Lugina kërkon bashkim kombëtar me Kosovën

Përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kërkojnë që në 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, të zgjidhet përfundimisht çështja e tyre dhe tri komunat shqiptare të mbetura në Serbi t’i bashkohen Kosovës.

Kete synim ata mendojnë ta arrijnë duke u bërë pjesë e delegacionit kosovar në bisedimet e ardhshme në mes Kosovës dhe Serbisë të planifikuara të fillojnë në vjeshtë.
Kryetari i Kuvendit të Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu, vlerëson se pjesëmarrja e përfaqësuesve të asaj ane do ta ndihmonte delegacionin kosovar.
“Përfaqësuesit e popullit në këtë pjesë duhet të jenë pjesë në bisedime dhe ne kërkojmë që të jemi pjesë e delegacionit të Kosovës. Dhe natyrisht se ne do të ishim krah i fortë i zgjidhjes së problemit politik të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit”, ka deklaruar për “Kohën Ditore”, kryetari Musliu.
Ai thotë se në këtë vit kur shteti shqiptar kremton 100-vjetorin e themelimit të tij, çështja e shqiptarëve të Luginës duhet të zgjidhet dhe se tri komunat shqiptare duhet t’i bashkohen Kosovës.
Kërkesën e Musliut për të qenë pjesë e delegacionit kosovar në bisedimet Prishtinë – Beograd, e përkrah edhe kryetari i shoqatës “Vatra”, nga Lugina, Sejdulla Kadriu./Indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakSi të bëhemi më energjikë?
Artikulli vijuesMicrosoft Office, një zgjidhje e mirë për tabletët e Windows-it?