Limaj: Që shtatë vjet lënda për krim të organizuar ma ka shkatërruar familjen

Në gjykimin ku po akuzohet për shpërdorim detyre e krim të organizuar, Fatmir Limaj tha se prokuroria po luan me fatin tonë.
Limaj foli në seancë pasi Arianit Koci, avokati i Endrit Shalës, kërkoi nga gjykata që një dokument me komunikime të të akuzuarve nëpërmjet sms-ve të mos u paraqitej dëshmitarëve para se t’i bëhej ekspertizë për ta vërtetuar origjinalitetin e tij.

“Ju lutem mos m’i shkatërroni të drejtat e mia kushtetuese. Që shtatë vjet kjo lëndë më ka shkatërruar familjen. Kujt po i pengon të vërtetohet një provë, origjinaliteti i një prove që më ngarkon,” tha Limaj.

Limaj pastaj duke përfshirë edhe të akuzuarit tjerë tha se “prokuroria po luan me fatin tonë”.

Prokurori Charles Hardaway kundërshtoi fjalët e Limajt duke mohuar se trupi gjykues nuk është i drejtë, ndërsa deklaroi se “mënyra e veprimit të Limajt nuk është e duhura”.

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Sot pritet të dëshmojë Izmi Zeka, kryetar i Degës së PDK-së në Gjilan. Ai do të pyetet për pretendimet e dëshmitarit të ndjere Mehmet Shkodra lidhur me tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve ne regjionin e Gjilanit.

Salla ku zakonisht mbahet gjykimi i Limajt dhe të tjerëve sot është e zënë, ndërsa seanca po zhvillohet në një sallë më të vogël.

Avokatët e të akuzuarve po ankohen se nuk po kanë asnjë vend për të lënë materialet që kanë me vete.

Artikulli paraprakShpërthejnë 20 cisterna në bazën ushtarake të SHBA’së
Artikulli vijuesJa çfarë tha në gjyq Shukri Xhelili