Vendndodhja e Halepit ka qenë gjithnjë një bekim dhe një mallkim. Qyteti shtrihet në pjesën e pirunit të rrugës së Mëndafshit, ku prodhimet shkonin në jug drejt Afrikës dhe Lindjes së Mesme, ose në veri drejt Euroazisë. Tregtarët vilnin të mirat e kësaj vendndodhjeje, të ndihmuar nga pëllumbat-korrierë që sillnin përditë nga Bagdadi përditësime të çmimeve të mallrave të konsumit. Por qyteti ishte gjithashtu edhe një çmim për t’u fituar. Perandoritë luftonin për pasurinë e tij.
Në shekullin e dhjetë, qyteti kaloi nga bizantinët e krishterë në duart e shiitëve fatimidë, e më pas tek sunnitët abasidë, në periudha që ndonjëherë mund të ishin edhe vetëm disa ditë. Tregtarët tundnin kokën, llogarisnin nga frynte era dhe qëndronin larg. Vendndodhja e Halepit ishte gjithashtu shumë e rëndësishme për të qëndruar larg tërmeteve apo bastisjes nga mongolët ose Tamerlani. “Ishte gjithçka e lidhur me tregtinë”, thotë Philip Mansel, i cili këtë vit publikoi një libër për ngritjen dhe rënien e Halepit.
Tregtarët e pasur vendas investonin në muzikë, poezi dhe ushqim, më shumë sesa në vende të shenjta, që janë dallueshëm të pakta. “Teprimi është i padurueshëm, madje edhe në besimin fetar”, është një proverb i cituar shpesh në Halep. Në ndryshim nga Damasku, që tradicionalisht ishte më i devotshëm, Halepi i përqafoi drejtuesit osmanë turqishtfolës po aq shpejt sa edhe imperialistët francezë.
Aksesi në tregjet e tyre ishte shumë tërheqës për të vepruar ndryshe. Osmanët e bënë Halepin qytetin e dytë të tyre pasi e morën nën kontroll në vitin 1516. Ishte qyteti i vetëm arab ku sulltanët osmanë kalonin shumë kohë.
Arkitektura dhe kultura e Halepit reflekton madhështinë e tij. Profeti Muhamet i kishte ngjasuar kopshtet rreth Damaskut me parajsën. Por Abu al-Tayyib al-Mutanabbi, i konsideruar si një nga poetët më të mëdhenj klasikë arabë, i pa këto kopshte vetëm si një rrugë e rëndomtë krahasuar me diçka shumë më të mirë. Aleppom shkroi ai, ishte destinacioni.
Shumë të tjerë e ndoqën këtë rrugë. Hebrenjtë hynë në qytet pas inkuizicionit spanjoll. Armenët bënë të njëjtën gjë kur turqit pastruan Anadollin. Ndërsa qytete të tjera përfshiheshin herë pas here në episode të përgjakshme sektare, Halepi i mirëpriti të gjithë të sapoardhurit.
Sulltani Sulejmani i Madhërishëm festonte pluralizmin edhe diversitetin e qytetit si një “tufë lulesh të mrekullueshme me ngjyra të ndryshme”. Dhe tani lista e ndërtesave të humbura tingëllon si një regjistër i trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. Një nga tregjet e mbuluara më të vjetra në botë shtrihet i djegur dhe i rrënuar.
Khan al-Jumruk, që dikur strehonte konsullatat angleze, franceze dhe holandeze, nuk është më. Ndërsa bota nuk bën asgjë, bombarduesit rusë po e shndërrojnë historinë në rrënoja.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/