nga qorrsokaku, por kryetari i LDK-së fitoi shumë pak, sall një premtim të zbehtë për zgjedhje presidenciale dhe parlamentare para kohës. Mustafa e hëngri sapunin për djathë kur pranoi të takohet me Thaçin në restorantin “Liburnia” për të diskutuar mbi përfaqësimin rajonal të Kosovës. Tash Thaçi sërish po synon ta instrumentalizojë Mustafën p
ër çështjen e autonomisë së veriut. Kjo është strategjia e Thaçit: përdorimi dhe poshtërimi i rivalit deri në varrosje politike.
Sa i përket reformave në LDK duhet thënë se asnjë kryetar partie, as Isa Mustafa, nuk mund të bëjë ndryshime të mëdha nëse brenda partisë ka elementë që fusin pyka, që pinë “duhan tinëz”, të tillë që kundërshtojnë reformat, që duan t’i ruajnë privilegjet e ndërtuara për më shumë se dy dekada, të tillë që shtiren ditën si rugovistë dhe natën e lusin Thaçin t’i bëjë zëvendësministra. Edhe më keq: në LDK dominon një grup interesi që partinë e sheh si “parti llapjanësh”. Me këtë arrogancë e kanë humbur e djegur ndikimin e LDK-së në Dukagjin, në Drenicë, në Rrafshin e Kosovës dhe së fundi në Anamoravë.
Fatmir Sejdiu po tregon një ligësi të paskajshme dhe po dëshmon sërish se është një antidemokrat i tërbuar derisa këto ditë po mobilizon falangën e tij për të bërë dëme në parti, edhe pse LDK u tregua shumë zemërgjerë ndaj tij: e bëri kryetar nderi; shteti, ndërkaq, i dha rrogë të përjetshme si ish-president, edhe pse moralisht nuk e meritonte për shkak se nga posti u largua si shkelës i Kushtetutës. Por edhe largimi i tij nga posti ishte i menduar mirë: dha dorëheqje dhe e siguroi rrogën e përjetshme; po të ishte shkarkuar, do t’i kishte humbur edhe privilegjet.
Xhepi i thellë po thërret
Asgjë nuk është e rastësishme: nga njëra anë është mobilizuar Sejdiu (“Sejda” i Hashim Thaçit), nga ana tjetër Ibrahim Kelmendi, shefi i devizave të “kuazimarksist-leninistëve” të Kosovës, të cilët Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kanë njohur vetëm si vëzhgues prej hoteleve të Tiranës. Kelmendi këto ditë plasoi në opinion një rrenë staliniste, duke thënë se qeveria në ekzil (pjesë e së cilës si ministër financash ka qenë edhe Isa Mustafa) paskësh dërguar para në Beograd. Kush po na shet mend e kush po na mban ders? Ibrahim Kelmendi! I cili në korrik 1998 i thoshte gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” se kishte mbledhë “disa miliona” (marka gjermane, v.j.) për të çliruar Kosovën. Ku janë milionat, ku përfunduan, si u harxhuan, a ka raport për veprimtarinë e Fondit “Vendlindja thërret”? Këtij fondi më së miri do t’i shkonte emri: xhepi i thellë po thërret! Në këtë xhep i ka pasur duart të futura thellë Ibrahim Kelmendi. Në shkrimin e të përditshmes gjermane të 29 korrikut 1998 Ibrahim Kelmendi krahasohej me Alexander Schalck-Golodkowski-in, një funksionar i errët që ia siguronte devizat Erich Honeckerit, diktatorit të Gjermanisë Lindore. Kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova, Ibrahim Kelmendi e quante “sundimtar që shtypë lëvizjen e gjerë të popullit”. Rugova si shtypës i popullit shqiptar? Edhe këso deklaratash groteske janë dhënë gjatë luftës, e cila sot po duket më shumë si luftë vëllavrasëse se sa luftë kundër pushtimit serb. Të shohim se ç’shkruante më tutje “Süddeutsche Zeitung”: “Kush hulumton pak më shumë shpejt i tërhiqet vëmendja te njollat e zeza në biografinë e (Ibrahim) Kelmendit. Bëhet fjalë për vrasje, për plumbat e pasqaruar dhe vdekjeprurës kundër prijësit të shqiptarëve në ekzil, Jusuf Gërvallës dhe dy shokëve të tij në janar 1982 afër Heilbronnit. Vajza e Gërvallës Donika, zëdhënëse e LDK-së në Gjermani, ‘nuk do të thoshte se Kelmendi është pjesëmarrës (në vrasje, v.j.). Por, me siguri kjo çështje duhet të hulumtohet’. Kelmendi shumë njerëzve u duket si kameleon”.kohaislame