Ligji për portalet online, ndëshkoheni për komentet fyese

0
426

Qeveria do të rikthejë projektligjin për tregtinë elektronike, i cili bën të ndëshkueshme çdo fyerje apo koment në portalet në internet.

Kështu ka deklaruar Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito.

“Nuk është se kemi ndonjë afat dhe nuk është se ka dhe ndonjë urgjencë për këtë, në këtë çështje sepse siç e thashë dhe një herë ligji ekziston, pra janë thjesht teknikalitete që po përmirësohen, por do të ndjeki procedurën e vet, nuk besoj se ja arrijmë këtë sesion, por besoj pas janarit do të jetë në Parlament”, thotë ministrja Harito, raporton TopChannel.

Ndryshimet në ligjin për tregtinë elektronike, fillimisht u propozuan në mars të këtij viti. Por pas akuzave nga mediat online se drafti cenon lirinë e shprehjes qeveria nuk avancoi atë në Parlament.

“Ka qenë një proces konsultimi që zgjati më tepër seç duhej sepse pati një ndjeshmëri të shtuar dhe pati nevojë që të shpjegohej më gjerë. Një nga elementët pozitivë të konsultimit që ne bëmë është që portalet kuptuan që ishin pjesë e ligjit aktual dhe nuk e dinin këtë gjë sepse ligji i 2009-ës ka patur shumë më pak portale dhe shumë më pak aktive”, deklaron ministrja e Inovacionit.

Sipas ministres së Inovacionit, drafti bazohet në direktivën më të re të Bashkimit Europian dhe është konsultuar gjerësisht me OSBE dhe Këshillin e Europës.

“Ne sigurisht kemi marrë parasysh të gjithë sugjerimet e tyre. Ligji është duke u konsultuar me të gjithë ministritë dhe do të vazhdojë procedurën normale”, u shpreh ai.

Por cilat janë përmirësimet që sipas Haritos i janë bërë draftit që u paraqit në mars?

“Për t’ju dhënë një shembull ligji ekzistues thotë se nëse ka komente të padëshiruara online drejtuesit e portaleve janë të detyruar t’i tërheqin menjëherë. Menjëherë është një gjë e papërcaktuar kështu që ne kemi vendosur një orar 72 orë sipas direktivës së BE dhe të tjera përmirësime, saktësime si këto”, thotë ajo.